Ndërlidhjet

VAZHDOJNË MOSPAJTIMET RRETH ORGANIZIMIT TË "MITINGUT TË POEZISË"


Bekim Bislimi, Prishtinë

Polemikat përmes mediave, të cilat këto ditë janë shfaqur ndërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve jorezidente, për shkak të organizimit të manifestimit tradicional letrar “Mitingu i poezisë”, të cilin këtë vit do ta organizojë klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” nga Gjakova dhe jo Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, do të përfundojnë në gjyq për shkak të shkeljes së autorësisë, kanë paralajmëruar përfaqësuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Demir Reshiti, sekretar i kësaj lidhjeje thotë se 42 edicionet e tjera të “Mitingut të poezisë” janë organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, e cila sipas tij, është autore e këtij manifestimi tradicional.
“Për dallim nga herët e tjera, kësaj radhe Ministria e Kulturës ka ndarë mjete për një projekt që e ka paraqitur klubi letrar “Gjon Nikollë Kazazi” i Gjakovës, e jo për projektin që e ka paraqitur në ministri Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, e cila është autore e këtij mitingu e që është organizim i 9-të i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sportit, dhe Çështjeve jorezidente, Veli Bytyqi, thotë se për organizimin e këtij manifestimi kanë aplikuar, si tha ai, dy nivele krijuesish:
“Për të mos krijuar monopol, pavarësisht se dikush është thirrur në atë që është tradicionale, kësaj radhe, arsyeja ose i vetmi motiv, pse ne kemi vendosur t’ia lëmë klubit “Gjon Nikollë Kazazi” organizimin, është sepse ky projekt ishte dy herë më i lirë se sa ai që ka ofruar Lidhja e Shkrimtarëve”. Zoti Bytyqi shtoi se mitingu do të mbahet nën organizimin e Klubit letrar "Gjon Nikollë Kazazi", më 13 maj. Ndërkaq, sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, zoti Reshiti, ka paralajmëruar mundësinë e organizmit të këtij manifestimi edhe nga kjo lidhje.
“Pavarësisht se nuk janë ndarë këto mjete, që ta ruajmë traditën e këtij mitingu, nuk përjashtohet mundësia që mitingun ta organizojmë qoftë edhe pa mjete, në baza tërësisht vullnetare, në Gjakovë apo në Prishtinë. Ka zëra që mund të organizohet edhe një lloj miting proteste”.
Ndërkaq, zoti Bytyqi thekson:
“Naturisht, nuk mendoj që për hir të një tradite 40 vjeçare apo edhe më tepër, që do të duhej të krijohej ky klishe tradicional, sepse nuk kemi shumë të drejtë edhe ndoshta nuk aq mundësi të mburremi shumë në disa prej traditave të kaluara”.
Ndryshe, sipas zotit Reshiti, vendimi i Ministrisë së Kulturës që organizimin e Mitingut të Poezisë t'ia ndajë një klubi letrar e jo organizuesit tradicional të deritashëm të 42 edicioneve, hap rrugën e dyshimit se ai vendim mund të ketë prapavijë politike.
“Kjo të çon për të dyshuar se ka prapavi politike, sepse dëgjohen shumë shpesh kohëve të fundit shprehjet se dikujt i pengon edhe të qenit e Adem Demaçit, kryetar i Lidhjes. Por, shkrimtarë ka nga të gjitha përkatësitë politike dhe absolutisht kjo nuk do të duhej t'i pengonte strukturat e politikës që aktualisht qeverisin”.
Ndërkaq, zoti Bytyqi mohon që vendimi i Ministrisë së Kulturës të ketë patur prapavijë politike.
“Nuk e besoj që këtu ka arsye politike. Mbase dikujt i duhet për konsum ditor politik që të merret tani me këtë punë. Unë konsideroj që shkrimtarë dhe krijues janë edhe këta të tjerët, që tashmë do ta organizojnë kësaj radhe mitingun. Prandaj unë konsideroj që në këtë rast nuk ka pse flitet për motive politike, sepse pavarësisht se kush qëndron në krye të një asociacioni, një lidhjeje çfarëdo qoftë ajo, ne të gjithë jemi ngapak politik”.
Sidoqoftë, sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, zoti Reshiti thekson se këtë çështje, kryesia e këtij asociacioni të shkrimtarëve , do ta ngrejë në procedurë gjyqësore.
“Sepse, realisht, këtu bëhet një shkelje e autorësisë edhe shumë shpejtë Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve do të iniciojë padi penale ndaj Ministrisë së Kulturës, e cila nuk e mbështet mitingun dhe në një formë ja kalon autorësinë një subjekti tjetër”.


XS
SM
MD
LG