Ndërlidhjet

W. PETRISCH: DECENTRALIZIMI I PUSHTETIT LOKAL, I RËNDËSISHËM PËR STATUSIN E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Mënyra se si do të bëhet decentralizimi dhe suksesi i këtij procesi është zemra e zgjidhjes për statusin e ardhshëm të Kosovës, tha sot në Prishtinë Wolfgang Petrisch, ambasador i Austrisë së selinë e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë. Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarët, pas një takimi që ka pasur me 16 përfaqësues të partive politike të serbëve të Kosovës, nga të cilët ka kërkuar që të marrin pjesë aktive në institucionet e Kosovës. Zoti Petrisch tha se Kosova po kalon në momente të rëndësishme të historisë së saj, duke përkujtuar se ajo duhet të jetë shumetnike dhe në pajtim me konceptin qytetar dhe jo me konceptin kombëtar. Në këtë kuptim, zoti Petrisch tha se pushteti duhet të afrohet sa më afër qytetarëve dhe që të gjithë të jenë të barabartë:
"Decentralizimi do të jetë zemra e çfarëdo zgjidhjeje dhe unë nuk e di se cila do të jetë ajo zgjidhje, pasi nuk më takon mua të vendos," tha Wolfgang Petrisch. Sidoqoftë, ai nuk tha se cili ishte qëndrimi i tij për statusin e ardhshëm i Kosovës, por përkujtoi se parimet e bashkësisë ndërkombëtare e vënë në krye të listës një zgjidhje të negociuar:
"Është qëndrim prioritar në bashkësinë ndërkombëtare që të kemi një zgjidhje të negociuar për statusin e Kosovës , një zgjidhje të negociuar nga partnerët në këto negociata, Serbia dhe Kosova," tha Petrisch.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Rangjel Nojkiq, tha serbët e Kosovës e dinë se institucionet janë rruga e vetme për realizimin të drejtave dhe interesave të tyre, por tha se për këtë duhen plotësuar disa parakushte dhe jo që serbët të jenë vetëm dekor i atyre institucioneve. Nojkiq tha se aktualisht Beogradi përfaqëson interesat e tyre në bisedimet për decentralizim, por se ata nuk do të pajtohen me çfarëdo zgjidhjeje:
"Nëse megjithatë ndodh që rezultatet nuk do të jenë të kënaqshme për ne, pasi parimi ynë është jo numri i komunave, por shumica e qartë serbe në to, atëherë ne do të dalim me planin tonë, planin e serbëve të Kosovës," tha Rangjel Nojkiq, ndërkohë që kryetari i Partisë Liberale Serbe, e cila sapo është regjistruar në OSBE, Slobodan Petriviq tha se ata nuk duan të merren me çështjen e statusit, pasi e dinë se aty nuk mund të ndikohet:
"Kur është fjala për statusin e Kosovës ne mbështesim plotësisht delegacionet e Beogradit dhe të Prishtinës, pasi besojmë se në ato ekipe ka njerëz të mençur që dinë të marrin vendime të mençura," tha Slobodan Petroviq, sipas të cilit çështja më e rëndësishme është marrja me problemet reale të njerëzve në Kosovë.




XS
SM
MD
LG