Ndërlidhjet

MILIQ:"DYFTYRËSIA E PUSHTETIT NË BEOGRAD NDAJ SERBËVE TË KOSOVËS"


Jelena MILIQ, Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliq, si e shihni procesin e zgjidhjes së statusit të ardhshëm të Kosovës, dhe më konkretisht bisedimet mbi decentralizimin që po mbahen në Vjenë?

JELENA MILIQ
Sa u përket bisedimeve mbi decentralizimin, ato më nuk janë tema aq të mëdha në opinionin serb. Tash janë imponuar tema tjera, si skadimi i afatit për dorëzimin e Ratko Mlladiqit dhe referendumi në Mal të Zi. Fatkeqësisht, opinioni serb për momentin nuk është mirë i informuar për rrjedhën e këtyre negociatave. Gjithashtu nuk është i njoftuar as për refuzimin e idesë apo qëndrimit negociator të autoriteteve serbe, që disa komuna të caktuara në Kosovë të financohen nga buxheti i Serbisë, por jo përmes kanaleve dhe institucioneve financiare kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni qëndrimin e autoriteteve të Beogradit ndaj serbëve të Kosovës?

JELENA MILIQ
Kjo është një pyetje tejet e rëndësishme, dhe druaj se ajo e tregon gjithë dyftyrësinë e politikës aktuale të pushtetit serb ndaj banorëve të Kosovës, të cilët nuk janë me përkatësi etnike shqiptare, por edhe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Para së gjithash, është i pazakonshëm angazhimi aq i madh për një formë të decentralizimit, që vjen nga një shtet, i cili vetë ende është shumë i centralizuar. Me këtë rast angazhimi bëhet për një decentralizim i cili nuk shtrihet nga Prishtina drejt pushtetit lokal, por nënkuptohet një decentralizim që shkon nga Beogradi. Mesazhet dhe presionet e fundit ndaj popullatës serbe në Kosovë, që të mos marrin pjesë në institucionet kosovare, madje janë kundërproduktive dhe në kundërshtim me psh. thirrjen e Patriarkut Pavle që serbët të mbeten në Kosovë. Çfarë don të thotë kjo? Të mbeten në Kosovë pa marrë pjesë në kurrfarë institucionesh? Mendoj se gjithë ideja e tashme, që serbët të tubohen në territoret rreth manastireve ortodokse serbe, dhe të bëjnë njëfarë shteti paralel kishtar serb në Kosovë, është një ide e gabuar. Në këtë mënyrë, ne thjesht edhe më shumë e getoizojmë bashkësinë serbe atje, e cila asnjëherë nuk ka patur ndonjë traditë të fortë të përgjegjësisë politike dhe të besimit në institucionet përfaqësuese. Kjo do ta ngadalësojë dhe ndoshta do ta ndërpresë procesin e institucionalizimit, jo vetëm të popullatës serbe dhe të tjerëve në Kosovë, por edhe në Serbi. Gjithë kjo sigurisht që do të pasqyrohet edhe në problemet praktike të bashkësisë serbe, siç janë kthimi i pronës personale, të drejtat e trashëgimisë dhe të ngjashme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Miliq, po si e shihni qasjen e Prishtinës ndaj pakicave?

JELENA MILIQ
Unë mund të flas vetëm nga pozicioni i njeriut në Beograd, i cili kryesisht i dëgjon vlerësimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe thirrjet verbale deklarative, por edhe tejet korrekte politike, që i bëjnë përfaqësuesit politikë shqiptare në Kosovë. Gjithashtu mund të flas edhe nga pikëpamja e njeriut, i cili për fat të keq, shpesh është dëshmitar se në ç'mënyrë opinioni serb e krijon pasqyrën për gjendjen në Kosovë vetëm përmes njoftimeve për incidentet. Ne asnjëherë nuk kemi informacione për ndonjë ngjarje kulturore apo sportive në Kosovë. Të gjitha informacionet që arrijnë në Serbi, vijnë përmes prizmës së konflikteve të mundshme etnike. Ne nuk kemi mundësi që as për mosmarrëveshjet apo veprat e ndryshme kriminale, të mos dëgjojmë se nuk janë kryer në baza etnike. Por kjo është njëra anë e problemit.
Problemi tjetër është se bashkësia ndërkombëtare, me qëllim që në një farë mënyre Serbisë t'ia kompenzojë faktin e pamohueshëm se Kosova do të bëhet e pavarur, në të katër anët insiston në përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut të pakicave tjera etnike në Kosovë. Në këtë mënyrë fitohet përshtypja se këto të drejta janë të rrezikuara aq shumë, sa që në Kosovë nuk është e mundur as bashkëjetesa ndëretnike. Druaj se opinioni i gjerë serb vërtetë nuk ka më kurrfarë pasqyre të drejtë se si është gjendja e pakicave etnike në Kosovë, sidomos e atyre në enklavat në jug të lumit Ibër. Mendoj se kjo është një përzierje e dezinformatave. Është fakt se pasqyra e përgjithshme sociale në Kosovë, por edhe në Serbi, është tejet e rëndë, mirëpo ky moment i përgjithshëm dhe i vështirë social, kurrsesi nuk mund të fshehet.

RADIO EVROPA E LIRË
Analistë nga perëndimi thonë se Serbia në një farë dore është bërë peng e Kosovës. Në çfarë mase çështja e pazgjidhur e Kosovës e pengon demokracinë dhe zhvillimin në vetë Serbinë?

JELENA MILIQ
Kjo është një pyetjet tejet e mirë. Gjithsesi, ajo që e pengon zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e institucioneve në Serbi është çështja e kushtetutës, çështja e kompetencave, çështja e funksionimit të akteve themelore. Në gjithë këto hyjnë edhe çështja e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës dhe marrëdhëniet tona të ardhshme me Malin e Zi. Në këtë drejtim, gjendja pak më e mirë është në Bosnjë-Herecegovinë dhe në Maqedoni. Por dua të përkujtoj se as Marrëveshja e Ohrit dhe e as Marrëveshja e Dejtonit nuk janë kushtetuta të vërteta. Mendoj se përfundimisht, zgjidhja e raporteve ndërmjet Serbisë e Malit të Zi dhe Kosovës, do të kontribuonte që këto tre entitete të bëheshin shtete funksionale. Kjo është ajo që më së shumti na duhet: shtet në të cilin do të ekzistojë sundimi i ligjit, kontrolli demokratik ndaj forcave të armatosura, si dhe të ekzistojnë mekanizma të atillë që këto tre shtete shumë shpejt të jenë në gjendje t'u përgjigjen kërkesave të integrimeve evropiane dhe evroatlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund zonja Miliq, si i shihni marrëdhënet shqiptaro-serbe në të ardhmen?

JELENA MILIQ
Kjo është një pyetje e gjerë. Unë më me dëshirë do ta përkufizoja se si e shoh të ardhmen e marrëdhënieve të forcave prodemokratike dhe proevropiane në Kosovë dhe të forcave prodemokratike dhe proevropiane në Serbi, pra të forcave që janë për tolerancë, sundim të ligjit dhe ekonomi të hapur. Nga njëra anë, unë shpresoj shumë në bashkëpunimin dhe në arsyen e këtyre forcave, sepse ekzistojnë probleme të numërta që nuk mund të zgjidhen në nivelin e shteteve të veçanta e të pavarura. Por druaj se nga gjithë ato informata për negociatat e Vjenës, për bashkëpunimin me Hagën, për plotësimin e kushteve për pavarësi apo për pavarësi të kushtëzuar, ne ose gjithë rajoni, thjesht nuk i kemi dëgjuar mesazhet shumë të pakëndshme që na dërgohen nga BE-ja në Bruksel dhe së fundi nga takimi joformal në Salzburg, në të cilat Bashkimi Evropian na porosit që të kemi parasysh se aftësia apsorbuese e unionit në një farë mënyre është lëkundur. Ata thonë se zgjërimi i ri ndoshta mund të ndodhë, por tash kanë filluar të përdoren edhe fjalë tjera, si "bashkangjitje në faza" apo "partneritet i privilegjuar". Me këtë dua të them se perspektivat tona evropiane për anëtarësim të plotë, kanë rënë pak në hijen e problemeve reale, me të cilat përballet Evropa. Më duket se ky është edhe një hap tjetër i nevojshëm që para së gjithash, t'i kthehemi më shumë bashkëpunimit rajonal dhe të përpiqemi që si rajon të imponojmë disa argumente përse për Bashkimin Evropian do të ishte me interes që të na pranojë.

Intervistoi: Vullnet POSHKA
XS
SM
MD
LG