Ndërlidhjet

SURROI:"RRJEDHAT ÇOJNË DREJT PAVARËSISË SË KOSOVËS"


Veton SURROI, kryetar i partisë reformiste "ORA"

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, si do ta vlerësonit ecurinë e deritashme të procesit të negociatave dhe cilat do t'i identifikonit si pikat e dobëta dhe të forta të ekipit negociator, ku bëni pjesë dhe ju?

VETON SURROI
Mendoj se procesi i deritashëm negociator ka arritur të identifikojë pozicionet e Prishtinës dhe të Beogradit, ato që janë dallimet e thella konceptuale dhe të dëshmojnë, pak a shumë, se do duhet të hyhet në një fazë tjetër të negociatave që do të adresojnë drejtpërsëdrejti çështjet e statusit.
Nuk mendoj se ka shumë pika të dobëta të ekipit tonë negociator, mendoj se ka pika të forta. Këtu kam parasysh faktin se ekziston një konsensus, se çështjet janë ndërtuar në marrëveshje mes katër forcave kryesore politike. Do doja të theksoja se ky është i vetmi proces negociator ku shumica konsultohet në formë të përhershme me pakicat kombëtare. Përmes Këshillit konsultativ për minoritetet kemi arritur të kemi një proces intensiv konsultimesh me të gjitha bashkësitë pakicë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, bashkësia ndërkombëtare por dhe institucionet vendore e kanë përsëritur shpesh ndikimin negativ të Beogradit mbi serbët e Kosovës. Sipas jush sa janë gjasat që serbët e Kosovës të dalin nga ky ndikim dhe si kryetar i Këshillit konsultativ për komunitetet çfarë do të ndërmerrni?

VETON SURROI
Nuk pres që Beogradi të ndalë presionin mbi serbët e Kosovës, presioni do vazhdojë në të gjitha mënyrat, përfshi përdorimin e policisë sekrete. Por nga ana tjetër jam përpjekur dhe më duket se kemi vendosur një proces të dialogut të brendshëm në të cilin serbët e Kosovës do kenë mundësi të manifestojnë qëndrimet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendet përdorimin e policisë sekrete nga Beogradi, çfarë argumentash sillni në mbështetje të këtij qëndrimi?

VETON SURROI
Kemi parë se si në zgjedhjet e kaluara presioni që është bërë nga individë ka qenë presion i organizuar. Tashmë është sekret publik, e di dhe administrata UNMIK-ut, gjegjësisht shërbimet e sigurisë këtu, se ekziston një aktivitet i tillë. Aktiviteti i shërbimeve sekrete është pranuar dhe nga vetë Beogradi.

RADIO EVROPA E LIRË
Veriu i Kosovës është cilësuar si një nga pikat më delikate në procesin e zgjidhjes së statusit. Ka zëra që thonë se duhet respektuar gjendja faktike, ku as UNMIK-u e as Qeveria e Kosovës nuk kanë kontroll. Cila është përgjigjja juaj?

VETON SURROI
Ajo është një gjendje tranzitore. Veriu i Kosovës është ruajtur si i tillë për shumë arsye, ku njëra prej tyre është se Beogradi dhe politika e tij është përpjekur të krijojë vijën e përhershme të konfliktit në Ibër. Kështu që për shtatë vjet e kemi të krijuar këtë vijë konfliki. Por vijat e konfliktit nuk mund të kthehen në vija të marrëveshjes dhe ta legalizojmë një gjë të tillë.
Ne duhet ta gjejmë një zgjidhje që legjitimon interesat e popullatës serbe, por që legjitimon njëherësh dhe interesat e qëndrimet e Kosovës, që janë edhe të bashkësisë ndërkombëtare, se Kosova duhet të jetë e tërësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë takimeve me përfaqësuesit e Luginës së Preshëvës është thënë se duhet kërkuar status i njëjtë për serbët në Kosovë ashtu si për shqiptarët në Serbi. A ka diçka më konkrete se deklaratat në këtë drejtim?

VETON SURROI
Bëhet fjalë për një proces të konkurrencës pozitive do të thoja për të drejtat e komuniteteve pakicë. Kosova nëpërmjet qëndrimit të saj në Vjenë është dëshmuar pro të drejtave sa më të mëdha për qytetarët që janë në pakicë.
Ne edhe jemi duke përfunduar një dokument se si duhet të trajtoheshin pakicat në sistemin e ardhshëm politiko-juridik të Kosovës. Më duket e palogjikshme që Beogradi të angazhohet për të drejta shumë të mëdha për serbët e Kosovës, ndërsa vetë nuk ndërmerr hapa që t'i njihen këto të drejta shqiptarëve në Serbi, të cilët kanë pranuar të jenë minoritet në këtë shtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Nga përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare është folur shpesh për kompromisin që duhet të bëjnë palët, pra Prishtina dhe Beogradi. Në takimet që keni zhvilluar me ndërkombëtarët çfarë kompromisesh janë kërkuar prej jush dhe sa presion bëhet mbi ju si ekip negociator për të pranuar zgjidhje të caktuara?

VETON SURROI
Mendoj se fjala kompromis duhet vendosur në një kontekst më të avancuar. Bëhet fjalë për kompromisin që duhet të arrijë popullata shumicë në Kosovë me popullatën pakicë. Dhe kjo është pjesë e kompromisit të brendshëm se si duhet të funksionojë në një marrëveshje të re Kosova e pavarur dhe demokratike.
Dhe kompromisi tjetër që është kompromisi mes Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për atë që do të jetë prania e ardhshme civile dhe ushtarake në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, sipas jush cili do jetë epilogu i negociatave dhe kur do jetë ai?

VETON SURROI
Të gjitha rrjedhat duhet të çojnë drejt pavarësisë së Kosovës. Çështja për mua nuk është a do jetë Kosova e pavarur apo jo, por çështja është a do jetë Kosova e pavarur, funksionale dhe demokratike. Ky duhet të jetë thelbi i procesit negociator. Pavarësia e Kosovës me jofunksionalitet të brendshëm nuk do të ishte një fitore e madhe. Ka ende detaje që do të vendosen, siç është përfaqësimi i plotë i Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Këto janë çështje që janë ende në dyshim dhe për të cilat ende duhet punuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra sipas jush ka ende rreziqe. A mund të na i specifikoni konkretisht ato?

VETON SURROI
Çështja e parë ka të bëjë me rregullim e marrëdhënieve të brendshme. A ka mundësi që marrëdhëniet e brendshme të rregullohen në atë mënyrë që Kosova të funksionojë dhe jo të bëhen arranzhime që do bllokojnë funksionalitetin e Kosovës. Kjo ka të bëjë në rradhë të parë me formën e rregullimit të decentralizimit, ku siç e dini ka ekzistuar një rrezik në dy raundet e bisedimeve, pasi në një formë të mbuluar është paraqitur koncepti i autonomisë territoriale, atë që ne e quajmë rrafshi i tretë i pushtetit dhe që nuk do duhej të ishte aty.
Rreziku i dytë ka të bëjë me kredibilitetin që e krijon Kosova e ardhshme karshi bashkësisë ndërkombëtare në funksion të përfaqësimit të plotë si shtet sovran. Kjo do të thotë a do të krijojmë kredibilitet të mjaftueshëm në Kosovë në mënyrë që ta kemi ulësen tonë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këto janë çështje që janë ende me pikëpyetje dhe si të tilla duhen trajtuar.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG