Ndërlidhjet

ÇEKU: RAPORTI I AUDITIMIT PËR MINISTRIN PETKOVIQ- SHUMË I DISFAVORSHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Vendimi lidhur me ministrin Slavisha Petkoviq mund të merret më 1 maj të këtij viti, pasi raporti i auditorit ka vlerësuar shumë parregullsi në punën dhe menaxhimin e Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, tha sot kryeministri i Kosovës Agim Çeku, pas një takimi me shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen. Kryeministri Çeku tha se edhe ai edhe ministri Petkoviq e kishin marrë raportin e auditorit për Ministrinë për Kthim dhe Komunitete:
"Raporti është shumë i disfavorshëm për ministrin dhe flet për shumë parregullsi. Raporti kërkon që deri në fund të këtij muaji, ministri Petkoviq duhet t’i shpjegojë ato parregullsi dhe me siguri që përgjegjësia politike është e tij si ministër", tha kryeministri, sipas të cilit ai dhe zyra ligjore do të merret tash me zotin Petkoviq, ndërkohë që vendimi lidhur me shkarkimin apo mbetjen e tij nuk pritet shumë shpejt:
"Vendimi do të merret shumë shpejt, por sipas gjasave vendimi do të merret me një maj".
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, i ka vlerësuar kontrollet aktuale të auditorit të rëndësishme për të dëshmuar demokracinë funksionale në Kosovë:
"Është një pjesë e rëndësishme që dëshmon se Kosova ka institucione demokratike që funksionojnë mirë," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, duke mos komentuar se cili ishte qëndrimi i tij konkret lidhur me rastin Petkoviq, ministria e të cilit vlerësohet të ketë bërë shpenzime të pambuluara dhe menaxhim të keq të mjeteve financiare.
Në anën tjetër kryeministri Çeku tha se qeveria nuk ka ndërmarrë ndonjë masë parandaluese në rast se ministri Slavisha Petkoviqi do të përpiqej të largohej nga Kosova për t’iu shmangur përballjes me gjyqin eventual:
"Nuk kemi marrë masa parandaluese. Ne po bisedojmë me të, zyra ligjore po bisedon me të dhe po jep përgjigjet e duhura dhe tash për tash po bashkëpunon", tha kryeministri Agim Çeku duke vlerësuar se asnjë zyrtar që vlerësohet negativisht nga auditori, nuk do të kursehet nga qeveria dhe drejtësia.

XS
SM
MD
LG