Ndërlidhjet

A E SHPËRTHEU ÇERNOBILI BASHKIMIN SOVJETIK?


Robert Parsons

Çernobili e shokoi botën, jo nga tmerri që ndodhi, por sepse pasojat u bënë edhe më të rënda nga heshtja e autoriteteve sovjetike.
Vetëm një vit pasi Mihail Gorbaçov, asokohe Sekretar i përgjithshëm i Partisë Sovjetike, e shpalli strategjinë e tij të transparencës, tragjedia e Çernobilit dëshmoi se Kremlini ende nuk ishte i gatshëm për transparencë të vërtetë.
Katastrofa bëri që udhëheqja sovjetike t'u nënshtrohet kritikave ndërkombëtare dhe e përshpejtoi ritmin e ndryshimeve të brendshme.
Disa madje pohojnë se ajo ia theu shtyllën kurrizore Bashkimit Sovjetik.
"Ka ndodhur një aksident në stacionin bërthamor në Çernobil. Një nga reaktorët atomikë është dëmtuar. Po merren masa për të eleminuar pasojat e aksidentit. Po i jepet asistencë të plagosurve dhe është ngritur një komisonin qeveritar".
Kjo ishte ajo çfarë njoftoi në lajme televizioni sovjetik lidhur me katastrofën e Çernobilit të 28 prillit 1986, plot dy ditë nga shpërthimi i fuqishëm që nxorri 1 mijë ton nga përmbajtja e reaktorit të tretë të uzinës dhe lëshoi drejt Evropës një masë gjigande pluhuri radioaktiv.
Një vit pasi Gorbaçovi shpalli rëndësinë e transparencës dhe të qënit të hapur, reagimi i parë i lidershipit sovjetik lidhur me katastrofën, ishte mohimi i saj.
Masha Lipman kryeredaktore në gazetën e pavarur ruse "Pro dhe Contra" mendon se Çernobili ishte një pikë kthese për Gorbaçovin.
"Ai ndërrmori diçka shumë të madhe, saqë jo vetëm ai, por dhe bota përreth tij, në atë kohë nuk ishin në dijeni të përmasës të asaj që po ndodhte: kolapsi eventual i Bashkimit Sovjetik dhe shkatërrimi i sistemit komunist. Sigurisht, ndoshta pa e ditur sesa gjigande ishte kjo zgjedhje", thotë Lipman.
Të njëjtën ditë kur televizioni njoftoi duke hapur lajmet me Çernobilin, qeveria sovjetike filloi të njoftojë qeveritë perëndimore mbi katastrofën, në vetvete një zhvillim ky i paparë.
Autorja bielloruse Svjetlana Aleksijeviç, libri i të cilës " Lutjet e Çernobilit: kronikë e së ardhmes", është i përkthyer në shumë gjuhë të botës, është një tjetër nga ato që e shohin katastrofën si një pikë kthese. Ajo beson se ngadalësia me të cilën u përgjigj në fillim Gorbaçovi kushtëzohej nga vetë sistemi, nga ngurrimi i zyrtarëve të çdo niveli për të pranuar aksidentin. Në një sistem të pangopur me informacion të besueshëm, Gorbaçovi ishte po aq injorant sa çdo kush tjetër.
"Stacioni po digjet dhe Gorbaçovi po shpërndan raportet e tij dhe po dërgon fizikantët më të mirë bërthamorë tek Çernobili. Ata shkojnë tek stacioni i djegur bërthamor, me asgjë, as me veglat e tyre të rrojes. As që e kishin kuptuar ç'kish ndodhur. Dëgjova Gorbaçovin tek i përgjigjej një pyetjeje të tillë: Çfarë doni? Pyeta gjeneralët e ushtrisë sonë që kanë ndjekur një test të bombës atomike dhe më thanë nuk është gjë. Dy orë pas shpërthimit ata thanë se ishin në zonën e testit. Më thanë se gjithshka që duhet është vetëm një shishe verë e kuqe dhe do të jeni mirë".
Injoranca kishte pushtuar sistemin sovjetik në pothuaj të gjitha nivelet, injoranca dhe ngurrimi për të marrë përsipër përgjegjësi.
Gorbaçovi vazhdoi të flasë retorikën sovjetike të së shkuarës dhe përpak kohë pas Çernobilit, por katastrofa u pa se kish rritur dyshimin e tij lidhur me aftësinë e Bashkimit Sovietik për t'u ballafaquar me botën moderne dhe konfirmoi bindjen e tij lidhur me rëndësinë e transparencës.
Bashkimi Sovietik ndoshta nuk shpërtheu me Çernobilin, por fitili filloi t'i digjet ca më shpejt.

XS
SM
MD
LG