Ndërlidhjet

OSBE: MOSNDRYSHIMI I KUFIJVE- PARIM UDHËHEQËS NË PROCESIN E STATUSIT TË KOSOVËS


Isuf Kadriu, Shkup

Kryesuesi i radhës i OSBE-së, njëherësh Ministër i Jashtëm i Belgjikës Karel de Gucht, tha sot në Shkup se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë ndryshimin e kufijve në Ballkan, kuptohet, duke mospërjashtuar këtu edhe Kosovën. Ai këto komente i bëri pas takimeve që mbajti me zyrtarët më të lartë shtetërorë të Maqedonisë.
"Mosndryshimi i kufijve të Kosovës është një nga parimet udhëheqëse të këtij procesi dhe kjo duhet të respektohet. Gjetja e zgjidhjes së përhershme të statusit kërkon përparim të theksuar në përmbushjen e standardeve, para se të arrijmë tek statusi përfundimtar. Dhe në këtë drejtim mendoj se të gjithë fqinjët e Kosovës, duhet të demonstrojnë vetëpërmbajtje në deklarimet e tyre", tha kryesuesi i radhës i OSBE-së Karel de Gucht, i pyetur të komentojë vlerësimet e fundit të shefit të diplomacisë shqiptare Besnik Mustafaj, për çështjen e kufijve në Ballkan.
Ndërsa Ministrja e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Ilinka Mitreva, edhe njëherë ka potencuar qëndrimin e kryetarit të Maqedonisë se caktimi i vijës kufitare me Kosovën duhet të përfundojë para përcaktimit të statusit përfundimtar. Ky qëndrim sipas saj, përputhet me raportin e fundit të ambasadorit Kai Eide. Mitreva në anën tjetër tha se me kryesuesin e OSBE-së, kanë biseduar dhe për zhvillime të tjera në Maqedoni, e të cilat kryesisht ndërlidhen me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
"Është i fuqishëm përcaktimi i qeverisë së Maqedonisë për zbatimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Ky nuk do ishte vetëm obligim në përmbushjen e obligimeve të Maqedonisë, në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian, por edhe një tregues për pjekurinë politike të Maqedonisë", tha Mitreva. Ndërsa kryesuesi i radhës i OSBE-së tha se opinioni në Maqedoni duhet ta ketë të qartë se këto zgjedhje do të ndiqen me vëmendje nga bashkësia ndërkombëtare. Mitreva dhe Karel de Gucht kanë biseduar dhe për reformat në gjyqësi dhe për liberalizimin e regjimit të vizave. Ndërsa kryesuesi i OSBE-së ka inkurajuar qeverinë dhe institucionet e tjera shtetërore, të miratojnë dhe ligjin për policinë, miratimi i të cilit më parë kishte shkaktuar reagime në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG