Ndërlidhjet

PETROVIÇ: “ZGJIDHJE KOMPROMISI PËR STATUSIN E KOSOVËS”


Slobodan Petroviç, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviç, ju sot edhe përfundimisht e keni certifikuar Partinë e Pavarur Liberale. Cili është motivi juaj?

SLOBODAN PETROVIÇ
Ne thjesht jemi njerëz që jetojmë në Kosovë, të cilët përveç të drejtës, ndjejmë edhe obligim të madh që t’i kthejmë gjërat në një kahje më të mirë kur bëhet fjalë për problemin e Kosovës. Dhe në këtë drejtim, ne kemi marrë hapin për të formuar një parti politike dhe duam që të japim një porosi të patjetërsueshme se ne jemi për një Kosovë shumëetnike, përparimtare dhe evropiane, për një Kosovë ku të gjithë qytetarët do të jetonin më mirë dhe do të kishin të drejta të barabarta. Në këtë kuadër, ne mendojmë se do të kemi sukses dhe para së gjithash presim përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar, të institucioneve të përkohshme në Kosovë dhe Beogradit. Ne vetë nuk mund të bëjmë shumë, por nga rruga që kemi marrë nuk do të shmangemi dhe unë jam optimist.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviç, cili është qëndrimi juaj për hyrjen në institucionet e Kosovës?

SLOBODAN PETROVIÇ
Ne jemi angazhuar hapur, edhe kur jemi regjistruar, se jemi për opsionin demokratik dhe rrjedhimisht pra për opsionin që ndërlidhet me institucionet e Kosovës. Kur të vijë koha e zgjedhjeve, ne do të marrim pjesë në këto zgjedhje dhe varësisht nga niveli i përkrahjes që do të fitojmë nga votuesit tanë, në atë nivel do të jetë edhe qëndrimi ynë përballë institucioneve. Për institucionet aktuale, meqë ne nuk kemi marrë pjesë në zgjedhje, do të ishte jokorrekte të komentonim këtë çështje. Ka shumë të atillë që kritikojnë ata që kanë hyrë në institucione, por ka edhe të atillë që kritikojnë ata që nuk kanë hyrë.

RADIO EVROPA E LIRË
A dallon programi juaj politik nga programet politike të partive tjera politike të serbëve të Kosovës?

SLOBODAN PETROVIÇ
Në parim, çdo program i çdo partie politike është i mirë, por në thelb, secila prej këtyre partive, pas një periudhe të caktuar kohore, ka filluar të merret me një lloj politike të lartë dhe të gjithë i kanë harruar njerëzit e rëndomtë. Programi ynë, fillimisht synon tre segmente themelore. Për ne, interesi ynë parësor është që ta ruajmë komunitetin serb në Kosovë, të përmirësojmë kushtet në të cilat jeton ky komunitet, në mënyrë që në fund të realizohet një kthim real i të zhvendosurve në lokacionet ku ka mundësi reale për një gjë të këtillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është qëndrimi i partisë suaj për statusin e Kosovës?

SLOBODAN PETROVIÇ
E dini si, ne jemi shumë të vegjël për të pasur mundësi të ndikojmë në status dhe në këtë drejtim ne nuk mund të ndihmojmë shumë, por ne thjesht mund t’i japim përkrahje të plotë negociatave që janë duke u zhvilluar në Vjenë. Ne kemi pritje të mëdha se do të gjendet një zgjidhje kompromisi dhe në këtë kuadër jemi optimistë, veçanërisht kur bëhet fjalë për Beogradin, si përgjegjësin kryesor për statusin e Kosovës. Ne pra jemi për një zgjidhje kompromisi, që nënkupton një status të ardhshëm për Kosovën, si një vend shumëetnik dhe evropian, me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në të cilin do të zbatoheshin të gjitha vlerat evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund, cilat do të jenë lidhjet tuaja me Beogradin zyrtar?

SLOBODAN PETROVIÇ
Ne duam raporte korrekte, kështu qëndron edhe në programin tonë, pra duam raporte korrekte me institucionet në Beograd. Dhe në këtë kuadër, jo vetëm me institucionet në Beograd, por edhe me ato të vendeve tjera të rajonit. Gjithashtu duam t’i japim rëndësi edhe institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse. Ne thjesht jemi të vetëdijshëm për situatën dhe mëtojmë që të merremi me një politikë reale. Reale është edhe regjistrimi ynë në OSBE, në bazë të një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, prandaj ne duam të kemi raporte korrekte, ndonëse ato nuk varen vetëm nga ne.

Intervistoi Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG