Ndërlidhjet

BESIMI: MAQEDONIA DO TË PËRFITOJË NGA STATUSI I VENDIT KANDIDAT PËR BE


Fatmir Besimi, Ministër i Ekonomisë së Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Anketimet tregojnë se shqetësimet kryesore të qytetarëve në Maqedoni kanë të bëjnë me krizën ekonomike. Si e vlerësoni ju gjendjen ekonomike në vend?

FATMIR BESIMI
Në rend të parë dua të vlerësoj atë që temat ekonomike janë tema, të cilat gjithnjë e më tepër u interesojnë qytetarëve. Ky është një sinjal i mirë që ngadalë dhe gradualisht në vendin tonë, temat e vërteta që kanë të bëjnë me standardin jetësor dhe atë që quhet cilësi më e mirë e jetës, marrin primatin e tyre. Në këtë drejtim edhe shqetësimet për aspektin ekonomik janë me vend. Mirëpo ajo që dua të bëj të qartë që në fillim, është se kualifikimi i krizës ekonomike nuk është adekuat, pasi kriza ekonomike ka disa parametra kryesoreë që duhet ta identifikojnë atë si: rënia e prodhimit bruto vendor, probleme me hiper inflacionin, e të tjera, gjë që nuk është rast me ekonominë e vendit tonë. Ajo që është shqetësim është mospasja e një zhvillimi ekonomik më të shpejtë dhe e një standardi më të lartë të jetesës. Në këtë pikë dhe unë pajtohem me qytetarët. Ne e meritojmë të kemi një standard më të lartë jetësor dhe në këtë drejtim ajo që duhet të bëjmë janë reformat ekonomike, intensifikimi i tyre, reformat strukturore, ato që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit, që do të thotë krijim të vendeve të reja të punës dhe një rritje ekonomike më të shpejtë. Unë dua të them se ajo që deri tani është filluar si një rritje ekonomike, që vitin e kaluar e realizuam me 4% dhe që edhe për këtë vit është projektuar për 4%, është sinjal se ekonomia jonë zhvillohet në drejtimin e duhur. Ajo për të cilën ne duhet të punojmë më tepër është shpejtësia, me të cilën zhvillohet ekonomia e vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët shpejtësinë e zhvillimit të ekonomisë së vendit. Maqedonia ka disa kohë që është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sa është e gatshme ekonomia e vendit për integrimet evropiane?

FATMIR BESIMI
Vetë statusi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të ketë efekte të shumëfishta në ekonominë e vendit. Në rradhë të parë në rritjen e investimeve si ato të vendit dhe në ato të huaja, të cilat duhet të sjellin pastaj një rritje më të shpejtë ekonomike. Lidhur me atë se sa ekonomia e vendit është e gatshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian, them që vetë procesi i integrimeve, vetë fjala integrim, përmban në vetvete kuptimin se bëhet fjalë për një proces, i cili duhet të shkojë në faza të ndryshme të përafrimit të ekonomisë sonë me atë të Bashkimit Evropian. Aspektet ekonomike, parametrat ekonomikë siç janë: deficiti buxhetor, borxhi i jashtëm, kursi devizor, normat e kamatës dhe të tjera, në bazë të këtyre parametrave, nëse e shikojmë ekonominë e vendit tonë, nuk dallon shumë nga ekonomitë e zhvilluara. Ajo që kërkohet nga ne është përforcimi i institucioneve dhe i sistemit ekonomik të vendit, ajo që quhet funksionim i mirëfilltë i ekonomisë së tregut. Çfarë duhet të bëjmë është reforma strukturore dhe përmirësimi i klimës së biznesit brenda vendit. Mendoj që me agjendën të cilën e kemi planifikuar, nëse çdo gjë funksionon në rregull në kuadër të agjendës që planifikojmë dhe në pritje të datës për fillimin e negociatave, mendoj që shumë shpejt ne do të arrijmë t'i plotësojmë normat dhe standardet për institucionet, të cilat janë sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është në gjendje Maqedonia të thithë investime të huaja?

FATMIR BESIMI
Nëse flasim me gjuhën e fakteve, në Maqedoni, gjatë periudhës së tranzicionit deri tani janë realizuar 1.2 miliard euro investime, gjë që nuk flet shumë për një interesim të jashtëzakonshëm të investitorëve të huaj në Maqedoni. Ne në këtë drejtim kemi identifikuar që një nga faktorët, meqë ka patur dhe faktorë që nuk kanë qenë ekonomikë, faktorë më tepër politikë destabilizues për rajonin, që ishin një arsyetim i përkohshëm për periudhën në të cilën kemi kaluar. Mirëpo ajo që gjithashtu ne duhet të punojmë janë reformat në sektorin e tregut të punës, rritja e fleksibilitetit në tregun e punës, reforma që kanë të bëjnë me tregun financiar, rritja e konkurrencës dhe zvogëlimi i normave të kamatës, dhe ajo që quhet përforcim dhe stabilizim i sistemit ekonomik të vendit dhe sistemit juridik, ajo që don të thotë funksionim i ligjeve brenda një ekonomie, pasi ato janë garancë për sigurinë e investitorëve të huaj. Çelsi ekonomik për Maqedoninë, si një ekonomi relativisht e vogël, e hapur, me 19% të bruto prodhimit vendor që ka të bëjë me tregti të jashtme, do të ishte në rritjen e investimeve në vend, si ato vendore ashtu dhe ato të huaja, për shkak se kështu do të kemi vende të reja pune, do të kemi hyrje të kapitalit brenda vendit, do të kemi gjithashtu edhe hyrje të ashtuquajturës dituri e re. Me këtë shpresojmë që ekonomia e vendit do të jetë më konkuruese brenda vendit, por edhe në tregjet rajonale dhe në ato të zhvilluara, si evropiane dhe më gjërë.

RADIO EVROPA E LIRË
Tashmë disa muaj funksionon marrëveshja për tregti të lirë ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Cilat janë përfitimet e dyanshme nga kjo marrëveshje?

FATMIR BESIMI
Çdo marrëveshje për tregti të lirë që lidhet me vendet partnere mund të sjellë vetëm efekte pozitive. Në rastin konkret, edhe marrëveshja për Tregti të Lirë ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës padyshim se do të ketë efekte pozitive për të dyja vendet, pasi kështu krijojmë një treg të përbashkët dhe e rritin konkurencën. Ajo që përfundimisht do të përfitojnë konsumatorët dhe qytetarët e të dyja vendeve, është malli më cilësor dhe malli me çmime më konkuruese, përkatësisht me çmime më të ulta. Ky është edhe synimi përfundimtar i çdo politike ekonomike: që të ofrojë një ekonomi, e cila do të jetë në funksion të qytetarëve dhe të konsumatorëve.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG