Ndërlidhjet

ÇEKU: TAKIMI I BUKURESHTIT HAP PËRPARA NË POZICIONIMIN NDËRKOMBËTAR TË KOSOVËS


Intervistë me kryeministrin e Kosovës Agim Çeku

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, në Bukuresht përfundoi takimi për krijimin e një zone të tregtisë së lirë mes vendeve të Evropës Juglindore. Kosova a do përfshihet në këtë marrëveshje me të njëjtin status si shtetet e njohura ndërkombëtarisht?

AGIM ÇEKU
Po. Ne sot prezantonim Kosovën në një takim të kryeministrave të Evropës Juglindore. Unë pata dhe një paraqitje gjatë këtij këtij takimi. Qëllimi ishte që dhe Kosova të pozicionohej si një vend në Evropë, si pjesë integrale e Evropës Juglindore dhe të jemi pjesëmarrës të marrëveshjes për tregtinë e lirë me vendet e Evropës së mesme, siç u quajt sot këtu.
Përfundimisht ky ishte një hap përpara dhe më konkret për pozicionimin e Kosovës. Deklarata që nënshkruam në këtë forum e bën Kosovën si anëtare të barabartë në Evropë.
Nga ana tjetër tregtia e lirë është shumë e rëndësishme sa i përket integrimeve dhe zhvillimit ekonomik, pasi zhvillon konkurrencën, cilësinë dhe hap vende të reja pune.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, duke kaluar në çështje të tjera, është thënë se e ardhmja e serbëve të Kosovës është një nga pikat kyçe për vendosjen e statusit. Në këto kushte qeveria që drejtoni ka folur për qasje integruese, por çfarë mënyrash do përdorni që veriu i Kosovës të jetë pjesë integrale e saj, kur dihet se atje as UNMIK-u dhe as qeveria qëndrore nuk ka kontroll?

AGIM ÇEKU
Veriu i Kosovës është një nga sfidat më të mëdha në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Duhet ta pranojmë se edhe pse ka pasur iniciativa të shumta, shumë pak është bërë në integrimin e pakicave. UNMIK-u, që ka qenë përgjegjës, ka pasur një qasje më të butë ndaj pushtetit paralel në veri të Kosovës, për shkak të drojës që serbët të mos largohen nga Kosova.
Nga ana tjetër bashkësia ndërkombëtare e ka penguar qeverinë e Kosovës gjatë këtyre viteve për të pasur një qasje më aktive. E vërteta është se tani jemi në këtë pikë dhe para nesh ajo paraqet një sfidë të madhe. Por jam i bindur se çështja e veriut të Kosovës do zgjidhet me atë të statusit të Kosovës. Është shumë e rëndësishme që të përcaktohet statusi, të përcaktohen kufijtë dhe jemi të bindur se kufijtë e Kosovës do përfshijnë gjithë territorin e saj, pra dhe veriun. Me përcaktimin e statusit përmes një qasjeje demokratike, bazuar në të drejtën ndërkombëtare, edhe serbët do ta kuptojnë që e kanë vendin aty.
Dhe ata duhet ta kuptojnë se mënyra e vetme për të jetuar këtu është përfshirja në institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Deklaratat e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë në takimet e Vjenës kanë lënë të kuptohet se plani i decentralizimit dhe pa miratimin e palëve, do të miratohet si pjesë e paketës së zgjidhjes së statusit nga Këshilli i Sigurimit. Çfarë po bëni dhe do të bëni që plani i decentralizimit t'i mënjanojë rreziqet e lidhjeve horizontale, financimeve nga Beogradi apo rreziqe të ngjashme?

AGIM ÇEKU
Në fakt ajo që quhet decentralizim për ne është reformë e pushtetit lokal, që është një projekt i palës sonë i bazuar në Konventën e Këshillit të Evropës për Pushtetin Lokal. Qasja jonë është parimore, qytetare dhe që e afron pushtetin më afër qytetarit. Kjo qasje sa i përket pakicave është neutrale, në kuptimin që në themel e ka qytetarin. Oferta jonë është e pranueshme për faktorin ndërkombëtar. Faktori serb ka një qasje plotësisht tjetër, që është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare për pushtetin lokal, e si e tillë është e papranueshme.
Çdo gjë që ne bëjmë është parimore dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare e do të vazhdojmë në këtë mënyrë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe krejt në fund, duke ardhur nga një karrierë ushtarake dhe jo civile, cilat kanë qenë sfidat me të cilat jeni përballur apo vazhdoni të përballeni që nga marrja e postit të kryeministrit?

AGIM ÇEKU
Kjo është një situatë e re, unë më parë nuk jam marrë me aktivitet politik. Por misioni është i qartë dhe nuk jam vetëm në këtë projekt. Kam pas vetes gjithë spektrin politik për ta bërë Kosovën shtet dhe për ta integruar në Evropë. Të gjithë së bashku do t'ia dalim, natyrisht detyrë e qeverisë është ta dinamizojë dhe t'i prijë procesit.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG