Ndërlidhjet

WHYTE:"NDARJA E KOSOVËS IDE E KEQE DHE PREÇEDENT I RREZIKSHËM"


Nicholas WHYTE, drejtor iGNK për Kosovën

EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, çfarë është vlerësimi juaj për bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë, që kryesisht u përqëndruan në decentralizimin?

NICHOLAS WHYTE
Mua më duket se ajo që ka dalë nga këto bisedime janë propozimet e drejta dhe konkrete mbi decentralizimin. Ne aktualisht shohim se për herë të parë njerëzit janë të angazhuar për thelbin e zgjidhjes së mundshme. Kuptohet që ende janë larg nga arritja e një marrëveshjeje, ndaj më duhet të them se bashkësia ndërkombëtare me gjasë do të ndërmarrë ndonjë masë për të imponuar një zgjidhje për këtë çështje, ashtu si edhe për çështjet tjera. Ky me siguri do të jetë model edhe për rrjedhën e mëtejme të bisedimeve mbi çështjet tjera.

EVROPA E LIRË
Si i shihni qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit në bisedimet?

NICHOLAS WHYTE
Është mjaft e qartë se Beogradi dëshiron të ketë kontroll sa më të madh të mundshëm në rast të një zgjidhjeje për të ardhmen. Prishtinia ndërkaq e dëshiron saktësisht të kundërtën.

EVROPA E LIRË
Kohëve të fundit, disa analistë perëndimorë kanë deklaruar se ndarja e Kosovës gjithashtu mund të jetë një nga opcionet. Mendoni se kjo mund të shkaktonte efektin e dominos në rajon?

NICHOLAS WHYTE
Po ashtu është. Mendoj se kjo është një ide shumë e keqe. Është e qartë se ky do të ishte një precedent i pakëndshëm edhe për pjesët tjera në botë, e jo vetëm për Kosovën. Unë mendoj se duhet të bëhet e qartë dhe të thuhet se Kosova nuk është rast i mirë për një zgjidhje të këtillë.

EVROPA E LIRË
Sekretari i Jashtëm Britanik Jack Straw ka thënë se pavarësia e Kosovës është pothuaj e pashmangshme. Në anën tjetër, homologu i tij rus Sergei Lavrov thotë se është herët të flitet për pavarësinë. Si i shihni këto zëra te anëtarët e Grupit të Kontaktit?

NICHOLAS WHYTE
Nuk mendoj se ka ndonjë kundërthënie ndërmjet këtyre dy pikëpamjeve. Është e qartë se për momentin, jemi ende larg fundit të procesit të statusit përfundimtar. Nga ky këndvështrim, z. Lavrov ka të drejtë, por edhe z. Straw ka të drejtë për atë që duket se mund të jetë përfundimi më i mundshëm.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG