Ndërlidhjet

JOHNSON:"PËRSHTATJA E KUFIJVE NË VERI E MUNDSHME"


A. Ross JOHNSON, Instituti Hoover

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, negociatorët ndërkombëtarë tani kanë filluar të flasin për mundësinë e imponimit të marrëveshjeve në çështjet ku kompromisi ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duket i pamundur. Duke marrë parasysh qëndrimet e skajshme të të dyja palëve mbi shumë çështje, a mendoni se qasja e imponimit të marrëveshjeve do të jetë elementi kryesor i tërë procesit negociator?

A.ROSS JOHNSON
Kjo edhe mund të ndodhë. Politika e qeverive të vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit është që të vihen si prioritare marrëveshje të negociuara në të gjitha fushat e ndryshme. Por, nëse një gjë e këtillë bëhet e pamundshme për shkak të afateve të caktuara që duhet të përmbushen brenda këtij viti dhe nëse në fund marrëveshjet nuk mund të negociohen, atëherë rezultati i vetëm real do të jetë një lloj i marrëveshjeve të imponuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe cili do të jetë ai mekanizëm që do të vendosë mbi këto marrëveshje të imponuara?

A.ROSS JOHNSON
Për këtë do të vendosin anëtarët e Grupit të Kontaktit dhe Kombet e Bashkuara. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara mendoj se do të jetë ai që i sjell qëndrimet e të dyja palëve në tavolinë, por do të jenë anëtarët e Grupit të Kontaktit ata, të cilët në fund do të marrin një vendim.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht kanë filluar bisedimet mbi decentralizimin, një proces ky që shihet si mekanizëm që do të mundësojë në rradhë të parë për pakicat krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për to. Por, kjo çështje ka ngritur disa shqetësime se ky proces mund të çojë deri tek ndarja e Kosovës. Si e shihni ju këtë çështje?

A.ROSS JOHNSON
Raundi i fundit i bisedimeve mbi decentralizimin në Vjenë, duket se nuk ka shkuar edhe aq larg. Unë mendoj se kërkesa e palës serbe për një vetëqeverisje të konsiderueshme të komunave në Kosovë është mjaft e arsyeshme. Por, zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, Albert Rohan, e ka bërë shumë të qartë se kërkesa e palës serbe për rajonet e populluara me serbë, që ka të bëjë me krijimin e një niveli të tretë të administrimit mes komunave, nuk është e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar, e aq më pak për udhëheqjen shqiptare në Kosovë. Dhe a mund të gjindet zgjidhja? Duhet shpresuar se po. Por nëse në fund nuk mund të arrihet marrëveshja, atëherë ndoshta të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi, do të mund të vinin deri tek një pajtueshmëri, të mos e quajmë mbi ndarjen e Kosovës, por mbi përshtatjen e kufijve. Komuniteti ndërkombëtar e ka hequr këtë opsion nga tavolina e bisedimeve, por a do të jetë kështu përgjithmonë? Unë nuk shoh ndonjë arsye pse duhet të jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, në njërin nga raportet tuaja të fundit, duke folur për Mitrovicën, keni thënë se “nëse kthimi i Mitrovicës nën Serbi do të nënkuptonte arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme nga të dyja palët, atëherë ky opsion nuk duhet përjashtuar”. A mendoni se kjo edhe do të ndodhë?

A.ROSS JOHNSON
Mendoj se rreth kësaj çështjeje të dyja palët duhet të mendojnë me shumë kujdes. Pala serbe, pra Beogradi dhe posaçërisht serbët e Kosovës duhet të qartësojnë se çfarë duan. Rikthimi në Serbi ndoshta kënaq disa nga qëllimet e tyre, por gjithsesi ata duhet të heqin dorë nga lokacionet dhe enklavat e tjera serbe në Kosovë. Në anën tjetër, edhe shqiptarët e Kosovës duhet ta kenë të qartë se çfarë duan. A mendojnë ata se vërtetë do të mund ta integrojnë në një shtet të ri pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe dhe që gjendet në kufi me Serbinë? Nëse jo, atëherë ndoshta do të mund të bëhej një përshtatje kufijsh. Nëse të dyja palët arrijnë të bisedojnë për këtë çështje dhe të arrijnë një marrëveshje, qoftë edhe të pjesërishme, atëherë ka pak gjasë që komuniteti ndërkombëtar ta parandalojë një gjë të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë “pavarësia e kushtëzuar” është një prej opsioneve më të përfolura, të paktën sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, çfarë do të thotë ky opsion për Kosovën; si do të duket Kosova e pavarësuar me kushtëzime?

A.ROSS JOHNSON
Mua më duket se do të jetë një shtet i ri, me disa përgjegjësi të rezervuara për komunitetin ndërkombëtar. Dhe njohja e këtij shteti të ri do të kërkojë pajtueshmërinë e autoriteteve kosovare për një prani të vazhdueshme të KFOR-it dhe për disa përgjegjësi të rezervuara që do të kalojnë në duart e ndonjë përfaqësuesi të lartë të komunitetit ndërkombëtar. Ky përfaqësues mbase nuk do të ketë pushtetin që ka përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, por i cili megjithatë do të merret me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe do të ketë pushtet të caktuar mbi disa standarde në sistemin e drejtësisë. Mendoj se këto janë pjesët e pavarësisë së kushtëzuar, të cilat nuk do të duhej të konsideroheshin si negative. Mua më duket se këto janë elemente që nga udhëheqësit kosovarë do të mund të shiheshin si zhvillime pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, Grupi i Kontaktit ka kërkuar nga të gjitha palët që zgjidhja për statusin të arrihet brenda vitit 2006. Çfarë do të mund ta rrezikonte përmbushjen e këtij synimi?

A.ROSS JOHNSON
Mendoj se ky vërtetë është një synim dhe çfarë mund ta rrezikojë atë? Dhuna në Kosovë. Kjo është arsyeja pse të gjitha palët duhet të bëjnë çmos për ta parandaluar atë.

Intervistoi Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG