Ndërlidhjet

SERBËT SKEPTIKË PËR MBËSHTETJEN E BEOGRADIT LIDHUR ME PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Serbët e Kosovës ende janë të ndarë në qëndrimin nëse duhet të presin pajtueshmërinë e Beogradit për të hyrë në institucionet e Ksoovës, apo një vendim të tillë duhet ta marrin të pavarur. Goran Bogdanoviq, anëtar i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë dhe anëtar i delegacionit të Serbisë në bisedat për statusin e Kosovës, nuk beson se do ta kenë mbështetjen e qeverisë së Beogradit për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës:
"Është iluzore për mua të pres që kushdo nga qeveria e Serbisë të mbështesë hyrjen tonë në institucione," tha Bogdanoviq, sipas të cilit bëhet fjalë për të njëjtën qeveri, e cila kishte kundërshtuar rreptë pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2004.
Mirëpo, kryesuesi i këtij subjekti politik Oliver Ivanoviq mendon se në qëndrimet e Beogradit zyrtar ka filluar të ndryshojë diçka lidhur me mundësinë e rikthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Për zotin Ivanoviq tregues për këtë është deklarata e fundit e udhëheqëses së qendrës koordinuese të Serbisë për Kosovën, Sanda Rashkoviq Iviq:
"Ajo e ka paralajmëruar mundësinë që serbët të marrin pjesë në institucione, por me disa kushte shtesë, që do të thotë se nuk bëhet fjalë më për ndonjë qëndrim aq të fortë kundër," tha Oliver Ivanoviq. Për të koncepti themelor i Listës serbe mbetet vendimi i pavarur për të hyrë në institucionet e Kosovës:
"Nuk do të presim mbështetjen zyrtare të Beogradit, përkundrazi jemi të bindur gjithnjë e më shumë në qëndrimin tonë se është vështirë për Beogradin që ta ndryshojë publikisht politikën e proklamuar të bojkotit," tha Ivanoviq, sipas të cilit më me rëndësi është arritja e unitetit në mesin e Listës serbe, gjë që sipas tij do të arrihet shumë shpejt.
Mirëpo, Goran Bogdanoviq tha se mbështetja e Beogradit është e domosdoshme:
"Listës serbe sigurisht se i është tepër e rëndësishme përkrahja e Beogradit, pasi shumë pak serbë patën marrë pjesë në zgjedhjet e 2004-ës, prandaj kjo mbështetje do ta kompensonte në njëfarë mase mungesën e kredibilitetit të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës," tha Bogdanoviq. Ai tha ndërkohë se një mbështetje e tillë ekziston nga kryetari i Serbisë, Boris Tadiq, i cili edhe pati ftuar rreth dy vjet më parë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Oliver Ivanoviq tha se ndërkohë po bëhen përpjekje që brenda vetë Listës të arrihet një unitet sa i përket pjesëmarrjes në institucione. Ai tha sidoqoftë se kundërshtime nuk ka pasur as në dy muajt e fundit, por qëndrimet e ndryshme janë në kuptimin nëse duhet të hyhet në institucione pa pritur kurrfarë përkrahje nga Beogradi apo të presim ndonjë mbështetje nga atje, tha Ivanoviq:
"Vetëm një nga njerëzit tanë është i gatshëm të presë edhe më dhe paralajmëron hyrjen vetëm pasi të merret pajtueshmëria e plotë nga Beogradi," tha Ivanoviq. Ai i vetmi është Goran Bogdanoviq, i cili është i bindur se pjesëmarrja në institucione është mënyra e vetme për të zgjidhur disa nga problemet që aktualisht kanë serbët:
"Kam frikë se nuk ka mjaft vullnet të bashkësisë ndërkombëtare, por as të shqiptarëve që pjesëmarrja jonë në institucione të pranohet në mënyrën duhur," tha Bogdanoviq, duke shfaqur frikën se një pjesëmarrje eventuale e serbëve në institucionet e Kosovës në kohën kur po zhvillohen diskutime për statusin e Kosovës, do të ishte asgjë më shumë se një dekor i institucioneve kosovare dhe jo pjesëmarrje funksionale.
Aktualisht në institucionet e Kosovës merr pjesë vetëm një subjekt politik, Parti Demokratike Serbe e Kosovës e Metohisë e zotit Slavisha Petkoviq, i cili është edhe Ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, ndërkohë që Lista Serbe për Kosovën e Metohinë ka bojkotuar punën e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që nga marsi i vitit 2004, kur ky subjekt politik vepronte nën emrin “Kthimi”. Sipas kornizës kushtetuese, për këtë subjekt politik të serbëve të Kosovës janë të rezervuara 8 mandate deputetësh, një post ministri, dy poste zëvendësministrash dhe një numër këshilltarësh.
XS
SM
MD
LG