Ndërlidhjet

BLAKU: LËVIZJET E QËLLIMSHME TË POPULLSISË JANË SHMANGIE NGA KUPTIMI I DECENTRALIZIMIT


Lëvizja e lirë e njerëzve dhe vendimi i tyre për ta zgjedhur vendin ku duan të jetojnë është një e drejtë themelore njerëzore, por lëvizjet e popullsisë me qëllim të krijimit të një shumice të caktuar janë përpjekje për ndryshim mekanik dhe politik të pasqyrës etnike të një lokaliteti të caktuar, thonë ekspertë të demografisë dhe të decentralizimit. Këto deklarata janë bërë duke komentuar mundësinë e lëvizjeve të popullsisë nëpër enklava serbe të Kosovës, me qëllim të arritjes së përqindjes së nevojshme të serbëve për të formuar komuna të reja në vendbanime të ndryshme në Kosovë. Albert Rohan zëvendës i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisaari, gjatë qëndrimit të tij të fundit në Prishtinë tha se zyra e tij e mbështeste kërkesën serbe që komunat e reja të kenë përqindje të qartë etnike prej 70 deri 80 për qind. I pyetur atëbotë për mundësinë e lëvizjeve të qëllimshme të popullsisë për të arritur përqindjet e caktuara, Rohan pati thënë se aty nuk kishte asgjë të keqe dhe se secili kishte të drejtë të zgjidhte se ku dëshiron të jetojë.
Eksperti i demografisë, Rifat Blaku thotë se zoti Rohan ka të drejtë, por lëvizjet e qëllimshme të popullsisë janë shmangie nga kuptimi esencial i decentralizimit që është afrimi i pushtetit te qytetari dhe jo anasjelltas:
"Transferi i skicuar kësisoj me mundësinë e krijimit të 70 apo 80 për qind faktikisht do të thotë ndryshim i pamjes etnike në mënyrë mekanike e politike."
Ndërkaq, eksperti i çështjeve të decentralizimit dhe pushtetit lokal në institutin Riinvest, Arben Gashi tha:
"Lëvizja e lirë e njerëzve është një nga të drejtat themelore njerëzore, mirëpo kur kemi parasysh tendencën që njerëzit të lëvizin nga territore të caktuara për të krijuar shumica artificiale në territore të tjera, atëherë këtu fillojnë problemet kryesore dhe kjo është një pikë që sjell konflikte dhe rrit tensionet ndëretnike në zona te caktuara."
Sipas Arben Gashit, lëvizjet e tilla në Kosovë janë të papranueshme, pasi nuk mund të krijohen zona të pastra etnike në një territor të caktuar të Kosovës
Ndërkaq, zoti Rifat Blaku thotë se vetë parimi për shumicën etnike prej 70 për qind shtyn kah lëvizjet e skicuara politikisht të popullsisë:
"Këto zhvendosje politike, këto transfere të popullsisë do të ndikojnë në ndryshimin hapësinor gjeografik të pasqyrës etnike të Kosovës, që kujtoj se nuk është mënyra më e mirë", tha zoti Blaku sipas të cilit kjo do të thotë se decentralizimi tani po del si përpjekje për të stimuluar inkurajimin e serbëve për t’u kthyer.
Zoti Arben Gashi thotë se tashmë ka pasur lëvizje të tilla, me koncentrimin e serbëve në pjesën veriore dhe zhvendosjen e shqiptarëve në jug.
Në këtë kuadër, Rangjel Nojkiq një nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës tha se në Mitrovicë për shembull duhet të njihet realiteti i krijuar i ndarjes, gjë që për shqiptarët ishte i papranueshëm. Për Arben Gashin këtu ka kontradiktë në vetë deklaratat e ndërkombëtarëve:
"Këtu kemi një mospërputhje deklaratash nga komuniteti ndërkombëtar, sepse në njërën anë thonë se duhen kthyer në vendet ku kanë jetuar më parë, ndërsa në anën tjetër kemi tendenca që të krijohen territore me bazë monoetnike", tha zoti Arben Gashi, sipas të cilit kjo krijon situata të tendosura dhe konfliktsjellëse.
Eksperti i demografisë, Rifat Blaku thotë se sipas statistikave të para vitit 1999 kur ndodhi zhvendosja e serbëve, nuk ka pasur ndonjë zonë në Kosovë që do të plotësonte kushtet aktuale për të qenë komunë:
"Edhe pamja e mëhershme, 1448 lokalitetet e Kosovës në ato 22 komunat që ishin para ardhjes së Millosheviqit dhe rritja në 30 tregon për vështirësitë e këtyre qarkullimeve. Kjo tregon se me përjashtim tw Graçanicës apo Leposaviqit, krejt lokalitet e tjera nuk krijojnë mundësinë e krijimit të lokaliteteve homogjene me 70 qpo 80 për qind."
Sidoqoftë, përderisa zoti Rohan nuk ka komentuar se cilat do të mund të jenë komunat e reja, të cilat sipas tij do të jenë aq të mëdha sa për të qenë të qëndrueshme, takimi i 4 majit në Vjenë pritet të sqarojë, jo vetëm se cilat do të jenë komunat e reja, por edhe kufijtë e tyre.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG