Ndërlidhjet

MUSTAFA: ÇËSHTJA E LUGINËS SË PRESHEVËS TË SHQYRTOHET NË INSTITUCIONET E KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës kanë kërkuar sot nga institucionet e Kosovës, qeveria dhe Kuvendi të ngritin çështjen e pazgjidhur të komunave me shumicë shqiptare në Luginë e Preshevës. Këto kërkesa, përfaqësuesit e Luginës, Ragmi Mustafa dhe Riza Halimi i kanë bërë gjatë takimit të rregullt që zhvillojnë me anëtarin e grupit negociues, Veton Surroi, i cili drejton dhe këshillin për komunitete, në kuadër të ekipit kosovar për bisedimet lidhur me statusin.
Nikoqiri i takimit, Veton Surroi tha se do të ishte reale që praktikat më të mira rajonale për decentralizimin që do të zbatohen në Kosovë, të zbatohen edhe në Luginën e Preshevës. Po ashtu, Surroi tha se Kosova duhet të ngrejë tani çështjen e lidhshmërisë ndërmjet saj dhe komunave me shumicë shqiptare në Serbi, ngjashëm siç kërkohet të bëhen këto lidhje ndërmjet komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe Beogradit:
“Ne realisht mendojmë dhe insistojmë që praktikat më të mira rajonale të zbatohen në njërën anë, e nga ana tjetër që këto praktika që ndërtohen për Kosovën, po ashtu të jenë pjesë e praktikave të mira për tërë rajonin.
Meqenëse në këtë fazë të bisedave ka hyrë dhe çështja e lidhshmërisë tej kufitare, padyshim se pjesë e politikave të ardhme të Kosovës duhet të jenë lidhjet e Kosovës me Luginën e Preshevës, nevojave të drejtëpërdrejta, siç është nevoja për sfera e arsimit”, tha Surroi.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se shqiptarët e Luginës, janë të interesuar në veçanti të dinë sidomos për decentralizimin dhe bisedimet Prishtinë - Beograd. Ne jemi të interesuar të zbatohen standarde të njëjta si për komunitetet në Kosovë, ashtu edhe për komunitetet pakicë në Serbi, tha Mustafa. Në vazhdim ai tha po ashtu se nga Surroi, si anëtar i ekipit kosovar për statusin, është kërkuar që institucionet e Kosovës të deklarohen lidhur me zgjidhjen e problemit të Luginës së Preshevës:
“Ndoshta është momenti kur edhe duhet të ngritet në nivel më të lartë problemi i Luginës së Preshevës. Ne sot kërkuam nga Veton Surroi që të ngritet problemi i Luginës në nivel institucional, të institucioneve të Kosovës, qoftë në qeveri, ashtu edhe në Parlamentin e Kosovës, që të diskutohet e tërë kjo problematikë dhe mënyra se si të përfshihet dhe zgjidhja e problemit të Luginës së Preshëvës”, tha Mustafa.
Ragmi Mustafa tha po ashtu se në Luginën e Preshevës po shtohen tensionet dhe priten një valë protestash përmes së cilave, sipas tij, po shtohen kërkesat e popullatës për zgjidhjen e problemit të Luginës. Surroi dhe bashkëbiseduesit nga Lugina e Preshevës thanë po ashtu se elemente të Marrëveshjes së Ohrit, mund të jenë model i mirë për decentralizimin në të gjitha vendet e rajonit ku ka probleme me komunitetet pakicë.



XS
SM
MD
LG