Ndërlidhjet

FRANK UISNER U TAKUA ME ZYRTARËT E LARTË TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës duhet të përmbyllet gjatë këtij viti, ka thënë sot në Prishtinë, i dërguari amerikan në bisedimet për statusin e Kosovës, ambasadori Frank Uisner. Këto komente, Uisner i ka bërë pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin dhe presidentin e Kosovës, si dhe ekipin negociues për statusin. Uisner tha se Uashingtoni i mbështet angazhimet e ish presidentit Marti Ahtisari në kuadër të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Jam në këtë turne diplomatik në rajon në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për statusin e Kosovës, duke kërkuar dhe mendimet e Prishtinës, por edhe të Beogradit, tha ai:
“Vlerësimi amerikan është se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet dhe atë gjatë këtij viti. Zgjidhje kjo që do të lërë rajonin në një prosperitet dhe stabilitet dhe të mundësojë që rajoni të integrohet në familjen evropiane”, ka thënë ambasadori Uisner.
Ai tha se Uashingtoni është i kënaqur me paraqitjen e deritashme të palës kosovare në bisedimet në Vjenë, duke shtuar gjithashtu se qeveria amerikane i çmon angazhimet e Prishtinës në drejtim të krijimit të një shoqërie demokratike:
“Autoritetet tuaja kanë filluar të ndërmarrin hapa të rëndësishëm në ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve duke garantuar që të gjithë qytetarët ta konsiderojnë Kosovën si shtëpinë e tyre”, tha ambasadori Uisner në prani të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës tha se e çmonte lart angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë amerikane në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ai tha se bashkë me ekipin e unitetit e kanë njoftuar ambasadorin amerikan me qëndrimet e palës kosovare dhe pozicionin e saj në bisedimet e filluara:
“Natyrisht ne biseduam për të gjitha aspektet e mundshme që kjo punë të jetë rezultative duke pasur parasysh pikërisht edhe qasjen themelore që kemi si një ekip serioz. Në këtë drejtim natyrisht që të gjitha temat që do shtrohen edhe në fazën e ardhshme, do të jenë me këtë përkushtim. Shfrytëzoj rastin të falënderoj edhe njëherë ambasadorin Uisner dhe shtetin amerikan për ndihmat që i kanë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit dhe në këto procese, e po ashtu edhe ekipin e plotë të Ahtisarit që kontribuon në këtë drejtim”, tha Sejdiu.
Ambasadori amerikan do të qëndroj dhe nesër në Kosovë. Ai do ta vizitojë disa vendbanim si dhe manastirin e Deçanit, ndërsa më pas do të udhëtojë për në Beograd.



XS
SM
MD
LG