Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIATOR DISKUTON PLANIN PËR MITROVICËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Të gjitha opsionet që do të shqyrtohen për Mitrovicën qëllim kryesor do të kenë integrimin e qytetit, por ende është herët të flitet për modalitetet e strategjisë përfundimtare, është thënë sot pas takimit të ekipit negociues për statusin e Kosovës. Në këtë takim, është shqyrtuar një dokument pune për Mitrovicën, i cili fillimisht ishte hartuar nga ish kryeministri Bajram Rexhepi e më pas qe plotësuar edhe nga grupi politik, para se të diskutohej sot në ekipin më të lartë negociues për statusin. Anëtari i grupit politik dhe këshilltari i presidentit të Kosovës, Skënder Hyseni tha të gjitha shqyrtimet që po bëhen në këtë fazë i përkasin vetëm një dokumenti pune dhe jo një strategjie përfundimtare. Hyseni nuk e përjashtoi e as mohoi mundësinë që Mitrovica të ketë një lloj statusi special, edhe pse për këtë lloj zgjidhjeje ai personalisht u shpreh skeptik se do të mund të aplikohej:
“Nuk do të thotë që duhet të ketë status special. Nuk e di mos të paragjykojmë. Çfarëdo modeli që aplikohet, për synim të vetin ka integrimin e qytetit edhe në aspektin administrativ, por edhe në aspektin ekonomik, sepse ekonomia e qytetit të Mitrovicës si tërësi është e ndërvarur shumë, ka segmente të zinxhirit teknologjik në Mitrovicë që janë tepër të varura nga njëra tjetra, prandaj ka shumë rëndësi që të integrohet në të gjitha rrafshet qyteti i Mitrovicës”, tha Hyseni.
Në vazhdim, Skënder Hyseni tha po ashtu se orientimi bazë i ekipit kosovar për statusin është që të gjejë forma të aplikueshme për Mitrovicën që do të shpinin në integrimin e qytetit, i cili që nga qershori i vitit 1999, funksionon si një qytet i ndarë në veri e jug. Ai tha se perspektiva e Mitrovicës në Kosovën e pavarur do të jetë bashkimi dhe jo ndarja e këtij qyteti:
“Mitrovica ka disa veçanti dhe këto veçanti në proces të integrimit të qytetit duhet të merren parasysh. Mitrovica është qytet industrial dhe rrjedhimisht ka një mentalitet industrial në Mitrovicë dhe kjo duhet të merret parasysh.Çfarëdo zgjidhje që do të vijë në fund duhet të marrë parasysh këtë mentalitet që është shumë i fuqishëm në Mitrovicë”, theksoi Hyseni.
Duke iu përgjigjur disa komenteve që ditëve të fundit vijnë nga Brukseli ku shprehen dhe shqetësimet se bisedimet kanë hyrë në një fazë më kritike, Skënder Hyseni tha se këtu mund të bëhet fjalë shqetësimet që flasin për ditët kritike të bisedimeve dhe jo për bisedimet në fazën kritike:
“Procesi i Vjenës do të përfundojë, unë supozoj kah fundi i qershorit dhe deri atëherë do të shterrohen të gjitha mundësitë që procesi i Vjenës të arrijë t’i sjellë të dyja palët te një marrëveshje e negociuar. Por, nëse me pyetni a besoj në këtë, unë them se jam skeptik se mund të ketë, por të gjitha mundësit, të gjitha përpjekjet duhet të shterrohen që të arrihen marrëveshjet nëse arrihen mirë, nëse nuk arrihen prapë ka instrumente të tjera që do të aplikohen për të sjellë vendimet e duhura”, tha Hyseni.
Pavarësisht faktit se nga ekipi i kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisarit është thënë se Mitrovica nuk do të jetë temë e veçantë e bisedimeve Prishtinë – Beograd në Vjenë, ekipi kosovar pret që çështja e Mitrovicës të hapet në fazën e bisedimeve për kufijtë e komunave që do t’i ketë Kosova me reformat e pushtetit lokal, përkatësisht decentralizimin. Kjo temë pritet të hapet qysh në takimin e radhës më 4 maj. Këtu janë dy qëndrime të kundërta, përderisa pala serbe kërkon që Mitrovica të ndahet në dy komuna etnike, pala kosovare thotë se pozicioni i saj është që Mitrovica të jetë një komunë, kurse nuk është përjashtuar mundësia që ajo të ketë dy njësi nën-komunale.



XS
SM
MD
LG