Ndërlidhjet

KUVENDI DUHET TË MBËSHTESË NEGOCIATAT, POR EDHE T'I MBIKQYRË ATO


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës duhet të ketë rolin vendimtar në bisedimet për statusin dhe në të gjitha çështjet e proceset e tjera, siç është edhe decentralizimi, thonë deputetët nga dy partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë. Nekibe Kelmendi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se rezoluta e miratuar kohë më parë në Kuvend për statusin e Kosovës, e përcakton qartë se Kuvendi është instanca e fundit që vendos për të gjitha çështjet lidhur me statusin e Kosovës:
“E kemi rezolutën dhe të gjitha ato duhet të kalojnë në parlament dhe parlamenti i Kosovës duhet ta thotë fjalën e fundit. Mund të them se sidomos me këtë takimin e tretë jam posaqërisht e kënaqur”, tha Kelmendi.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti mendon se Kuvendi duhet të dëshmojë seriozitet dhe siç e ka miratuar fillimin e bisedimeve dhe grupin për bisedime, t’i japë dhe përkrahjen e nevojshme këtij grupi që t’i zhvillojë negociatat pa e penguar atë në punën e vet:
“Unë mendoj që Grupi i Kontaktit është deklaruar qartë, Kosova nuk mund të ndahet dhe se Kosova ka hyrë në një proces të pavarësisë. Unë mendoj që pengesa më e madhe për pavarësinë e Kosovës jemi ne vetë, forcat politike të Kosovës, të cilat po veprojnë nën ethet e elektoratit dhe problem kryesor është që ne duhet të jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë dhe obligimet që kemi për nevojat që i ka Kosova, dhe pse të mos themi edhe për problemet me të cilat ballafaqohen pakicat në Kosovë”, tha Haliti.
Deputetët Kelmendi dhe Haliti, i vlerësojnë si shumë pozitive dhe parimet e fundit të Grupit të Kontaktit, ku sërish deklarohet se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të vullnetit të popullatës shumicë të Kosovës. Deputetja e LDK-së, Nekibe Kelmendi mendon se parimet e Grupit të Kontaktit dëshmojnë qartë se pavarësia e Kosovës më nuk është një çështje e kontestueshme për bashkësinë ndërkombëtare siç ishte para disa vitesh:
“Ajo që mua më së shumti më ka interesuar është qëndrimi se duhet të respektohet vullneti i popullit shumicë të Kosovës dhe duhet të pranohet vullneti i popullit shumicë. Vullneti i popullit shumicë të Kosovës dihet çfarë është, është pavarësia dhe sovraniteti i plotë i Kosovës. Ky është një hap përpara dhe më pozitiv i bashkësisë ndërkombëtare”, tha Nekibe Kelmendi.
Kurse deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti thotë se Grupi i Kontaktit e ka përcaktuar qartë se Kosova do të jetë e pavarur dhe nuk do të ndahet. Por rreziku për pavarësinë e saj, sipas tij, vjen nga vetë klasa politike e Kosovës, e cila nuk ka arritur të zhvillohet, por ka mbetur në llogjikën e vjetër të politikëbërjes:
“Unë mendoj që ne nuk kemi nevojë të shprehim mosbesim publik ndaj tyre (ekipit kosovar). Sepse në qoftë se ne çdo herë do t’i konsideronim ata që i çojmë në Vjenë, ata që kanë marrë përgjegjësi për të ndjekur procesin e bisedimeve, ti trajtonim thua se ata janë duke shitur Kosovën, ose të shkonin ata në bisedime me frikën që nesër mund të trajtohen si tradhtarë në Kosovë, mendoj se atëherë Kuvendi do të bëhej si pengesë e procesit”, vlerësoi Haliti.
Sidoqoftë, deputetë nga partitë më të mëdha parlamentare të Kosovës, mendojnë se raundi i tretë i bisedimeve në Vjenë ka qenë një hap përpara në bisedimet për decentralizimin, duke besuar se aty është dëshmuar se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare lidhur me decentralizimin, por jo edhe Beogradi.

XS
SM
MD
LG