Ndërlidhjet

PRISHTINË: U MBAJT DEBATI " KOSOVA PAS STATUSIT"


Albana Isufi, Prishtinë

Analistë politikë e profesorë të Universitetit të Prishtinës tërheqin vërejtjen se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet gjithsesi të përmbajë në vete tërësinë territoriale, si dhe të sigurojë subjektivitetin ndërkombëtar. Nëse arrihet një pavarësi pa mundësinë e anëtarësisë së Kosovës në Kombet e Bashkuara, vetë statusi do të komplikojë situatën e pas statusit.
Akademiku Esat Stavileci thotë se paqartësitë, që mund të lihen gjatë zgjidhjes së statusit përfundimtar, do paraqesin sfidat më të rënda që do përballen kosovarët paskësaj.
“Një zgjidhje hibride e statusit mund të lërë hapur dhe pa përgjigje disa pyetje. Statusi duhet të përmbyllë përfundimisht pozicionin politik të Serbisë ndaj Kosovës. Duhet të sigurojë një formë të fuqishme të ndikimit të SHBA-ve në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Dhe të saktësojë përmasat dhe mënyrat e mbikqyrjes, që quhen të ndjeshme”.
Po qe se Kosova nuk gëzon pavarësinë dhe sovranitetin në të njëjtën kohë, marrëdhëniet ndërkombëtare do të shtriheshin vetëm në fusha dytësore të një shteti, siç është arsimi, shëndetësia e kultura, thotë profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani. Në një debat shkencor “Kosova pas statusit”, të organizuar nga Universiteti privat i Prishtinës “Dardania”, Hasani deklaroi se u mbetet politikanëve, që gjatë negociatave të sigurojnë se Kosova do jetë sovrane.
“Në rrjedhat e deritashme, gjykuar sipas deklaratave publike të faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë, çështja e pavarësimit dhe sovranitetit të Kosovës nuk përjashtohet dhe ajo mbetet të shikohet, d.m.th. se cili do jetë rezultati përfundimtar i procesit politik”.
Akademiku Esat Stavileci, ndërkaq pohon se rezoluta e re e OKB-së mbi statusin do të duhej që të mos linte pezull çështje, të cilat më pas do të nxirrnin probleme të reja.
“Një rezolutë e re e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk do të duhej që të përmbante qëndrime të paqarta, ekuivoke, me mundësi për interpretime të ndryshme. Rezoluta e re do të duhej që në mënyrë shprehimore të deklaronte shkëputjen territoriale të Kosovës e të Serbisë, por jo tek lumi Ibër, ku janë synimet dhe orekset e Serbisë, por te kufijtë natyrorë të tyre, dhe që kufijtë e shënuar të Kosovës, përfshirë këtu edhe ata të Maqedonisë të jenë të pranuar në nivel ndërkombëtar”.
Akademiku Stavileci thotë se me zgjidhjen e statusit nuk zgjidhen të gjitha problemet në Kosovë. Kështu që liderëve kosovarë u mbetet të punojnë shumë që të krijojnë parakushte për funksionimin e Kosovës si shtet.
“Kosovës i duhet aftësi për të ndërtuar shtet, sepse bërja e shtetit është më shumë se një deklarim për të dhe këtu kam parasysh se në Kosovën e pas statusit, rimëkëmbja ekonomike paraqet një sfidë tjetër shumë të madhe, sepse starti është shumë i ulët”.
Zhvillimi i ulët ekonomik do jetë një sfidë e madhe për Kosovën e pas statusit, edhe sipas këshilltarit ekonomik të presidentit të Kosovës, Isa Mustafa. Vështirësitë e tanishme ekonomike sipas Mustafës do të vazhdojnë edhe pas statusit përfundimtar:
“Mirëpo ne mendojmë se do të hapet perspektiva e zgjidhjes së këtyre vështirësive, sepse sovraniteti do të mundësojë një qasje tjetër në institucionet financiare ndërkombëtare, ndaj pronës e ndaj resurseve në Kosovë, me të cilat ne nuk kemi zotëruar deri më tani, por UNMIK-u”.
Pjesëmarrësit e debatit shkencor kanë konstatuar se sfidë tjetër pas statusit do jetë edhë përballja e Kosovës me praninë ndërkombëtare, si dhe krijimi i strategjisë së të ardhmes së Kosovës në Bashkimin Evropian.
XS
SM
MD
LG