Ndërlidhjet

IRAN: POHIMET PËR PASURIMIN E URANIUMIT NDRYSHOJNË SITUATËN POLITIKE


Breffni O'Rourke

Njoftimi i presidentit të Iranit Mahmoud Ahmadinejad se vendi i tij ka shënuar sukses në pasurimin e uraniumit, i ka shtyrë ekspertët të pyeten se çka në të vërtetë ka bërë Irani.
A është fjala vetëm për një mashtrim, apo Irani vërtetë e ka hapur rrugën drejt prodhimit të bombës bërthamore?
Irani i ka rritur shqetësimet lidhur me programin e vet bërthamor, duke pohuar se e ka pasuruar uraniumin deri në shkallën e lëndës djegëse bërthamore. Në një ceremoni të veçantë, presidenti Ahmadinejad e lëvdoi punën e vështirë të shkencëtarëve dhe ekspertëve iranianë, që çoi në kompletimin e ciklit bërthamor.
"Zyrtarisht shpall se Irani i dashur u është bashkangjitur vendeve bërthamore të botës", tha Ahmadinejad, duke shtuar se niveli i pasurimit të uraniumit është i përshtatshëm për stabilimentet bërthamore. Ahmadinejad vazhdimisht ka këmbëngulur se programi bërthamor i Irani ka vetëm qëllime paqësore.
Ekspertët thonë se kjo e nënkupton nivelin prej 3.5%, shumë larg nga 90%-shi i nevojshëm uraniumit të pasuruar. Por ata shtojnë se metodat për prodhimin e armëve bërthamore janë të njëjta me metodën e prodhimit të lëndës djegëse për stabilimentet bërthamore.
Eksperti nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike në Londër, Mark Fitzpatrick, thotë se pohimet e Iranit se ia ka dalë të pasurojë uraniumin, e kanë ndryshuar situatën diplomatike.
"Ky është një hap, për të cilin pjesa tjetër e botës kërkonte që Irani ta ndërpresë. Irani po krijon situatë të re dhe fakte të reja në teren, duke iu bashkangjitur klubit të vendeve që mund të pasurojnë uraniumin", thotë Fitzpatrick.
Veprimi është në kundërshtim me kërkesat e Këshillit të Sigurimit që deri më 28 prill Irani t'i ndërpresë të gjitha aktivitetet për pasurimin e uraniumit. Ky hap gjithashtu vjen disa ditë pas raporteve nga Uashingoni se Shtetet e Bashkuara përgatiten për sulme të mundshme ajrore kundër stabilimenteve bërthamore të Iranit.
Qeveria amerikane i ka mohuar këto raporte. Megjithatë, sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld tha se Pentagoni ka një kontingjent planesh për një varg situatash.
"Qartësisht, ky vend, ka një kontingjent të ndryshëm planesh për nja 15 vjet. Kjo është ajo që bën qeveria jonë dhe Departamenti i Mbrojtjes. Nuk është diçka e pazakontë, dhe do të ishim objekt i kritikave po të vepronim ndryshe", tha Rumsfeld.
Analisti Mark Fitzpatrick thotë se Irani mund ta ketë zgjedhur momentin për ta tensionuar sitatën, që ta përforcojë pozitën e vet në negociatat. Sipas tij, Irani tash e konsideron veten anëtar i 8-të i klubit bërthamor në botë, dhe kërkon të trajtohet si i tillë.
Ndërkohë, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore ka paralajmëruar që në ditët e ardhshme do ta vizitojë Teheranin, për ta diskutuar afatin e caktuar nga Këshilli i Sigurimit, që Irani t'u japë fund të gjitha aktiviteteve bërthamore.

XS
SM
MD
LG