Ndërlidhjet

MALOKU: KOSOVA ËSHTË NJË VULLKAN SOCIAL


Bekim Bislimi, Prishtinë

Gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale, papunësia e madhe përballë korpusit të popullatës me moshë të re në Kosovë, të cilën sipas disa hulumtimeve e përbëjnë rreth 70 përqind, hap mundësinë që shkalla e pakënaqësisë së qytetarëve të jetë në nivel të rrezikshëm, thotë sociologu Fadil Maloku, pedagog në Departamentin e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, për çdo vit numri i të rinjve të papunë shënon ngritje.
“Duke marrë parasysh kontigjentet prej 30-33 mijë të rinjve që Kosova prodhon prej shkollave të mesme, duke marrë parasysh aftësinë mobilizuese që hapja e vendeve të reja të punës është minimale, të mos them fare e konsiderueshme diku 2000-3000 për çdo vit institucionet pretendojnë se mund ti punësojnë, ndërsa Universiteti dhe shërbimet e tjera diku 5000-7000, gjykuar sipas kësaj analize, diku 20.000 të rinj me moshë dhe potencial që mund të punojnë, janë jashtë rrjedhave. Konsideroj që Kosova është një vullkan social”, tha sociologu Maloku.
Psikologu Mytaher Haskuka, pedagog në Departamentin e psikologjisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se gjendja e rëndë sociale dhe varfëria, shkaktojnë frustrimin e individit dhe kjo reflekton edhe kolektivisht.
“Problemet më të mëdha psikologjike nuk shkaktohen prej një ngjarjeje, por prej akumulimit të ngjarjeve të vogla. Ngjarje të vogla këtu janë përshembull: mosgjetja e punës, problemet me infrastrukturë, si rryma, rrugët e këqija, problemet me ujin ose diçka tjetër. Normal që kur të gjitha këto akumulohen, njeriu mundet të jetë shumë më nervoz, pëlcet më shpejt, frustrohet, mund ta përdorë dhunën për gjëra, të cilat normalisht njeriu nuk ka nevojë në situata normale, e që në vendet e tjera kishin për t'u zgjedhur në mënyrë shumë më racionale”.
Sociologu Maloku thotë se gjendja e rëndë ekonomike dhe sociale ka reflektuar me një varg dukurish, siç është ngritja e nivelit të dhunës, kriminalitetit, vetëvrasjeve, problemeve familjare, si dhe dëshirës së të rinjve që të migrojnë jashtë vendit me shpresën për një jetë më të mirë.
“Deri para luftës nuk ka qenë i reflektuar fenomeni i vetëvrasjes, fenomeni i kriminalitetit të shtuar. Sot, unë me përgjegjësi të plotë unë mund të them se kriminaliteti dhe korrupsioni është një lloj pandemie, do të thosha në të gjitha institucionet dhe të gjitha strukturat e institucioneve tona shoqërore. Të gjitha këto ndikojnë në rritjen e pakënaqësisë së qytetarëve”.
Ndërkaq, psikologu Haskuka thekson:
“Ka shumë raste të vetëvrasjeve momentalisht në Kosovë. Kjo është njëra prej ekstremeve kur për shkak të problemeve të ndryshme, personi e bën dhunën ndaj vetvetes dhe faktikisht ja merr jetën vetes. Por ka edhe raste të tilla kur nuk bën vetëvrasje por përdor dhunën brenda familjes. Sipas disa treguesve edhe shkurorëzimet në Kosovë momentalisht janë në rritje e sipër. Besoj që edhe kjo është një tregues i problemeve ekonomike dhe sociale. Faktikisht, të gjitha këto dobësojnë edhe familjen, e cila momentalisht ka filluar ta humbë atë rolin që e ka patur më parë”.
Psikologu Haskuka, i cili punon edhe në kuadër të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim UNDP, thekson se në bazë të disa analizave të dhjetorit të vitit të kaluar, pakënaqësia e qytetarëve me gjendjen ekonomike dhe sociale është duke u shtuar.
“Do të thotë se përqindja e njerëzve që kanë shprehur gatishmërinë për të protestuar për shkak të kushteve ekonomike është rreth 60 përqind, ndërkaq për shkak të proceseve apo problemeve politike, është diku rreth 54 përqind. Normalisht se njerëzit zakonisht për shkak të frustrimit thonë “po”, por ndoshta nëse ndodh diçka nuk do të protestojnë. Megjithatë është fakt tregues që problemet ekonomike janë probleme, që qytetarët e Kosovës momentalisht i kanë më së vështiri t'i kalojnë apo t'i përballojnë."
Ndërkaq, sociologu Maloku, thekson se përqindja e varfërisë së skajshme është e lartë dhe kjo mund të prodhojë efekte negative dhe të rrezikshme për stabilitetin në Kosovë.
“Rreth 20 deri 22 përqind të popullsisë janë në varfëri të skajshme. Vetë fakti që në një vend me një popullsi 2 milionshe, 20 përqind t'i kesh në varfëri të skajshme, unë konsideroj që ky është kontingjenti që është në gjendje të rebelohet në çdo moment. Pastaj, pjesa tjetër që po ashtu është në rrezik e sipër, e që konsiderohet që është në një mesatare. Në Kosovë, mund të themi se, vetëm një pjesë prej 5 deri 7 përqind të popullsisë kanë një jetë të rehatshme dhe flejnë në rehati. Po që se bashkësia ndërkombëtare nuk ndërmerr ndonjë infuzion, për shkak se konsideroj që do të duhej të ndërhynin në këtë drejtim, nëse nuk ndërhyjnë, pa dyshim se trazirat sociale janë të gatshme”.

XS
SM
MD
LG