Ndërlidhjet

M. LIMANI: KORRUPSIONI NUK MUND TË LUFTOHET NGA NJERËZIT E KORRUPTUAR


Nadie Ahmeti, Prishtinë

“Tolerancë zero ndaj korrupsionit”- ky është qëndrimi i qeverisë së Kosovës përballë atyre shpërdorojnë detyrën që kanë në institucionet e Kosovës. Por, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se është vështirë të luftohet korrupsioni nga njerëz të korruptuar. Musa Limani, drejtor në Institutin Ekonomik në Prishtinë, pohon se kjo dukuri tashmë ka lëshuar rrënjë të thella në Kosovë, e veçanërisht në nivelet më të larta, qoftë vendore apo ndërkombëtare.
“Ky është një alarm jo vetëm për kryeministrin,por për të gjitha strukturat, unë do të thosha edhe për ne si popullatë. Duhet ta ngremë zërin lart e më lart dhe t’i themi jo, jo vetëm korrupsionit, por edhe krimit të organizuar, kriminalitetit ekonomik, mitos dhe punësimit në bazë të familjarizimit”, tha zoti Limani.
Zoti Limani, pohon se nëse qeveria vërtetë ka vendosur t’i shpallë luftë korrupsionit, ky institucion fillimisht duhet të fillojë nga rradhët e veta.
“Ai duhet sa më parë që t'i spastroi rradhët e qeverisë, me njerëzit të cilët më së paku punojnë, por më se shumti janë të futur në korrupsion, mito e veprimtari të tjetra që janë negative”, tha zoti Limani.
Por në qeverinë e Kosovës, thonë se në mungesë të mekanizmave efikas nuk dihet se në çfarë niveli shtrihet korrupsioni në Kosovë. Habit Hajredini, drejtor në zyrën për qeverisje të mirë në kuadër të kryeministrisë, pohon se megjithë mungesën e këtyre mekanizmave, qeveria po bën përpjekje ta parandalojë korrupsionin.
“Nuk mund të jap ndonjë analizë të tillë, sepse së pari duhet të identifikohet se në cilin nivel është korrupsioni në Kosovë dhe më pas duhet të jepen të dhënat që të merren hapa konkretë për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie”, tha zoti Hajredini.
Por zoti Limani, thotë se në luftën kundër korrupsionit, duart e kryeministrit Agim Çeku janë të lidhura:
“Dhe nuk mund të shkarkojë asnjë ministër pa pëlqimin e partisë,e cila e ka dërguar ministrin dhe për këtë arsye kryeministri do të ketë problem, sepse ministri nuk i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit, por i përgjigjet partisë do të thotë liderit të partisë së tij”, tha zoti Limani.
Një rol të madh në luftën kundër korrupsionit do të ketë Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, e cila ka filluar tashmë rrugëtimin e ndërtimit institucional me konstituimin e Këshillit të Agjencisë, tha zoti Hajredini.
“Edhe në momentin kur do të krijohet apo do të jetë funksionale Agjencioni kundër korrupsionit, prapë do të jenë kompetentë policia, gjyqësia dhe prokuroria, ato që merren dhe që janë të mandatar në bazë të ligjit që është në fuqi”, tha zoti Hajredini
Pikërisht, zvarritja e themelimit të këtij agjencioni ka lënë të kuptohet se qeveria nuk ka qenë e gatshme të luftojë korrupsionin, tha zoti Limani.
“Sepse ata që duhet të luftojnë korrupsionin janë pikërisht të kyqur në korrupsion. Prandaj duhet të merren masa të tjera jashtë këtij agjencioni, kryesisht mendoi në hetuesi, gjyqësi dhe të spastrohen gjërat”, tha zoti Limani.
Megjithatë, në të gjitha resortet e qeverisë së Kosovës tashmë ka filluar auditimi, të cilit do t’i nënshtrohet çdo anëtar i kabinetit dhe derisa nuk të provohet fajësia, në qeverinë e Kosovës thonë se secili është i pafajshëm.
XS
SM
MD
LG