Ndërlidhjet

KOMEDIANI AMERIKAN JON STEWART SHPJEGON ARTIN E SATIRËS POLITIKE


Bruce Jackobs

Dhjetra milionë njerëz në mbarë botën e ndoqën ndarjen e çmimeve Oskar.
Njërin çmim e fitoi komediani Jon Stewart, pak i njohur jashtë Amerikës, por për amerikanët, figurë shumë e njohur nga emisioni i tij televiziv.
"Daily Show", zakonisht fillon me lajmet e ditës, që pastaj u nënshtrohen satirës. Asgjë nuk është imune nga kritika: as politika, as feja, dhe as mediat.
"Nga Qendra Botërore e Komedisë në Nju Jork, po ndiqni Daily Show me Jon Stewart". Kështu fillon emisioni, i cili veten e quan më i besueshmi për nga lajmet e pavërteta. Por shumica e lajmeve dhe informatave që përdoren për t'u përqeshur janë të vërteta.
Stewart zakonisht e fillon programin duke lexuar pjesë të zgjedhura nga lajmet kryesore të ditës, me të cilat pastaj bën shaka dhe fillon t'i përqeshë.
Presidenti amerikan është ndër më të preferuarit, por shaka në "Daily Show" bëhen edhe me demokratët, përfaqësuesit e mediave, organizatat fetare, me racizmin, Irakun, madje edhe me terrorizmin.
Stewart shpjegon se humori është puna më e rëndësishme për të dhe shkrimtarët e tjerë. Anekdotat e tyre me plot thumba bëjnë që dhe njerëzit e fuqishëm dhe të rëndësishëm të duken qesharakë. Stewart thotë se po të mos ishin temat politike, suksesi i emisionit nuk do të ishte edhe aq i madh.
"Është një shou i mirë. Është sikur të shohësh lajme me njerëzit që dijnë të shkruajnë humor", thotë Stewart.
Një anketë muajin e kaluar tregoi se të rinjtë gjithnjë e më shumë e ndjekin emisionin për të parë lajmet më të reja. Studimi tregoi se 21% e shikuesve përmes emisionit "Daily Show" janë informuar për fushatën presidenciale 2004.
Stewart zakonisht e përmbyll emisionin me një intervistë. Mysafirë janë yje nga Holivudi, autorë të respektuar, intelektualë dhe gazetarë. Përkundër turpërimit të mundshëm, në "Daily Show" vijnë edhe shumica e politikanëve Republikanë dhe Demokratë. Mysafir i rregullt është senatori John McCain, i cili do të garojë për president në 2008-ën. Edhe kandidati presidencial demokrat John Kerry u paraqit në shou.
Rreth 1.5 milionë njerëz, shumica të rinj, e ndjekin programin që shfaqet 4 herë në javë. Stewart thotë se politikanët që vijnë në emision për t'u përballur me pyetjet e vështira, janë si ata shitësit që kërkojnë konsumatorë të rinj.
"Nuk mund ta kaloni 60% të jetës duke u përpjekur të mblidhni para në fushata po patët frikë se do t'ju përqeshin. Këta njerëz janë të papërmbajtshëm në aftësinë e tyre për t'u përkulur, dhe unë këtë e shfrytëzoj", thotë Stewart.
Emisioni shpesh herë bën që disa nga njerëzit më të fuqishëm të botës të duken naivë, hipokritë apo të bëhen objekt i talljes. Por Stewart thotë se nuk ka frikë se dikush do të mund t'i hakmerrej.
"Pra, me çfarë rreziku mund të përballem? Ndoshta do ta humbja vendin e punës në Qendrën Botërore të Komedisë apo në kanalin kabllovik dhe do të duhej të mbijetoja me shfaqje teatrale. Unë thjesht jetoj jo nga komedia, por nga etja dhe dëshira e popullatës për të parë më thellë në institucionet, në lajmet dhe në brendinë e pushtetit", përfundon komediani Jon Stewart.


XS
SM
MD
LG