Ndërlidhjet

SERBËT DHE SHQIPTARËT ME QËNDRIME TË KUNDËRTA RRETH MITROVICËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndryshe nga institucionet dhe ekipi negociues që zgjidhjen për Mitrovicën e shohin në një qytet të bashkuar, përfaqësues subjektesh të ndryshme politike të serbëve të Kosovës nuk shohin zgjidhje tjetër për Mitrovicën, pos ndarjes së saj. Rangjel Nojkiq një nga liderët e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, që është subjekti më i madh politik i serbëve të Kosovës, mendon se çështja e Mitrovicës duhet zgjidhur në bazë të situatës aktuale në terren:
"Mendoj se ai problem duhet të zgjidhet sipas situatës që mbretëron në terren dhe kjo qartë do të thotë se pjesa veriore do të duhej të ishte komunë," tha Rangjel Nojkiq, sipas të cilit ky kompromis është i mundshëm pasi ka edhe paralajmërime nga ekipi negociues i Prishtinës se duan ta zgjidhin këtë problem.
Milan Ivanoviq, një nga udhëheqësit e Këshillit Nacional Serb, mendon se çështja e Mitrovicës nuk duhet të ndahet nga zgjidhja për qytetet e tjera:
"Mendoj se çështja e Mitrovicës nuk do të duhej ndarë nga çështja e qyteteve të tjera të Kosovës, pasi ai është qyteti i vetëm multietnik në Kosovës," tha Milan Ivanoviq. Ivanoviq mendon se të gjitha qytetet e tjera të Kosovës janë të bashkuara por njëetnike, ndërsa në veriun e Mitrovicës, sipas zotit Ivanoviq, jetojnë edhe serbët edhe shqiptarët, por edhe komunitete të tjera.
Ivanoviq thotë se propozimi që kanë ofruar shqiptarët është i papranueshëm për palën serbe, pasi me të nuk ofrohet decentralizimi thelbësor, që sipas tij ishte edhe insistimi i raportit për standardet të ambasadorit Kai Eide.
Edhe Rangjel Nojkiq mendon se Mitrovica duhet të ndahet në dy komuna:
"Mendoj se pjesa veriore duhet të jetë komunë më vete, pasi numri i banorëve dhe territori janë në pajtim me parimet që do të rregullojnë formimin e komunave të reja," tha Nojkiq.
Edhe Milan Ivanoviq edhe Rangjel Nojkiq pajtohen se zgjidhja nuk qëndron në formimin e njësive nënkomunale, për të cilat ka folur ish-kryeministri Bajram Rexhepi, i cili ka përpiluar planin që po diskutohet në grupin politik dhe në ekipin negociues të Kosovës:
"Mendoj se njësitë nënkomunale për Mitrovicën dhe mjediset e tjera që kanë mundësi të jenë komuna, sipas parimeve të përcaktuara, nuk do të ishin zgjidhje, tha Nojkiq.
Mitrovica veriore duhet të jetë komunë e veçantë në një proces të decentralizimit thelbësor thotë Ivanoviq, sipas të cilit ka propozime që komuna ekzistuese e Zveçanit dhe pjesa veriore e Mitrovicës të bashkohen në një komunë të vetme. Ai tha se propozimi i Këshillit Nacional Serb është që pjesa veriore e Mitrovicës të jetë komunë më vete:
"Shumica e qytetarëve të Mitrovicës veriore dhe të Zveçanit, këto dy pjesë do të duhej të formonin një komunë të përbashkët," tha Milan Ivanoviq, duke e arsyetuar këtë me lidhjet e shumta që ekzistojnë ndërmjet këtyre dy komunave.
Duke reaguar ndaj propozimeve që në nivel të qytetit të Mitrovicës të formohet një këshill, i cili do të siguronte përfaqësimin e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në atë qytet, bashkëbiseduesit tanë thanë se kjo është një ide për të cilën ia vlen të mendohet, por pas jetësimit të decentralizimit dhe formimit të dy komunave në territorin e qytetit të Mitrovicës:
"Pas formimit të komunave me kufizime të qarta, sigurisht se mund të krijohen lidhje të caktuara dhe bashkëpunim i caktuar në nivel të komunave," tha Milan Ivanoviq, duke mos parë asnjë mundësi për lidhje të cilat do të tregonin për një qytet të përbashkët.



XS
SM
MD
LG