Ndërlidhjet

PARTITË SHQIPTARE DHE MAQEDONASE ME QËNDRIME TË NDRYSHME PËR PËRCAKTIMIN E KUFIRIT KOSOVË-MAQEDONI


Isuf Kadriu, Shkup

Deklarata e djeshme e kryeministrit Agim Çeku se nuk e njeh të vlefshme marrëveshjen e vitit 2001 për kufirin mes Shkupit dhe Beogradit në kufirin me Kosovën, ka ndarë në baza etnike partitë politike në Maqedoni. Partitë kryesore politike maqedonase, pa marrë parasysh pozicionin e tyre, e kanë kundërshtuar deklaratën e kryeministrit Çeku, duke thënë se ajo është e dëmshme për proceset në Kosovë dhe rajon, pasi një prononcim i tillë sipas tyre prodhon pasiguri, kurse shënimi i vijës kufitare para përcaktimit të statusit, i ndihmon proceseve stabilizuese.
"Ky proces është i nevojshëm që të sigurohet stabilitet edhe në Kosovë, edhe në rajon", tha Stojan Andov, deputet i opozitës dhe ish kryetar i Kuvendit në përbërjen e kaluar, kur edhe u miratua marrëveshja për kufirin mes Shkupit dhe Beogradit. Zoti Andov tha se këtë qëndrim e mbështet edhe bashkësia ndërkombëtare.
"Mosnjohja e kufijve nuk nënkupton asgjë tjetër përveç nxitjes së pasigurisë dhe prishjes së sistemit evropian për mosndryshimin e kufijve. Ndërkohë edhe Lidhja Socialdemokrate në pushtet e kundërshton deklaratën e zotit Çeku për mosnjohjen e marrëveshjes së vitit 2001 për kufirin.
"Nëse Kosova dëshiron të jetë anëtare e bashkësisë ndërkombëtare me të gjitha të drejtat dhe obligimet, atëhere duhet të respektojë edhe disa marrëveshje të miratuara nga shteti nga i cili ka dalë", tha Esat Drahiç, deputet i LSDM-së dhe kryetar i komisionit parlamentar të mbrojtjes dhe sigurisë.
Ndërkohë partitë politike shqiptare kanë mendime krejt të kundërta. Bashkimi Demokratik për Integrim në qeveri, mbështet deklaratën e kryeministrit Çeku.
"Mendojmë se ajo është një çështje teknike, për të cilën duhet të merren vesh Shkupi me Prishtinën, pra me autoritetet atje. Kështu që plotësisht e kuptoj prononcimin e zotit Agim Çeku, e normalisht që ne e përkrahim deklaratën e tij", tha nënkryetari i BDI-së Rafi Saliti. Ndërsa Hysni Shaqiri ish- nënkryetar i Kuvendit dhe deputet i PDSh-së në Kuvendin e kaluar, thotë se partia që mbështeste në atë kohë kishte bërë gabim të madh në mbështetjen që i kishte dhënë ratifikimit të marrëveshjes. Zoti Shaqiri ishte deputeti i vetëm i PDSH-së, që kishte votuar kundër ratifikimit të saj.
"Do të kishte qenë jashtë logjikës në këto momente të ngrihej një iniciativë për përcaktimin tani të vijës kufitare Kosovë Maqedoni, kur Kosova bisedon për statusin përfundimtar, për pavarësinë dhe ka çështje shumë më të rëndësishme për Kosovën sesa kjo që tani kërkon të zgjidhë Maqedonia".

XS
SM
MD
LG