Ndërlidhjet

ARSIMTARËT SERBË VAZHDOJNË TË REFUZOJNË PAGAT NGA BUXHETI I KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Punonjësit e arsimit nga rradhët e komunitetit serb në Kosovë janë duke respektuar thirrjen e bërë nga qeveria e Serbisë, që të heqin dorë nga pagat e buxhetit të Kosovës. Një veprim i tillë i tyre është kritikuar si nga autoritetet kosovare, ashtu dhe nga ato ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë hap si kthim prapa në proceset e integrimit të këtij komuniteti.
Ministri për Arsim ,Shkencë dhe Teknologji në qeverinë e Kosovës, Agim Veliu, thotë se veprime të tilla janë shqetësuese dhe u bën thirrje punonjësve të arsimit, që të mos i përfillin thirrjet e Beogradit, por t'i pranojnë pagat e buxhetit të Kosovës.
"Ajo thirrje që është bërë prej asaj qendre koordinuese për punëtorët serbë që të heqin dorë nga listat e pagave, për neve është e pakuptimtë, e papranueshme. Unë si ministër i Arsimit, por dhe qeveria e Kosovës, u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve që të mos largohen nga listat e pagave, sepse unë mendoj që tani janë krijuar kushtet dhe për çdo ditë po përmirësohen kushtet për një jetë të përbashkët dhe unë mendoj se të gjithë ata që jetojnë këtu dhe ata që kanë jetuar këtu, mund ta bëjmë një jetë të përbashkët për të mirën e të gjithëve, por në këtë rast për të mirën e fëmijëve."
Në anën tjetër arsimtarët serbë thonë se e kanë përkrahur thirrjen e Beogradit. Drejtori i shkollës " Vëllezërit Aksiç" në Lipjan, Jugosllav Cervenkoviç thotë se nuk i pranojnë më pagat e buxhetit të Kosovës, por vetëm ato të Serbisë.
"Të gjithë i janë përgjigjur thirrjes që ditën e parë, kështu që askush më nuk merr pagën nga Ministria për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, por nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë", thotë Cervenkoviç. Sipas tij pagat nga Serbia janë më të mira, kështu që të gjithë punonjësit e arsimit, janë të kënaqur me këto pagesa. Deri më tash shumica e punonjësve serbë të arsimit kanë paguar nga dy paga. Atë nga buxheti i Kosovës dhe atë nga buxheti i Serbisë. Kurse tani, sipas përfaqësuesit të Qendrës koordinuese serbe për Kosovën Serxhan Vasiç, të gjithë janë përcaktuar vetëm për pagat që vijnë nga Serbia.
"Mund të them se gati të gjithë i janë përgjigjur thirrjes, por më duhet të them gjithashtu se vendimi i tyre ishte i bazuar krejtësisht mbi baza vullnetare dhe askush nuk i ka detyruar të veprojnë kështu", thotë Vasiç. Ai thotë se sistemi arsimor që zbatohet nëpër shkollat e Kosovës, ku mësohet në gjuhën serbe është i njëjtë me të Serbisë, kështu që sipas tij, zgjedhja e bërë ishte e drejtë që pagat të merren nga Serbia. Në anën tjetër ministri Agim Veliu paralajmëron një varg aktivitetesh dhe kontaktesh të drejtpërdrejta me mësimdhënësit serbë, në përpjekje që ata të kthehen nga institucionet vendore dhe planprogramet mësimore të Kosovës."
Ne do të bëjmë përpjekje këto që po i bëjmë, edhe përmes takimeve të ndryshme, edhe përmes kontakteve të drejtpërdrejta. Ju bëjmë ftesa vazhdimisht që mos të tërhiqen dhe ne mendojmë se nëse ata duhet të tërhiqen nga listat e pagave, ata duhet të tërhiqen nga listat e pagave të Serbisë jo të Kosovës, sepse ata janë banorë të Kosovës, këtu jetojnë, këtu i kanë objektet e shkollave, këtu i kanë fëmijët, këtu punojnë dhe këtu duhet të paguhen."
Veprimet e fundit të Beogradit siç janë thirrjet drejtuar serbëve të Kosovës për t'i bojkotuar pagat e buxhetit të Kosovës, janë kritikuar nga përfaqësues ndërkombëtarë, si dhe nga administrata e UNMIK-ut duke e vlerësuar këtë si implikim të drejtëpërdrejtë që çon drejt ndarjes dhe jo drejt integrimit të serbëve në jetën institucionale e shoqërore në Kosovë.



XS
SM
MD
LG