Ndërlidhjet

ÇËSHTJA E PENSIONISTËVE KOSOVARË ËSHTË ANASHKALUAR NGA INSTITUCIONET VENDORE


NadieAhmeti, Prishtinë

Çështja e pensionistëve në Kosovë është një çështje shumë e ndjeshme dhe e ndërlikuar, për shkak të mohimit flagrant të të drejtave të tyre, thotë Fatmir Fehmiu, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Kosovë. Ai pohon se me mohimin e të drejtave të tyre nga kontributet e dhëna, pensionistët, në aspektin human, janë shndërruar në njerëz të dehumanizuar, kurse në aspektin ligjor, në njerëz të diskriminuar.
“Në aspektin pasuror, janë të privuar nga pasuria të cilën e kanë krijuar, jo vetëm me kontributet, të cilat i kanë dhënë për sigurimin e tyre, por edhe në sferën e krijuar materiale, ku janë të privuar nga ajo pjesë e privatizimit, si pjesë e punës së tejshkuar të tyre”, thotë zoti Fehmiu.
Zoti Fehmiu, lidhur më këtë në radhë të parë fajëson institucionet vendore. Që prej formimit të këtyre institucioneve, sipas tij, nuk ka ekzistuar një qasje sistematike konceptuale për zgjidhjen e këtij problemi.
“Çështjes iu kanë qasur në mënyrë, siç thotë populli, të rrënimit të problemit. Problemi është prolonguar por besa edhe ndërlikuar, me qëllim apo pa qëllim, nuk po e shqyrtojnë atë. Por problemi ende ekziston,” thotë zoti Fehmiu.
Në korrik të vitit 2005 Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë disa rekomandime për përmirësimin e pozitës së pensionistëve kosovarë, thotë zoti Fehmiu. Në mesin e këtyre rekomandimeve ka qenë që qeveria të ndajë 6 milionë euro për pjesën e dytë të vitit të kaluar për pensionistët, por deri më tash kjo as nuk është bërë dhe as që është paraparë të bëhet me buxhetin e këtij viti.
“Mendimi është se kjo kategori e njerëzve mjerisht është anashkaluar dhe politikisht ka mbetur jetime. Jetime, për arsye se nuk ka as mirëkuptim, nuk as qasje serioze profesionale konceptuale për ta elaboruar dhe zgjidhur problemin, megjithëse binarët ekzistojnë”.
Problem tjetër që pensionistët kosovarë i ka përcjellur që prej përfundimit të luftës është edhe shuma e parave të tyre, që tashmë gjenden në Serbi. Lidhur me këtë zoti Fehmiu, thotë se për zgjidhjen e këtij problemi është i nevojshëm një presion urgjent i administratës së Kombeve të Bashkuara mbi Beogradin zyrtar.
“Sipas vlerësimeve që janë bërë nga ana e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Kosovë, material, të cilin i’a kemi dërguar të gjitha institucioneve të përkohshme, Kuvendit, qeverisë etj, është mbi 1 miliard e 600 milion euro. Mirëpo, duke pasur parasysh rrjedhat, të cilat janë, mohimin e të drejtës edhe në të kaluarën dhe të tanishmen, për këtë është dashur të bëhet presion nga përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, mirëpo mjerisht nuk e ka bërë atë,” thotë zoti Fehmiu.
Sidoqoftë, sipas ligjit për pensione, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, të gjithë personat mbi 65 vjeç marrin nga 40 euro në muaj, pavarësisht nga puna që kanë bërë dhe kontributet që kanë dhënë.


XS
SM
MD
LG