Ndërlidhjet

SFIDAT E TRASHËGIMISË KULTURORE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ndarja e trashëgimisë kulturore nga politika është ndër synimet kryesore të grupit politik të Kosovës që është marrë me çështjen e trashëgimisë kulturore, ndërkohë që udhëheqësit fetarë në ditën ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, kanë bërë thirrje për vetëdijësim lidhur me rëndësinë e trajtimit të monumenteve të kulturës si pasuri e përbashkët e të gjithëve në Kosovë. Anëtari i grupit politik për statusin e Kosovës, Ylber Hysa, i cili ka hartuar projektin për trashëgiminë kulturore që pritet të diskutohet më 4 maj në Vjenë, tha se gjendja e trashëgiminë kulturore nuk është aq e mirë:
"Ajo që u ka ndodhur monumenteve të kulturës gjatë luftës ka qenë një prelud i një tragjedie, për çka zoti Milosheviq është akuzuar në Hagë. Është për një lloj kulturocidi dhe fatkeqësisht edhe më vonë ka pasur dëmtime të ndryshme sa i përket trashëgimisë kulturore dhe kjo bie ndesh me një traditë të lashtë në Kosovë, sipas të cilës besimet dhe objektet e kultit gjithnjë kanë qenë të respektuara në mënyrë të ndërsjellë".
Qindra objekteve fetare dhe të kultit të dëmtuara gjatë dhe pas luftës, si për shembull Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit e fshirë nga faqja e dheut dhe e rindërtuar më pas pa kriteret e domosdoshme, si dhe eksponate të vjetra të kulturës së Dardanisë së lashtë që vazhdojnë të mbahen peng në Beograd, janë disa nga problemet që përmendin zyrtarët. Veli Bytyçi, drejtor për marrëdhënie me opinion i Ministrisë së Kulturës thotë se gjendja e përgjithshme e trashëgimisë kulturore në Kosovë fatkeqësisht nuk është e mirë për shumë arsye:
"Ka qenë një periudhë shumë e gjatë kur ish-pushteti i dikurshëm nuk ka ushtruar kujdes të mjaftueshëm karshi gjithë këtyre vlerave, por natyrisht edhe lufta e cila në vitet 1998 dhe 1999 ka shkatërruar apo përpirë shumëçka nga ato që quhen vlerat e trashëgimisë kulturore në Kosovë".
Zoti Bytyçi tha se nga buxheti i Kosovës tashmë është investuar për të rimëkëmbur këto vlera:
"Në këtë kuadër është paraparë që me këto mjete të sanohen, restaurohen dhe rindërtohen disa objekte të kultit, këtu kam parasysh 33 objekte kishtare të besimit ortodoks, kisha këto të dëmtuara gjatë luftës dhe në trazirat e marsit të vitit 2004 e natyrisht në këtë kuadër kujdesi është përqendruar edhe tek objektet e tjera fetare të besimit islam".
Në ditën ndërkombëtare të trashëgimisë kulturore, kleriku ortodoks serb Sava Janjiq bëri thirri për rëndësinë e vetëdijësimit të opinionit për rëndësinë e vlerave të trashëgimisë kulturore përgjithësisht në Kosovë, e posaçërisht për thesarin kulturor ortodoks serb që aktualisht është më i rrezikuari, sipas klerikut Janjiq:
"Duhet të mundësohet mbrojtja, ekzistimi dhe mbrojtja e identitetit të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë," tha Sava Janjiq, sipas të cilit kjo është pjesë e shoqërisë kosovare prandaj është e rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Sa i përket rindërtimit të kishave të dëmtuara, Janjiq tha se punët po shkojnë paksa ngadalë:
"Natyrisht se është me rëndësi që procesi ka nisur dhe shpresojmë se punët do të intensifikohen gjatë këtij viti, me rindërtimin e kishave më të mëdha në Prizren dhe Prishtinë," tha Sava Janjiq, duke shfaqur shpresën që shkatërrimi i objekteve fetare dhe të kultit t’i kalojë përfundimisht të kaluarës dhe do të shkohet kah e ardhmja kur këto monumente të kulturës të respektohen si pasuri e përgjithshme civilizuese.
Ndërkohë që trashëgimia kulturore dhe trajtimi i saj në Kosovën e passtatusit do të diskutohet së shpejti në Vjenë, anëtari i grupit politik strategjik, Ylber Hysa ka shpjeguar qasjen ndaj kësaj çështjeje:
"Ajo që ne synojmë të bëjmë me trashëgiminë kulturore, është ta ndajmë nga politika dhe ta prezantojmë si begati të të gjithëve, duke mos i mohuar askujt qasje të përbashkët apo të veçantë në identitet, duke synuar kështu që të ndërtojmë qasje sipas trendëve më të reja që dalin nga dokumentet e Këshillit të Evropës",tha zoti Hysa, ndërkohë që edhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës thanë se problemi i Kishave Ortodokse nuk duhet të politizohet, por të trajtohet si çështje e një pasurie të përgjithshme të Kosovës, Në këtë plan, për zotin Ylber Hysa janë inkurajuese deklaratat e përfaqësuesve të Kishës serbe se nuk kërkojnë eksterritorialitet për kishat dhe objektet e tjera fetare dhe të kultit.

XS
SM
MD
LG