Ndërlidhjet

KËSHILLTARËT KOMUNALË NË MITROVICË NDIHEN TË ANASHKALUAR NGA INSTITUCIONET QËNDRORE


Albana Isufi, Mitrovicë

Këshilltarët e kuvendit komunal të Mitrovicës, në mënyrë indirekte kanë kritikuar sot planin e ekipit negociator për Mitrovicën, sipas së cilit ky qytet do të ketë dy njësi komunale.
Mitrovicasit ndjehen të anashkaluar për shkak se askush nga institucionet qendrore nuk është konsultuar me ta lidhur me këtë plan. Për më tepër, këshilltarët e kuvendit komunal të Mitrovicës, në një takim të jashtëzakonshëm kanë thënë se ekipi negociator me planin për Mitrovicën në një formë po anashkalon edhe platformën, mbi të cilën kanë filluar bisedimet për statusin përfundimtar.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Mursel Ibrahimi nuk ka komentuar shumë planin, për shkak se siç thotë, ende nuk e ka parë dokumentin zyrtar. Por, ai vazhdon të mbrojë parimin se Mitrovica duhet të jetë një qytet i bashkuar.
“Nuk mund të bisedoj diçka për atë çka nuk më është ofruar. Por, konkretisht jam që të respektohen ato parimet themelore, që kanë të bëjnë me unifikimin e qytetit. Të respektohen kriteret”.
Mitrovicasit konsiderojnë se pavarësisht se deri tani i kanë kontribuar shumë qetësisë dhe sigurisë në qytetin e ndarë, atyre po u bëhet një e padrejtë. Kreu i komunës së Mitrovicës Mursel Ibrahimi, thotë se për Mitrovicën nuk janë respektuar parimet mbi reformimin e pushtetit lokal të aplikuara në qendrat e tjera të Kosovës.
“Çdoherë kam qenë dhe jam që çështja e Mitrovicës të respektohet në pako, si në tëra qytetet dhe jo në mënyrë të veçantë”.
Kreu i grupit të këshilltarëve të PDK-së Ahmet Tmava, duke bërë një rikapitullim të historisë së qytetit të Mitrovicës, sjell përfundimin se as pjesa veriore e as ajo jugore nuk janë të pastra etnikisht. Rrjedhimisht edhe nuk duhet të ketë një ndarje të tillë.
“Të ruhet tërësia territoriale e qytetit si garancë për progres për të gjithë qytetarët. Eliminimi i strukturave paralele dhe ndërtimi i një pushteti demokratik i dalë nga vota me shtrirjen në tërësinë territoriale”.
Këshilltarët e kuvendit komunal thonë se në mesin e qytetarëve të Mitrovicës vërehet një shqetësim rreth së ardhmes së qytetit të tyre.
Fehmi Ahmeti, nga pjesa jugore e Mitrovicës, nuk ka mëdyshje se plani i ekipit negociator është i gabueshëm.
“Sipas mendimit tim ky plan është i gabueshëm. Mitrovica gjithmonë ka qenë një komunë dhe duhet të jetë një komunë. Nuk ka nevojë me u nda në dy pjesë, nuk është e arsyeshme”.
Por, kështu nuk mendon Kujtim Kumnova. Teksa bën një shëtitje mbi urën e lumit Ibër, që prej 6 vjetësh ndan Mitrovicën në dy pjesë, në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun me serbë, Kumnova thotë se nuk ka asgjë të keqe që Mitrovica të ketë dy njësi komunale.
“Po, nëse është për çështje pozitive pse jo. Nëse është që të dy entitetet të kenë një harmoni, një jetë normale pse jo, dhe ma merr mendja që do të bëhet mirë”.
Ahmet Berani thotë se për Mitrovicën duhet një zgjidhje që do t’i kënaqë kërkesat e te dyja palëve.
“Ndoshta i mirë plot nuk është, po ma mirë mesatare se hiq. Të jetë një zgjidhje mesatare, për të dy anët të jetë njëjtë. Ndoshta më mirë me qenë nën një kulm dy komuna, se veç e veç të ndara njëra me tjetrën”.
Me planin e ekipit negociator, qyteti i Mitrovicës do të ndahet në dy njësi komunale, të cilat janë paraparë që të bashkohen më vonë. Këto njësi do të menaxhohen nga një bord ekzekutiv për tre vjet, ndërsa bordi do të udhëhiqet nga një ndërkombëtar. Më vonë do të ketë një kryetar të vetëm. Plani është hartuar nga ish kryeministri Bajram Rexhepi.

XS
SM
MD
LG