Ndërlidhjet

PRISHTINË


Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian sot në Luksemburg ka marrë vendim që 25 ekspertë të Bashkimit Evropian të vendosen në Kosovë për të përgatitur zgjerimin e pranisë së tij këtu. Kështu ka deklaruar sot në Prishtinë, Torbjorn Sohlstrom, përfaqësuesi i zotit Havier Solana, përfaqësues i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian. Sohlstrom ka theksuar se një pjesë e ekipit do të arrijë në Kosovë në fillim të muajit maj, ndërkaq pjesa tjetër deri në muajin shtator.
"Detyra e ekipit planifikues është që të fillojë përgatitjet për misionin e mundshëm të Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të ligjit pas zgjidhjes së statusit dhe përmbylljes së misionit të Kombeve të Bashkuara”, tha zoti Sohlstrom. Ai shtoi se vendimi i sotëm i Këshillit të ministrave është vetëm fillimi i procesit, meqë ende nuk dihet se çfarë do të jetë roli i saktë i operacioneve të ardhshme të Bashkimit Evropian. Zoti Sohlstrom ka nënvizuar se, ky ekip do të punojë në partneritet të ngushtë me UNMIK-un dhe me institucionet vendore të Kosovës posaçërisht me ministritë e drejtësisë dhe rendit.
Ai shtoi se Bashkimi Evropian në të ardhmen do të jetë më shumë i angazhuar në Kosovë dhe se Kosova do të jetë më e përfshirë në procesin e integrimeve evropiane.
XS
SM
MD
LG