Ndërlidhjet

KELMENDI: PALA SERBE NUK PO TREGOHET E SINQERTË NË BISEDIMET


NEKIBE KELMENDI, DEPUTETE E LDK

EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, si i shihni ju bisedimet mbi decentralizimin, posaçërisht tash kur gjithnjë e më shumë po përmendet mundësia e imponimit të një marrëveshjeje nga komuniteti ndërkombëtar?

NEKIBE KELMENDI
Bisedimet rreth decentralizimit janë tepër të vështira, janë tepër sensitive dhe mund të sjellin edhe ndryshime shumë të mëdha sa i përket organizimit territorial brenda për brenda Kosovës. Mirëpo, decentralizmin unë e shoh si diçka më të avancuar sikur të mos i tejkalonte kornizat e Kartës Evropiane për Autonominë Lokale. Por, neve do të na imponohet një gjë e tillë, që të tejkalojmë atë kornizë që d.m.th. se nga ne megjithatë kërkohet, që të mos e respektojmë atë kornizë, por të ndërtojmë diçka të veçantë për decentralizimin.
Kjo nuk do të ishte edhe një çështje që do t’i prekte interesat e gjithë qytetarëve të Kosovës, por shqetësimi im është se kur po bisedohet për decentralizimin, pala serbe nuk po tregohet e sinqertë gjatë bisedimeve dhe gjithmonë në prapavijë e ka atë synimin e vet për të marrë territore. Por, kjo çështja e marrjes së territoreve apo e copëtimit të Kosovës është çështje, që nuk mund të vihet më në tavolinën e bisedimeve sepse janë dhënë garanci të forta nga Grupi i Kontaktit se nuk do të ketë ndryshim të kufijve apo copëtim të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Tashmë po diskutohet rreth një strategjie për Mitrovicën, ndërkohë që është hedhur ideja për krijimin e një komune në veri të Mitrovicës. Si e shihni ju zgjidhjen e problemeve në këtë qytet?

NEKIBE KELMENDI
Të them të vërtetën qyteti i Mitrovicës është lënë një kohë të gjatë, është zvarritur pa u zgjidhur problemi, dhe ai problem tashmë ka arritur në pikën kulminante që është shumë vështirë të gjendet një zgjidhje e pranueshme për palën shqiptare, sepse qëllimi i palës serbe dihet. Ata kanë synim që të krijojnë një komunë të veçantë në veriun e Mitrovicës apo që do të quhej Mitrovica veriore dhe Mitrovica jugore. Mirëpo, nëse kjo ndodh, ky do jetë një vendim politik i cili me siguri do t’i shqetësojë jashtzakonisht qytetarët e Mitrovicës, sidomos shqiptarët e Mitrovicës, sepse nuk kanë pritur që të ketë një epilog të tillë, pra një ndarje të Mitrovicës.
Megjithatë, nuk e di tani për tani se si është strategjia e rregullimit territorial dhe organizimit territorial e administrativ të Mitrovicës, por megjithatë me rëndësi është se edhe nëse do të ketë ndonjë organizim brenda të cilit do të ndodhë ajo që nuk do të dëshiroja të ndodhë, pra që të krijohen dy komuna, ajo komunë megjithatë sërish mbetet në territorin e Kosovës dhe nuk ka ndarje të një pjese, që është synuar dhe ende po synohet për t’u shkëputur nga Kosova.

EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit u ka kërkuar herën e fundit kosovarëve që gjatë negociatave të jenë zemërgjerë dhe fleksibil, me theks të veçantë në raport me pakicën serbe. Si e shihni ju pozitën e pakicës serbe tani, por edhe pas përcaktimit të statusit përfundimtar?

NEKIBE KELMENDI
T’ju them të vërtetën, ne jemi treguar shumë zemërgjerë ndaj serbëve. Nëse kthehemi mbrapa se çfarë ka ndodhur brenda këtyre 10 vjetëve nën okupim, hiq asaj pjese tjetër të historisë më të re të popullit shqiptar, ne jemi treguar shumë zemërgjerë. Nuk di çka mund të kërkohet më shumë nga ne. I kemi favorizuar në parlament, kemi bërë diskriminim pozitiv, kemi treguar fleksibilitet në kërkesat e tyre, kemi pranuar që gjuha zyrtare e tyre, ndonëse me strukturat popullative, pakica kombëtare serbe në Kosovë është e vogël dhe nuk mund të plotësojë kushte për të qenë gjuha e tyre zyrtare, kemi pranuar që edhe gjuha e tyre të jetë zyrtare. Kemi pranuar që të krijojnë edhe pilot komunat që shumicën e kanë të strukturës popullative serbe. Por, ajo që unë do të thosha, statusi i tashëm, apo pozita e tashme e serbëve nuk varet krejt nga ne, apo nga fleksibiliteti ynë. E tëra varet nga Beogradi. Dhe mund ta merrni me mend kohëve të fundit, jemi dëshmitarë të gjithë, se ç’po ndodh, çfarë instrumentalizimi po bëhet me ta. Janë bërë instrument, me të cilët po luan Beogradi zyrtar si të dojë.

EVROPA E LIRË
Komuniteti ndërkombëtar synon të gjejë një zgjidhje për statusin brenda këtij viti. Çfarë do të mund ta rrezikonte këtë synim?

NEKIBE KELMENDI
Së pari unë e kam mirëpritur shumë gatishmërinë e komunitetit ndërkombëtar, që çështja e statusit final të Kosovës të zgjidhet brenda këtij viti. Mirëpo e kam frikën se lojërat politike të Beogradit do të përpiqen dhe Beogradi zyrtar do të synojë që ta bllokojë këtë zgjidhje brenda këtij viti. Unë veç tash kam filluar ta vërej se nëpër shtëpitë serbe kanë filluar të vihen mbishkrimet “Shtëpia në shitje”. Nëse ju kujtohet në vitet e 90-ta ndonëse e kanë pasur pushtetin në dorë ata kanë manipuluar me trysninë e shqiptarëve mbi serbët për shitjen e shtëpive, kurse ne atëbotë nuk kemi guxuar as të tregojmë se jemi shqiptarë, ndonëse kemi organizuar një jetë paralele edhe në atë kohë aq të rrezikshme. Rreziku nga bllokimi i zgjidhjes së procesit të statusit final të Kosovës gjatë këtij viti, do të jetë trysnia mbi serbët e Kosovës, që kolektivisht t’i vendosin këto mbishkrime shtëpia në shitje dhe që kolektivisht të shpërngulen dhe do të thonë ‘ja trysnia për spastrim etnik të Kosovës. Kësaj i frikësohem shumë.

EVROPA E LIRË
Kush mund ta evitojë këtë, çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës për të evituar këtë rrezik?

NEKIBE KELMENDI
S’mundesh ta ndalësh askënd që të jetojë dhunshëm, s’mund ta ndalësh askënd të jetojë. Çdokush duhet ta ketë të drejtën se ku do të jetojë dhe nëse e ndërmarrin një hap të tillë çfarë e thashë unë, atëherë dihet se është hap që i është imponuar ta marrin nga regjimi i Beogradit.
Intervistoi, Albana ISUFI

XS
SM
MD
LG