Ndërlidhjet

BRUKSEL: AHTISARI VAZHDON BISEDIMET PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryenegociatori i bisedimeve për statusin e Kosovës Marti Ahtisari ka thënë sot në Bruksel se procesi i negociatave të statusit të Kosovës do të vazhdojë sipas planit, duke diskutuar për decentralizimin dhe krijimin e komunave të reja, e vetëm më vonë diku në korrik mund të kalohet në fazën e nxjerrjes së qëndrimeve lidhur me statusin, pasi Ahtisari të dëgjojë dhe raportin që në Këshillin e Sigurimeve të OKB-së do ta ketë edhe Soren Jessen Petersen për përmbushjen e standardeve në Kosovë. Ahtisari e tha këtë duke folur para gazetarëve në Bruksel, së bashku me kryetarin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe me komisionerin e zgjerimit Oli Rehn. Të tre këta e kanë quajtur zgjidhjen e statusit të Kosovës të rëndësishme jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.
"Statusi i Kosovës është çështje shumë relevante ndërkombëtare dhe një ndër çështjet më relevante ndërkombëtare në botë, që duhet të zgjidhen në këtë moment," ka thënë kryetari i Komisionit Evropian Barroso. Ai ka thënë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të shihet në kuadër të perspektivës evropiane, jo vetëm të Kosovës por të tërë rajonit të Ballkanit."
Kryenegociatori ndërkombëtar për Kosovën Marti Ahtisari, pas takimeve që ka patur me zyrtarët kryesorë të BE-së, ka thënë se Bashkimi Evropian është duke luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në Kosovë, dhe do të luajë rol edhe më të rëndësishëm në të ardhmen, edhe pas statusit, sidomos në fushën e sundimit të rendit dhe të ligjit.
Ahtisari i ka quajtur qëndrimet e ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit rreth disa çështjeve si diçka të pritur dhe ka thënë se megjithatë nuk do ishte e drejtë të thuhej se asgjë nuk është arritur në negociata deri tani. Ai ka thënë se u jep të drejtë atyre që mendojnë se është dashur të bëhet më shumë që të arrihet në afrimin e palëve, por çështjet për të cilat është diskutuar në Vjenë janë të rëndësishme, dhe është e natyrshme të ketë qëndrime të ndryshme të palëve. Ahtisari tha se nuk mund të fshehë se vendimi i Beogradit për t'i detyruar serbët e Kosovës të mos marrin paga nga buxheti i Kosovës, ka qenë vendim fatkeq që ka ardhur në momentin më të keq në negociata. Ndërkaq i pyetur se a i qëndron ende thënies se deri në fund të mandatit të tij do të përmbyllet procesi dhe të arrihet zgjidhja, Ahtisari ka thënë:
"Grupi i Kontaktit në disa raste ka nënvizuar se nevojiten përpjekje serioze për gjetjen e zgjidhjes brenda vitit 2006 dhe ky mbetet dhe afati im dhe nuk kam ndonjë alternativë tjetër", ka thënë Ahtisari.
Ndonëse është e qartë që pozita e serbëve në Kosovë nuk mund të përmirësohet nëse vetë ata mbeten jashtë procesit, Bashkimi Evropian e shfrytëzoi edhe vizitën e sotme të Ahtisarit, për t'u dërguar një mesazh shqiptarëve se presin nga ata një përmbushje sa më të shpejtë të standardeve.
"Ne i inkurajojmë shqiptarët e Kosovës që të përmbushin seriozisht standardet për mbrojtjen e serbëve dhe decentralizimin dhe atë që tani dhe jo pasi të arrihet statusi. Ne në këtë drejtim presim rezultate të shpejta", ka thënë komisioneri i zgjerimit Oli Rehn. Ai nga ana tjetër tha po ashtu se Serbia dhe Beogradi duhet të jenë po ashtu konstruktivë.
"Meqë bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe në Kosovë, tek Beogradi qëndron obligimi për t'u angazhuar në sigurimin e kushteve më të mira për jetën e serbëve në Kosovë", tha Oli Rehn.
Ahtisari ka thënë se kryeministri i ri i Kosovës Agim Çeku, është duke u përpjekur në mënyrë energjike për të përmbushur standardet. Prandaj duhen pritur tani dhe rezultatet. Ahtisari ka thënë se ka mbështetjen e plotë të Grupit të Kontaktit dhe se do të vazhdojë konsultimet me qendrat kryesore ndërkombëtare. Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të vizitojë edhe njëherë Prishtinën dhe Beogradin, pastaj do të shkojë edhe në Kinë dhe Rusi e më tej edhe në shtete të tjera, të cilat janë të interesuar të luajnë një rol në gjetjen e zgjidhjes së problemit çfarë është statusi i Kosovës.



XS
SM
MD
LG