Ndërlidhjet

EKSPERTËT DHE QYTETARËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH PLANIT PËR MITROVICËN


Albana Isufi, Prishtinë

Në Kosovë vazhdojnë të qarkullojnë opinione të ndryshme rreth planit për Mitrovicën, të cilit i ka dhënë dritën jeshile për t’u zbatuar ekipi negociator. Ky plan parasheh krijimin e dy njësive komunale në kuadër të qytetit të Mitrovicës.
Por, vetë mitrovicasit si dhe analistët vendës e ndërkombëtarë kërkojnë sqarime të mëtejme dhe informata më të hollësishme rreth planit në fjalë dhe mënyrës e si ai do të zbatohet në praktikë. Të gjithë këta vlerësojnë se plani nuk është i qartë sa duhet dhe se lypset një elaborim më i gjerë.
Kryetari i kuvendit komunal të Mitrovicës, Mursel Ibrahimi, planin për zgjidhjen e problemit të qytetit, që ai drejton e ka marrë vesh nga mediat. Ai nuk është informuar dhe as konsultuar nga ekipi negociator, edhe pse siç thotë, ka qenë i gatshëm për të ofruar informata të ndryshme. Ibrahimi thotë se mungojnë shumë detaje se si në fakt do të funksionojë ky plan.
”Unë nuk di ato kriteret çka, si kanë qenë, se në çka e si janë bazuar, pse dy njësi komunale, unë nuk e di tash se territori i asaj pjese matanë lumti Ibër është i gjatë, a është vetëm pjesa urbane, apo edhe ajo jourbane, ku janë etj”.
Me planin e ekipit negociator, qyteti i Mitrovicës do të ndahet në dy njësi komunale, të cilat janë paraparë, që të bashkohen më vonë. Këto njësi do të menaxhohen nga një bord ekzekutiv për tri vjet, ndërsa bordi do të udhëhiqet nga një ndërkombëtar. Më vonë do të ketë një kryetar të vetëm. Përfaqësuesi i serbëve të Kosovës Dragisha Kërstoviq, e quan përparim vendimin e ekipit negociator mbi Mitrovicën.
“Ajo periudhë trivjecare do të jetë periudhë në të cilën, në praktikë do të verifikohet funksionimi i këtij vendimi dhe pas kësaj mund të kërkohet model tjetër dhe zgjidhje më e mirë sesa kjo. Por, po ecet përpara dhe në këtë moment kjo është e rëndësishme”, thotë Kërstoviq, duke shtuar se pas 3 vjetësh situata do të jetë më e mirë dhe shumë më relaksuese sesa tani.
Në anën tjetër, eksperti mbi zhvillimin lokal Arben Gashi, për shkak të siç thotë paqartësive të planit, nuk mund të parashohë rrjedhën e mëtejme të gjërave. Ai thotë se janë dy informacione kontradiktore; njëri flet për formimin e dy komunave të reja, tjetri të dy njësive komunale.
“Këtu është një dallim shumë i madh mes komunës dhe njësisë komunale, andaj edhe duhet të definohet qartë se cili është statusi i kësaj komune apo njësie komunale”.
Gashi kërkon nga ekipi negocator saktësi më të madhe në përpilimin e planeve siç është ky i Mitrovicës.
"Të gjitha premisat janë se një situatë e tillë nuk është përllogaritur dhe grupi negociator kosovar, siç ka ndodhur deri tash shkon dhe bën veprime të pallogaritura mirë, të cilat prodhojnë pasoja shumë negative, siç ka ndodhur me planin për decentralizmin, vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë, plani A e B”.
Por, analistët ndërkombëtarë në Kosovë, vendimin e ekipit negociator e quajne hap shumë të pjekur. Aleks Anderson nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave i tha Radios Evropa e Lirë se duke marrë parasysh situatën në terren, krijimi i komunave të reja në veri ka qenë i paevitueshëm.
”Natyrisht se ka ambiguitet në planin e ekipit negociator. Ka diçka në mes të asaj, që veriu i Mitrovicës të jetë i pavarur dhe të ketë institucione të përbashkëta me jugun e Mitrovicës. Tash nëse shikohet nga pikëpamja e serbëve të Mitrovicës së veriut, debati atje po zhvillohet në dy kahe: krijimi i komunës së veriut të Mitrovicës dhe opsioni i bashkimit të veriut të Mitrovicës me Zveçanin. Kjo do të jepte më shumë hapësirë për ndarje territoriale dhe do të zbehej identiteti i Mitrovicës, duke i lënë pak mundësi që të mbijetojë si qytet dhe të favorizohet Zveçani”, thotë Anderson, duke shtuar se vendimi i ekipit negociator të Kosovës ka ardhur në një kohë të duhur.
“Nëse ekipi i unitetit ka bërë këtë ofertë për komunën në veri të Mitrovicës, mendoj se është në kohë të mirë dhe mund të ofrojë mjaft hapësirë për ndonjë kompromis me Këshillin Kombëtar Serb dhe me Beogradin. E them këtë, sepse ka shumë nervozizëm në veri të Mitrovicës për shkak të mundësisë që të dominohen nga ana demografike prej shqiptarëve dhe do të jetë shumë vështirë që të ketë institucione të përbashkëta në qytet”, thotë Anderson.
Ndërkohë, Arben Gashi tërheq vërejtjen se me planin e ekipit negociator mund të krijohet një nivel i mesëm i qeverisjes në Kosovë.
“Në rast se janë dy komuna dhe grupi negociator ka vendosur që të krijojë diçka mbikomunale, atëherë kemi një ndryshim radikal në sistemin e niveleve të qeverisjes në Kosovë, sepse kemi futjen për herë të parë të sistemit të Kosovës të nivelit të mesëm të qeverisjes, një organizim mbikomunal, i cili do të koordinojë këto dy komuna. Dhe kjo do të duhej të definohej më mirë dhe do të duhej të ndryshojë kuadri ligjor”.
Aleks Anderson ndërkaq, thotë se për të pasur sukses plani për Mitrovicën, Prishtina nuk duhet të ngutet që këtë vendim ta përfshijë në kuadër të marrëveshjes për statusin.
“Duhet të kemi durim në vitet e ardhshme dhe të lejohen ata që të zhvillohen gradualisht, përderisa besimi dhe stabiliteti të zënë vend në qytet dhe që të dyja palët ta pranojnë administratën mbi dy komunat në veri dhe jug të qytetit”, thotë Anderson.
Mitrovica nga përfundimi i luftës nuk ka funksionuar si një qytet i vetëm. Në pjesën veriore vazhdojnë të funksionojnë strukturat paralele serbe të financuara nga Beogradi zyrtar. Në 6 vitet e fundit për bashkimin e qytetit ka pasur disa plane, por të gjitha kanë mbetur në letër.

XS
SM
MD
LG