Ndërlidhjet

SI DO TË MBROHET TRASHËGIMIA KULTURORE NË KOSOVË?


Albana Isufi, Prishtinë

Ende nuk dihet se çfarë do jetë mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Pala kosovare mendon se kjo duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike, ndërkaq krerët e Kishës Ortodokse Serbe thonë se pavarësisht statusit, objektet e trashëgimisë kulturore duhet të kenë mbrojtje institucionale dhe garanci ndërkombëtare.
Të gjithë në Kosovë thonë se duhet të ketë mbrojtje të trashëgimisë kulturore. Madje ministri i Kulturës, Astrit Haraçia ka filluar një fushatë televizive për vetëdijësimin e qytetarëve se objektet me vlera kulturore e fetare duhet të ruhen. Dhe këtu bëhet fjalë për mbrojtjen e objekteve religjioze ortodokse.
Por, kush duhet t’i ruajë apo mbrojë ato?
Klerikët e Kishës Ortodokse Serbe kërkojnë mbrojtje institucionale si dhe garanci ndërkombëtare. Po një gjë e ngjashme kërkohet edhe nga Veton Surroi, kryesues i Këshillit Konsultativ me Komunitete, këshill ky i mandatuar nga ekipi i unitetit që të merret me cështjet e minoriteteve, përfshirë këtu edhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare.
Surroi i tha radios "Evropa e Lirë" se vendimi se si do mbrohet trashëgimia kulturore duhet të merret gjatë bisedimeve për statusin.
“Fillimisht duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike, pra çështja e trashëgimisë kulturore duhet të vihet brenda debatit të Vjenës, sepse mbrojtja më e mirë është ajo e konsensusit politik dhe pastaj duhet të jenë institucionet tona dhe në fund edhe garanci ndërkombëtare”.
Ndërsa, klerikët e Kishës Ortodokse Serbe janë inkurajuar nga kreu i UNMIK-ut se mbrojtja e trashëgimisë kulturore, në këtë rast edhe e manastireve serbe do të jetë prioritet gjatë bisedimeve për statusin përfundimtar. Liderë të Kishës Ortodokse kanë takuar sot shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, nga i cili kanë kërkuar jo vetëm mbrojtjen e objekteve kishtare, por edhe të vetë komunitetit serb në Kosovë.
“Biseduam për pozitën e popullit serb dhe të trashëgimisë kulturore. Tash kur po zhvillohen bisedimet pritet që populli ynë të mbrohet në mënyrë adekuate sidomos ata, që tashmë jetojnë këtu dhe ata që duan të kthehen. Ne kemi folur edhe për mbrojtjen e zonave rreth manastireve dhe jemi të inkurajuar nga qëndrimi i shefit të UNMIK-ut lidhur me këtë aspekt”, thotë Peshkopi Todosije.
Veton Surroi, nga Këshilli Konsultativ për Komunitete, thotë se pala kosovare po diskuton me Kishën Ortodokse Serbe mënyrat se si do ruhet në të ardhmen trashëgimia kulturore. Ai përjashton çdo mundësi që Kishat Serbe të jenë nën një eksterritorialitet të caktuar.
“ Nuk është çështje, dhe as që vihet ne rend dite”.
Kundër eksterritorialitetit është edhe kleriku serb Sava Janjiq.
“Kisha Ortodokse Serbe nuk angazhohet për eksterritorialitet dhe akuzat se ne po kërkojmë ndonjë eksterritorialitet për kishat janë të pasakta. Pavarësisht se çfarë do të jetë statusi, të gjitha manastiret e kishat që gjenden në Kosovës do të mbesin në Kosovë dhe ne angazhohemi për një mbrojtje të vërtetë institucionale, dhe që do ketë edhe garanci të veçanta ndërkombëtare. Por, s’kemi të bëjmë me eksterritorialitet dhe është me rëndësi që kjo të sqarohet”, thotë Sava Janjiq.
Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht u ka kërkuar liderëve të Kosovës, që të punojnë më shumë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Tani këtë gjë e ka kërkuar edhe Grupi i Kontaktit.
Përfaqësuesit e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit kanë nxitur liderët e Kosovës të jenë fleksibil dhe zemërgjërë në negociatat për status, veçanërisht në decentralizim dhe mbrojtje të trashëgimisë së Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
XS
SM
MD
LG