Ndërlidhjet

KËRKOHET PËRMBUSHJA E STANDARDEVE


Albana Isufi, Prishtinë

Komunave të Kosovës u është kërkuar që të jenë më dinamike në zbatimin e standardeve tani, kur, siç thotë kryeministri Agim Çeku, kanë mbetur pak muaj para se të vendoset për statusin përfundimtar. Çeku u ka kërkuar komunave që sidomos muajin e ardhshëm, të punojnë më shumë, në mënyrë, që të forcojnë pozicionin e ekipit negociator në bisedimet për statusin përfundimtar. Kryeministri Çeku ka bërë këto komente pas një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e komunave të Kosovës.
”Shumë nga pikat e standardeve varen nga komunat, nga puna konkrete në terren. Ata (kryetarët e komunave), kuptuan seriozitetin e situatës në të cilën jemi, rëndësinë e përmbushjes së standardeve, që kanë për përcaktimin e statusit në këtë kohë”.
Kryeministri Çeku është optimist se komunat do shënojnë rezultate të mira në muajt në vijim.
“Në të ardhmen e afërt, në muajin e ardhshëm do të kemi rezultate më konkrete dhe skena politike do të dinamizohet më shumë në nivelin qendror dhe lokal. Mendoj se me këtë punë, qeveria duke prodhuar argumente e rezultate në terren në përmbushjen e standardeve do t’i japë një argument të fuqishëm ekipit negociator në bisedimet për statusin e Kosovës.”
Ministri i Pushtetit Lokal, Lutfi Haziri ka theksuar se edhe këtë herë përfaqësuesve të komunave do t’u kërkohet përkrahja për zbatimin e projekteve të decentralizimit.
“Ne kemi tre komunat që janë në fazën e zhvillimit dhe monitorimit. Po pres rekomandimet përfundimtare mbi të arriturat dhe po ashtu në të tre pilot njësitë komunale dhe dy të tjerat që nuk i kemi zbatuar, kemi bërë marrëvehsje me komunat amë. Është pjesë e angazhimve tona”.
Por, ndryshe nga zëvendësi i tij, kryeministri Çeku ka thënë se qeveria do të zbatojë vetëm ato vendime e dokumente, që dalin nga Kuvendi i Kosovës. Komunave u mbetet të zbatojnë atë që ofrojnë institucionet qendrore.
“Kur vijmë te zbatimi, do të japim sqarimet e udhëzimet e nevojshme, administrative apo praktike kryetarëve të komunave në zbatimin e legjislacionit, i cili do të aprovohet në Kuvend. E jo në zbatimin e asaj që mund apo mund të mos dakordohet në Vjenë a kudo tjetër."
Në takimin e tretë mbi decentralizimin në Vjenë pala kosovare ka pranuar në parim dokumentin e ofruar nga ndërmjetësit ndërkombëtarë duke paraqitur edhe vërejtjet e veta. Ndërsa pala serbe ka refuzuar në tërësi. Deri në takimin e ardhshëm, që do të mbahet më 4 maj, zyra e Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës në Vjenë do të përgatisë një dokument të ri, me të cilin do të njoftohen palët negociuese.

XS
SM
MD
LG