Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIATOR NUK I KA DORËZUAR KUVENDIT DOKUMENTIN PËR DECENTRALIZIMIN DHE MITROVICËN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk ka një rol aktiv në procesin aktual të bisedimeve për kufijtë e komunave të Kosovës, është thënë sot nga anëtarë të kryesisë së këtij institucioni. Edhe pse me Kornizën Kushtetuese përcaktohet që kufijtë e komunave mund të ndryshohen vetëm nga Kuvendi, sipas deputetit Xhavit Haliti, grupi negociues për statusin nuk i ka dorëzuar Kuvendit asnjërin nga dokumentet, qoftë atë për Mitrovicën apo dokumentin për kufijtë e komunave, sipas planit që do të diskutohet më 4 maj në Vjenë ndërmjet Prishtinës e Beogradit:
“Shpresoj që grupi negociator i votuar në Kuvendin e Kosovës do të jetë i gatshëm që të vijë e të raportojë në Kuvend se çfarë po ndodh dhe çfarë vendimesh janë marrë nga grupi negociator. Kuvendi dhe kryesia deri më sot nuk janë të informuara”, ka thënë Xhavit Haliti. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka rolin e vendimmarrësit, por të vëzhguesit në procesin e bisedimeve për reformat në pushtetin lokal:
“Përderisa nuk ka propozime, kryesia nuk ka mundësi dhe nuk ka të drejtë sipas rregullores që këto çështje t’i qesë në shqyrtim. Roli i Kuvendit në këtë rast është roli që ka pas deri më tash, vëzhgues dhe konstatues”, pohoi Haliti.
Ndërkohë që deputeti Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake strategjike, u përqendrua dhe në çështjen shpesh të ngritur lidhur me demarkacionin e kufirit me Maqedoninë. Kjo çështje, sipas Malokut, nuk mund të zgjidhet brenda natës siç thuhet në disa komente politike, duke parashikuar kështu një proces më të gjatë që do të mund të iniciohet pas zgjidhjes së statusit të Kosovës:
“Po ju them nga profesioni dhe përvoja me shtetet e tjera, nuk caktohen kufijtë për një ditë e dy, por demarkacioni i kufijve rreth Kosovës është një proces i veçantë, pas përfundimit të statusit përfundimtar. Kosova si shtet do të formojë komisionin e vet të veçantë dhe do të bëhet demarkacioni”, tha Maloku.
Sidoqoftë, grupi negociues ka përcaktuar në një formë pozicionin e Prishtinës në bisedimet e 4 majit në Vjenë lidhur me kufijtë e komunave të Kosovës, si dhe ka finalizuar planin për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës. Asnjëri prej këtyre drafteve nuk i është proceduar Kuvendit, i cili nesër do të shqyrtoj çështjet e tjera, siç janë standardet, privatizimi dhe kërcënimi nga gripi i shpezëve.




XS
SM
MD
LG