Ndërlidhjet

ENDE PA KONSENSUS PËR SHTYRJEN E ZGJEDHJEVE LOKALE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, kanë biseduar sot me partitë politike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të parapara që të mbahen gjatë vjeshtës së këtij viti, për shkak të procesit të përcaktimit të statusit. Mirëpo, në mungesë të një konsensusi të përgjithshëm me subjektet politike, nuk është marrë ende ndonjë vendim për shtyrjen apo mbajtjen e tyre në afatin e paraparë. Presidenti Sejdiu tha se shpresonte që partitë politike do të arrijnë deri te marrëveshja për shtyrjen e zgjedhjeve, në mënyrë që përqendrimi i klasës politike në Kosovë të jetë i orientuar kah statusi i Kosovës.
Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut, Jessen Petersen tha se është në favor të shtyrjes së zgjedhjeve, pasi që gjatë vjeshtës, sipas tij, pritet të merret dhe vendimi për statusin e Kosovës. Megjithatë, ai tha se dëshiron që për këtë vendim të ketë një konsensus të përgjithshëm me partitë politike:
“Para se të marr vendim për shtyrjen apo jo të zgjedhjeve, sepse kjo është përgjegjësi e rezervuar e imja, së pari desha t’i dëgjoj dhe mendimet e partive politike”, tha Jessen Petersen.
Në anën tjetër, partitë në pushtet mbështesin shtyrjen e zgjedhjeve dhe përqendrimin në bisedimet për statusin, kurse ato opozitare vlerësojnë se zgjedhjet mund të mbahen edhe gjatë vjeshtës. Nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha thotë se procesi i statusit është çështje prioritare dhe të gjitha proceset e tjera, pra edhe zgjedhjet, duhet të mbeten në plan të dytë:
“Është koha kur duhet të përqëndrohemi të gjithë, i madh e i vogël, për statusin e Kosovës dhe mendoj se marrja tash me fushatën zgjedhore do ta zbehë punën, aktivitetin në aspektin e përcaktimit të statusit të Kosovës. Zgjedhje kemi pasur dhe do të kemi prapë”, tha Berisha.
Qëndrim të ngjashëm me LDK-në, ka dhe partneri tjetër i koalicionit, AAK-ja. Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Gjylnaze Syla, thotë se prioritet i Kosovës është statusi dhe pavarësia e vendit:
“Dihet se çka është prioritet tani për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës dhe mendoj se e gjithë energjia dhe fokusi ynë, i të gjithëve, duhet të jetë në zgjidhjen e statusit të Kosovës e rrjedhimisht pastaj të mbahen edhe zgjedhjet”, tha Syla.
Ndonëse nuk ka një qëndrim krejt definitiv, PDK-ja si subjekti më i madh opozitar, thotë se në parim është për mbajtjen e zgjedhjeve gjatë vjeshtës. Por, sipas nënkryetarit të saj, Fatmir Limaj, PDK ende mbetet e hapur për shqyrtimin e të gjitha propozimeve dhe në fund do të mbështes atë propozim që tregohet në interes të Kosovës:
“PDK parimisht është për mbajtjen e zgjedhjeve në afatin e rregullt, mirëpo ne nuk përjashtojmë mundësinë për konsulta edhe me forcat e tjera politike dhe të gjendet një konsensus që do të merrte një vendim të përbashkët”, theksoi Limaj.
Ndërkaq subjekti i dytë opozitar, Ora, është deklaruar edhe sot se mbështet vetëm mbajtjen e zgjedhjeve sipas afatit të paraparë. Deputeti i kësaj partie, Nazim Jashari, tha se nuk sheh arsye pse duhet të shtyhen zgjedhjet për vitin tjetër:
“Qëndrimi i partisë Ora është që këto zgjedhje të mbahen, sepse më shumë ka përparësi dhe më shumë të mira i sjell Kosovës mbajtja e zgjedhjeve në kohën e caktuar, se shtyrja e tyre. Përkundër procesit, besojmë se do të ishte një pjekuri dhe sinjal shumë i qartë se do t’ia dilnim t’i mbajmë zgjedhjet njëkohësisht me procesin negociator”, tha Jashari.
Gjatë takimit të sotëm, të mbajtur në selinë e Misionit të OSBE-së në Prishtinë, 9 parti politike kanë mbështetur shtyrjen e zgjedhjeve lokale, kurse 7 të tjera janë shprehur kundër shtyrjes. Kryeadministratori Jessen Petersen tha se takime të ngjashme do të organizohen brenda dy-tre javëve të ardhshme, para se të merret vendimi përfundimtar për caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG