Ndërlidhjet

GRUPI NEGOCIUES KËSHILLOHET PARA TAKIMIT TË VJENËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi negociues për statusin e Kosovës ka diskutuar sot çështjet që kanë të bëjnë me përcaktimin e kritereve për formimin e komunave të reja në Kosovë, kryesisht atyre me shumicë serbe. Po ashtu, është shqyrtuar dhe njëherë edhe plani për Mitrovicën. Shqyrtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me organizimin e ri të komunave në Kosovë, u tha se kishte për qëllim përgatitjen e palës kosovare për takimin e radhës me palën nga Beogradi, që do të mbahet më 4 dhe 5 maj në Vjenë. Këshilltari i presidentit të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se përcaktimi i kufijve të komunave është një punë shumë serioze që kërkon një shqyrtim të gjithanshëm. Kurse parimet mbi të cilat do të mbështetet pala kosovare në bisedimet e radhës në Vjenë, sipas Hysenit, bazohen në qëndrimet e mëhershme se nuk ka ndarje të Kosovës, por krijim të kushteve për komunitetet që të jetojnë jetë normale në Kosovë.
“Pozicioni i përhershëm i palës kosovare është që në Kosovën shtet të pavarur dhe sovran do të shihen të gjitha mundësitë që komuniteteve jo shumicë, e në këtë rast komunitetit serb, t’i sigurohen kushte normale për jetë në Kosovën e integruar dhe unitare”, tha Hyseni.
Hyseni tha në vazhdim se kushtet që ofrohen për serbët e Kosovës nuk do të shkojnë në dëm të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. Është shumë e rëndësishme që serbët të heqin dorë nga vet-izolimi dhe iluzionet e mëdha dhe të pranojnë të jetojnë në Kosovën e pavarur, tha ai. Dokumenti për kufijtë e komunave, sipas Hysenit, po pëson ndryshime të vazhdueshme dhe nuk ka ende një version përfundimtar të tij. Sidoqoftë, Hyseni tha se duke pasur parasysh buxhetin e limituar të Kosovës, një prej kritereve kryesore do të jetë vet-qëndrueshmëria financiare e tyre. Hyseni tha se delegacioni i Kosovës nuk është vënë në ndonjë presion nga jashtë dhe se i vetmi presion sipas tij, është se si të mbyllet më shpejt procesi i filluar i përcaktimit të statusit dhe pavarësisë së Kosovës.
“Ne po ashtu duhet të jemi politikisht të vetëdijshëm që çdo vend i ka specifikat e veta, në këtë rast edhe Kosova i ka disa specifikat e saj. Sidoqoftë ekzistojnë tregues bukur të besueshëm mbi të cilët mund të ndërtohen pozicione për një komunë të re ose diçka të ngjashme”, theksoi Skender Hyseni.
Ndërsa janë propozuar të paktën edhe 3 komuna të reja me shumicë serbe, ajo e Ranillugut, Graçanicës dhe Novobërdës, sa i përket Mitrovicës, Hyseni shprehu bindjen e tij se plani i fundit është bazë e mirë që shpie kah integrimi i qytetit.
“Njësoj si për komunat e tjera, edhe Mitrovica është diçka që shqyrtohet vazhdimisht, pasurohet me ide të reja. Sidoqoftë, qytetarët e Mitrovicës, por edhe udhëheqja e saj janë të vetëdijshme se kërkohet zgjidhje kreative në Mitrovicë, në mënyrë që qyteti të mbetet bashkë”, pohoi këshilltari Hyseni.
Grupi negociues do të mblidhet edhe nesër. Sipas Hysenit, për të gjitha çështjet që është biseduar dhe do të bisedohet në Vjenë, në ekipin kosovar ka konsensus të plotë. I dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, ka thënë këto ditë se bisedimet për decentralizimin mbyllen me takimin e radhës në Vjenë, më 4 dhe 5 maj. Kurse faza e parë e bisedimeve do të mbyllet diku në qershor, sapo të përfundojnë të diskutohen dhe çështjet e tjera në agjendë, si ajo e trashëgimisë kulturore, çështjet e ekonomisë dhe pozita e pakicave. Më pas, Ahtisari ka paralajmëruar që pret të dëgjojë raportin e shefit të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen drejtuar Këshillit të Sigurimit, lidhur me përparimet në përmbushjen e standardeve, para se të përcaktojë detajet e fazës së dytë të bisedimeve.



XS
SM
MD
LG