Ndërlidhjet

NATO NUK KA PLANE PËR ZVOGËLIMIN E TRUPAVE PARA PËRFUNDIMIT TË STATUSIT TË KOSOVËS


Augustin Palokaj, Sofje

Në kryeqytetin e Bullgarisë Sofje, ka përfunduar sot takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s, ku ka patur pajtim mes të gjithë ministrave për domosdoshmërinë e mbajtjes së numrit të tanishëm të ushtarëve të NATO-s në Kosovë, deri në fund të procesit të statusit. Procesi i statusit është vlerësuar si shumë i vështirë, prandaj edhe duhet mbajtur forca e tanishme e NATO-s derisa të shihen rezultatet dhe të përfundojë ky proces. Por janë shprehur disa dallime rreth asaj se a duhet NATO-ja që tani të fillojë të planifikojë rolin në Kosovën e pas statusit. Diskutimet për fillimin e planifikimeve për rolin e aleancës në Kosovën e pas statusit, nuk kanë hasur në pajtueshmëri të madhe mes ministrave, dhe aty janë shprehur disa dallime. Përderisa vendet si Britania e Madhe, Sllovenia dhe Turqia dhe disa të tjera kanë qenë të mendimit se duhet shikuar që tani përtej statusit dhe për këtë NATO-ja duhet të sigurojë struktura efektive për fazën e pas statusit, Spanja ka bërë thirrje për më shumë kujdes rreth kësaj çështjeje. Spanja mendon se nuk duhet të diskutohet tash për rolin ushtarak në Kosovë para se të përfundojë procesi i statusit. I duhet dhënë shanci këtij procesi, është shprehur dhe Ministri i Jashtëm i këtij vendi Moratinos.
Për Kosovën është diskutuar edhe në një takim të ministrave të NATO-s me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov, në takimin e Këshillit NATO- Rusi, që po ashtu ka përfunduar sot në Sofje. Duket se Kosova ka qenë njëra rreth temave të rralla, ku nuk ka patur dallime të mëdha, sepse NATO-ja dhe Rusia kanë shumë dallime rrethe Biellorusisë, Iranit dhe çështjeve të tjera. Por në konferencën për shtyp Ministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se disa anëtarë të Grupit të Kontaktit, në deklaratat e tyre shkojnë përtej asaj për të cilën është rënë dakort në udhëzimet e këtij grupi.
"Ne të gjithë presim që të vazhdohet procesi që ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje të pranueshme për palët. Po ashtu Prishtina duhet të përqëndrohet në përmbushjen e standardeve, përfshirë edhe atyre për pakicat. Të krijojë mundësinë për kthimin e tyre në Kosovë, për një jetë normale, dhe për vetadministrim për pakicat në Kosovë", ka thënë Lavrov. Ai megjithatë ka thënë se ka dallime me deklarimet publike që i bëjnë disa shtete anëtare të Grupit të Kontaktit rreth statusit të Kosovës, të cilat, siç tha ai, shkojnë përtej asaj që është në udhëzimet e këtij grupi.
"Ne nuk jemi të bindur, e as serbët nuk janë të bindur po ashtu, se nuk ka alternativë tjetër pos pavarësisë së plotë të Kosovës", tha ministri rus.
Në takimin e ministrave të NATO-s është diskutuar edhe për zgjerimin e aleancës dhe porositë inkurajuese që pritet t'u dërgohen Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë në samitin e Rigës në fund të nëntorit të këtij viti. Siç dihet, nga ai samit, është konfirmuar dhe sot se nuk do të dërgohen ftesa për anëtarësim të këtyre vendeve në NATO, por përmendet mundësia që të paralajmërohet se ftesa mund të dërgohet në vitin 2008, nëse këto vende do t'i përmbushin kriteret.
Ne do të jemi të gatshëm, kur këto vende të jenë të gatshme, ka përsëritur edhe sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer. Edhe Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs është shprehur se dyert e NATO-s mbeten të hapura për vendet demokratike të Evropës, se dëshirojnë të anëtarësohen. Por kur do të hyjnë varet nga vetë ato dhe nga përmbushja e kritereve dhe gatishmëria për të marrë përsipër përgjegjësitë si anëtare të NATO-s.

XS
SM
MD
LG