Ndërlidhjet

PETERSEN: BESOJ SE DO TË RAPORTOJ PROGRES NË STANDARDE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Në fillim të qershorit do të mund të raportojmë para Këshillit të Sigurimit për rezultatet konkrete që janë arritur në jetësimin e standardeve prioritare, në mënyrë që zoti Ahtisari në korrik të mund të shpalosë synimet e tij për rrugën e mëtejme të përcaktimit të statusit, tha sot shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen. Këto komente përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm i ka bërë pas një takimi me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, ndërkohë që shoqërohej nga zëvendësi i tij i ri, Steven Schook.
Të gjitha institucionet këtu po punojnë shumë për të jetësuar standardet prioritare dhe për të arritur rezultate konkrete, tha Petersen:
"Unë besoj se do të mund të raportoj për përparim të konsiderueshëm në aspektin e rezultateve të arritura dhe jo vetëm të synimeve," tha zoti Petersen, sipas të cilit aktivitetet e institucioneve dhe propozimet e tyre konkrete janë të rëndësishme dhje kjo punë është përshpejtuar dhe është një punë e sinqertë, që na mundëson të shkojmë përpara KS me porosi të qartë për përkushtimin dhe rezultatet e arritura:
"Me këtë, besoj se edhe zoti Ahtisari do të jetë në gjendje të raportojë para Këshillit të Sigurimit në korrik lidhur me synimet e tij se si të çohet përpara procesi i përcaktimit të statusit," tha Jessen Petersen, i cili sot ka biseduar me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Çeku, me ç’ rast i ka njohur ata edhe me zëvendësin e tij, ish-ushtarakun e lartë amerikan Steven Schook:
"Unë jam i lumtur që jam kthyer sërish në Kosovë, para së gjithash për shkak të periudhës në të cilën kemi hyrë dhe për shkak të shpejtësisë me të cilën po lëvizet tash," tha zoti Schook, i cili në këtë post e ka zëvendësuar diplomatin tjetër amerikan Larry Rossin.
Kryeministri Agim Çeku, pasi ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e ardhshëm me zotin Schook, tha se ai dhe qeveria e tij pavarësisht nga mosgatishmëria e komunitetit serb, do t’i vazhdojnë aktivitetet për të dërguar mesazhe për bashkëpunim dhe për t’i inkurajuar serbët për integrim në Kosovë, e në këtë frymë është edhe qëndrimi i qeverisë lidhur me rreth 800 arsimtarë serbë të Kosovës që kanë refuzuar rrogat e buxhetit të Kosovës, pas ftesës për këtë që u është bërë nga autoritetet e Beogradit:
"Ne nuk do t’i përdorim masat e ashpra ndaj tyre që ata të përjashtohen nga puna- do të mbeten në listat tona të punonjësve, duke besuar se ata do ta ndryshojnë mendjen, por pagat e tyre do të vendosen në një fond të veçantë".
Lidhur me këtë çështje dhe disa refuzime të fundit të serbëve të Kosovës për të biseduar me institucionet e Kosovës, zoti Jessen Petersen tha se do të ishte fatkeqësi nëse serbëve të Kosovës nuk u lihen mundësi të shfrytëzojnë shanset që u ofrohen:
"Unë njoh shumë serbë të Kosovës që duan të jenë pjesë e ndërtimit të kësaj të ardhmeje, mirëpo ata nuk po marrin porositë e nevojshme të përkrahjes nga qarqet e Beogradit," tha Jesssen Petersen.
Në anën tjetër presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se me zotin Petersen dhe zëvendësin e tij kanë folur edhe për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale që ishin paraparë të mbahen në vjeshtë të këtij viti, por për këtë do të ishte mirë të mbahej një takim me partitë politike.






Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG