Ndërlidhjet

GJINI: KOSOVA E PËRGATITUR PËR SFIDËN E PËRCAKTIMIT TË STATUSIT


Ardian Gjini, ministër në qeverinë e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, ndërkohë që po afrohet takimi i Vjenës që është paraparë të mbahet më 4 maj, sa është e përgatitur pala kosovare të diskutojë lidhur me kufijtë e komunave dhe për Mitrovicën në veçanti?

ARDIAN GJINI
Unë mendoj se Kosova dhe njerëzit e Kosovës, qeveria, partitë opozitare dhe e gjithë shoqëria kosovare, që një kohë të gjatë janë duke u përgatitur për t’u ballafaquar me sfidat që do të nxirrte përcaktimi i statusit dhe pavarësia. Mendoj se si ekip negociues, grupi i unitetit, grupi politik, por edhe delegacioni që do të shkojë në Vjenë, mendoj se jemi të përgatitur mirë, i dimë detajet që do të diskutohen atje. Do ta marrim shpejt mandatin prej grupit të unitetit, pasi ata e mandatojnë një grup për të biseduar dhe në këtë aspekt ka përgatitje të plotë. Si shoqëri, mendoj se po ashtu jemi të përgatitur të ballafaqohemi me sfidat që nxjerr përcaktimi i statusit, pra pavarësia, e sidomos çështja e akomodimit të pakicave në Kosovë. Unë mendoj se pala kosovare, si qeveria, opozita ashtu edhe shoqëria civile dhe njerëzit, e kuptojnë se cili është misioni ynë dhe e kanë të qartë, domethënë e ndajnë një vizion pak më të gjerë sesa vetëm pavarësia, atë se si do të duket Kosova si shtet i pavarur. Do të thotë se ne e kemi një vizion të përbashkët shumë të përafërt se si e duam shtetin tonë, çfarë shteti, si do të duket ai shtet. Dhe, mund të them se të gjithë e ndajmë një vizion se ai shtet duhet të jetë demokratik, duhet të jetë i aftë të integrohet në BE dhe në strukturat e tjera evroatlantike, ai vend duhet t’i respektojë pakicat dhe duhet t’u sigurojë kushtet dhe kur i ndajmë të gjitha këto vizione, mendoj se ne jemi në rrugë të mirë që të gjejmë zgjidhje që janë më adekuatet për çështjen që më pyetët, pra për Mitrovicën dhe për komunat e tjera serbe. Gjithmonë në këto procese ka momente të drojës dhe të hezitimit dhe këto momente nuk kanë aq shumë të bëjnë me mospërgatitjen tonë, ose me ndonjë dyshim që ne e kemi në miqtë tanë ndërkombëtarë, për shkak se nuk kemi, por kemi besim të plotë në miqtë tanë, në të kaluarën tonë dhe në të ardhmen tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do ta menaxhoni këtë drojë eventuale që mund të shfaqet te qytetarët, jo te grupi politik, te institucionet, por te qytetarët?

ARDIAN GJINI
Mendoj se mënyra më e mirë për ta bërë këtë është komunikimi permanent dhe shpjegimi deri në detaje se si do të duket Kosova në ditën e parë të pavarësisë, që ne presim se do të jetë fundi i vitit, ose dita e parë e vitit që vjen, do të thotë shumë shpejt. Në kohën kur do të arrijmë ta shpjegojmë qartë se çka po synojmë, se kufijtë e Kosovës nuk do të ndryshojmë, se në cilindo variant Kosova do të jetë një vend i tërë, do të funksionojë në tërë territorin e saj, dhe të gjithë qytetarët do të kenë të drejtë të jetojnë të lirë dhe pa drojë në cilëndo pjesë të Kosovës. Ne duhet t’ua shpjegojmë qartë qytetarëve se çka nënkupton krijimi i një komune. Ata e kanë të qartë se edhe sot në Kosovë ka komuna, ekzistojnë komunat dhe kjo nuk u prish punë, prandaj edhe krijimi i komunave të tjera nuk do t’u prishë punë për zhvillimin e jetës së tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër ju keni përgatitur edhe projektin për trashëgiminë kulturore, që po ashtu do të jetë temë diskutimesh. Cila është oferta kosovare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të pakicave?

ARDIAN GJINI
Kjo është çështje për të cilën do të diskutojmë në ditët që vijnë, do të jetë në agjendën e grupit politik strategjik dhe të grupit të unitetit. Mirëpo, ajo që do të thosha është se ekziston një vizion që e ndajmë edhe me bashkësinë ndërkombëtare, por edhe me pjesën dërrmuese të përfaqësuesve të klerit ortodoks serb në Kosovë. Për shembull, nëse flasim për manastirin e Deçanit dhe pjesën e cila është vënë nën mbrojtje, synimi ynë është që të krijojmë kushtet që manastiri do të mbijetojë dhe të ruhet edhe për qindra e mijëra vjet, ashtu siç është ruajtur deri më tash, është trashëgimi botërore e kulturës dhe është objekt shumë i rëndësishëm për serbët ortodoksë, por shumë i rëndësishëm edhe për ne si trashëgimi kulturore. Çështja tjetër është që njerëzit duhet të kenë të drejtë të shkojnë lirshëm në manastir, qoftë për falje, lutje, qoftë për turizëm dhe ky është synim do të thotë i të gjithëve, edhe yni, edhe i udhëheqësve të manastirit, por edhe i qytetarëve serbë të Kosovës, qofshin në Kosovë apo diku tjetër. Qëllimi tjetër është që ata që shërbejnë në manastir, do të thotë priftërinjtë, të konsiderohen qytetarë të Kosovës, të barabartë dhe të jenë në gjendje të lëvizin lirshëm dhe edhe ky është synim i përbashkët. Do të thotë këto tre synime i kemi të përbashkëta dhe këto janë ato që i synojmë me cilindo plan të ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, qoftë ajo ortodokse, qoftë ajo katolike apo myslimane.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni dinamikën aktuale të procesit për statusin e Kosovës dhe a siguron kjo dinamikë një zgjidhje brenda këtij viti?

ARDIAN GJINI
Po absolutisht, unë jam shumë i bindur se jemi në kohë, se këtë kohë e përcjellin, jo vetëm qeveria e Kosovës, institucionet dhe grupi i unitetit, por këtë kohë e përcjell edhe bashkësia ndërkombëtare, këtë kohë e përcjell edhe ekipi i presidentit Ahtisari në Vjenë që do të thotë se njerëzit janë shumë të kujdesshëm që gjithçka të ndodhë me kohë, pasi tashmë të gjithë dëshirojnë që ky proces të përmbyllet brenda vitit. Edhe unë mendoj se jemi në kohë, ka mundësi reale dhe gati është e saktë e kryer që ky proces do të përfundojë brenda këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë javës pritet të shqyrtohet mundësia e shtyrjes së zgjedhjeve lokale që është dashur të mbahen në vjeshtë. Cili është qëndrimi juaj për këtë?

ARDIAN GJINI
AAK ende nuk e ka marrë një qëndrim definitiv si parti, ndërsa mendimi im personal është se zgjedhjet nuk ka nevojë të shtyhen, mirëpo, mendoj se ky mendim imi personal do t’i përshtatet vendimit të partisë që unë i përkas dhe do t’i përshtatet edhe vullnetit të njerëzve, të cilët vendosin për këto çështje në Kosovë, por në konsultim të vazhdueshëm edhe me bashkësinë ndërkombëtare, duke i pasur parasysh të gjitha çështjet që kanë të bëjnë edhe me statusin përfundimtar të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, si i vlerësoni akuzat e opozitës drejtuar qeverisë për korrupsion dhe sa po luftohet në fakt kundër korrupsionit në qeverinë e Kosovës?

ARDIAN GJINI
Është e vërtetë që në Kosovë ka korrupsion. Do të ishte gabim fatal nëse dikush prej qeverisë do ta mohonte se në qeverinë e Kosovës, e unë po përmend se në Kosovë ka korrupsion. Nuk ka të bëjë vetëm me qeverinë kur flasim për korrupsionin, pasi besoj se në Kosovë ka elemente që mund të quhen korrupsion ose korruptive, që në esencë njerëzit edhe nuk i dinë që janë korrupsion. Shikojini partitë politike, qofshin në opozitë apo pozitë, nëse i shikojmë të gjitha normat, do të dalë se edhe brendapërbrenda partive ka korrupsion. Ne si shoqëri duhet ta luftojmë korrupsionin e jo ta kemi vetëm qeverinë në fokus. Kjo kurrsesi nuk do të thotë se ne si qeveri duhet t’i ikim përgjegjësisë – në asnjë variant. Mirëpo, është një element tjetër që dua ta nxjerr para jush – duke qenë jodiskriminues në atë kuptim sa i përket korrupsionit, duke e quajtur secilin individ të korruptuar në njëfarë forme, po krijojmë bindje të njerëzit e Kosovës se gjithçka është korrupsion. Në momentin kur ne e veshim gjithçka me korrupsion, në fund të fundit e dëmtojmë shumë fuqinë nacionale të Kosovës, fuqinë e gjithmbarshme të shoqërisë për ta luftuar këtë fenomen. Njerëzit duhet të besojnë se në Kosovë nuk janë të gjithë të korruptuar, se në Kosovë ka njerëz të ndershëm dhe se ata njerëz të ndershëm janë shumica e njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG