Ndërlidhjet

MITROVICE: ROMËT KUNDËRSHTOJNË VENDOSJEN NË NDËRTESAT E REJA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Një pjesë e romëve që aktualisht jetojnë të zhvendosur në disa kampe në veri të qytetit të Mitrovicës thonë se nuk duan të jetojnë në ndërtesat e banimit që kanë nisur të ndërtohen dje në lagjen e romëve, duke kërkuar që romët të kthehen në shtëpitë dhe pronat ku kanë jetuar deri më 1999. Skënder Gushani, një nga udhëheqësit e komunitetit rom të tre kampeve veriore, tha se nuk duan të kthehen në ndërtesa banimi:
"Kërkesa e romëve është vetëm që të kthehen në vendet e tyre nga ku kanë sikur apo janë përzënë më 1999, e jo që t’u ndërtohen ndërtesa banimi," tha Skënder Gushani, duke e vlerësuar këtë një robëri moderne, siç u shpreh ai.
Zyrtarët komunalë të Mitrovicës ndërkaq u kanë bërë thirrje romëve të zhvendosur që të kthehen për të jetuar në lagjen e tyre në pjesën jugore të qytetit. Kryetari i komunës Mursel Ibrahimi tha sot për radion Evropa e Lirë se aty duhet të ndërtohet një lagje e urbanizuar:
"Aty ka qenë një labirint në lagjen e romëve përpara dhe duhet të jetë një projekt, një plan me urbanizim, që besoj se ashtu duhet të jetë dhe i ftoj të gjithë romët që të kthehen në lagjen e tyre", tha kryetari Ibrahimi, mirëpo përfaqësuesi i romëve Skënder Gushani tha se mentaliteti i romëve nuk është në pajtim me mënyrën e jetës në ndërtesa banimi:
"Të gjithë e dinë se mentaliteti i romëve nuk mundëson jetesën në ndërtesa banimi, pasi nataliteti është i lartë dhe secila familje ka nga gjashtë-shtatë fëmijë," tha Skënder Gushani.
Dje në lagjen e romëve, kryeministri i Kosovës Agim Çeku dhe shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, kanë vënë gurthemelin e dy ndërtesave të banimit, ndërkohë që është paraparë që në vazhdimësi të ndërtohen edhe 57 shtëpi për romët. Pavarësisht kësaj, Gushani thotë:
"Shumë njerëz nuk do ta pranojnë kthimin. Ata që kanë qenë atje kanë qenë formalisht, pasi i ka gënjyer dikush duke thënë se do të kthehen vetëm ata që do të kenë listat poseduese të pronësisë," tha Skënder Gushani, ndërkohë që kryetari i komunës Mursel Ibrahimi tha se kemi të bëjmë me një pjesë të madhe të pronës së komunës dhe për këtë arsye është nënshkruar edhe memorandumi i mirëkuptimit dhe ato vendbanime dhe pronësi do të legalizohen, edhe pse aktualisht mund të ketë telashe me fletat poseduese të nevojshme për ta dëshmuar pronësinë:
"Një pjesë kanë dëshmi, por edhe ata që nuk kanë dëshmi, do t’i kthejmë vendbanimet joformale në formale dhe ne jemi dëshmitarë dhe i njohim të gjithë ata që kanë jetuar me vite të tëra dhe nuk ka problem për pronën që të shndërrohen në banim formal, në emër të tij domethënë."
Sipas pohimeve të përfaqësuesve të romëve, në këtë lagje para luftës kanë jetuar rreth 8 mijë pjesëtarë të komunitet rom, të cilët më pas i kanë braktisur shtëpitë e tyre dhe për shtatë vjet kanë jetuar në tre kampe në pjesën veriore të Mitrovicës. Rreth një vit më parë është konstatuar se vendbanimet e tyre kanë qenë të kontaminuara dhe është gjetur sasi e palejueshme e plumbit në gjak, që ka shkaktuar edhe disa vdekje, për ç’gjë është alarmuar komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e Kosovës.



XS
SM
MD
LG