Ndërlidhjet

KOSOVA PËRGATITET PËR KAMPIONATIN BOTËROR TË FUTBOLLIT


Ndonëse deri në fillimin e kampionatit të 18-të botëror të futbollit në Gjermani kanë mbetur edhe rreth 1 muaj e gjysëm, interesimi për këtë festival sportiv tashmë ka filluar në Kosovë. Adhuruesit e futbollit tashmë planifikojnë se si do t'i përcjellin ndeshjet që do të zhvillohen gjatë këtij kampionati që fillon më 9 qershor dhe zgjatë një muaj, thotë Besim Kajtazi, gazetar i cili vite me radhë është i angazhuar në fushën e sportit.
“Kjo është një traditë e cila praktikohet në gjithë botën, pra edhe në Kosovë, e cila nuk bën përjashtim. Shqiptarët, në Kosovë, i kanë ata idhujt e vet për të cilët do të simpatizojnë, të cilët gjenden në përfaqësueset më të forta botërore, siç janë: Brazili, Gjermania, Anglia, Italia Franca etj. Aq me shumë tash do të zgjojë interesim edhe më të madh kur dihet se në Kosovën e pasluftës me të madhe është dukuria e hapjes së bastoreve sportive, si në gjithë Evropën dhe kjo edhe më shumë e shton interesimin për ndeshjet që do të zhvillohen në këtë kampionat botëror”.
Ndërkaq, pronari i një bastoreje sportive në Prishtinë, thekson se tashmë janë përgatitur që gjatë kampionatit të sivjem botëror të futbollit të organizohen lojëra më specifike të bastit.
“Edmondi nga ‘Kosovabast’. Po, jemi përgatitur dhe të gjitha lojërat e kampionatit botëror do të jenë në bultenin tonë. Tani do të nxjerrim edhe një buletin shtesë, cili do të jetë goli i parë, cili do të jetë golashënuesi i parë, pastaj, kush e fillon lojën i pari, kush do të marrë karton, a do të ketë kartona të kuq, a do të ketë penallti etj. Nëse ndonjë ekip, ndojë befasi e kampionatit do ta fitojë kampionatin, kjo do të ishte mirë për neve, por nëse fiton ndonjë ekip favorit, atëhere me siguri nuk do të jetë shumë mirë për ne”.
Bardhyl Krasniqi nga Prishtina thekson se është adhurus i futbollit dhe se mezi pret që të fillojë kampionati botëror në Gjermani.
“E pres me padurim, sepse jam adhurues i flaktë i lojës së futbollit dhe mendoj e shpresoj që do të ketë lojë kualitative. Sigurisht se kisha pasur dëshirë të shkojë jashtë që të përcjellë ndeshjet e futbollit. Është një përjetim kolektiv me 40 mijë apo 50 mijë shikues tjerë. Është përjetim interesant i ndeshjes, por janë disa rrethana që ne na e pamundësojnë atë luks që të shkojmë. S'ka viza ‘Shengen’, s’ka mundësi të organizimit, kështu që na mbetet që ta përcjellim nga shtëpia”.
Ngjashëm thotë edhe Fatos Gashi, nga Prishtina.
“Vërtetë jam adhurues dhe mendoj se do të provojë që të mos e anashkalojë asnjë ndeshje nga kampionati botëror. Nuk kam menduar që të shkoj edhe pse dëshirë kam mjaft. Nuk i kemi disa kushte elementare për të shkuar. Për dikë-dikë mund të jetë edhe çmimi i lartë i biletave anipse nëpër reklamat e ndryshme kemi dëgjuar se nuk mund të jetë edhe ndonjëfarë çmimi kushedi se çfarë dhe i pakapshëm për ne, por kemi ne edhe probleme tjera, bie fjala, pasaportat, vizat etj.”
Besim Kajtazi, pohon se që tani janë duke u analizuar rezultatet e kualifikimeve të mundshme dhe finale të këtij kampionati.
“Sipas edhe analistëve të futbollit botëror, ndër grupet më të vështira do të jetë ‘Grupi C’ ku bëjnë pjesë Argjentina, Bregu i Fildishtë, Serbi dhe Mali i Zi, si dhe Hollanda. Grup aspak më i lehtë nuk do të jetë edhe ‘Grupi E’ ku janë Italia, Gana, SHBA dhe Çekia. Grup paksa më i lehtë është ‘Grupi A’ ku bën pjesë Gjermania së bashku me Poloninë, Kostarikën dhe Ekuadorin. Gjithashtu edhe ‘Grupi B’ mund të thuhet se është më i lëhtë, ku si favorit mund të cilësohen Anglia dhe Suedia. Parashikimi im është që Brazili do të gjendet në finale. Konkurrent të Brazilit, sipas meje, mund të jenë Gjermania si vendase e organizuese e botërorit, si dhe aty janë edhe Argjentina, Italia dhe Franca”.
Sidoqoftë, pronaret e lokaleve të shumta në Prishtinë, pohojnë se gjatë një muaji sa do të zgjasë kapionati botëror i futbollit në Gjermani, do t’i vendosin monitorët e medhenj në mënyrë që t’ua mundësojnë përcjelljen e ndeshjeve dhe krijimin e një atmosfere sa më të këndshme për adhuruesit e futbollit.

Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG