Ndërlidhjet

MOORE: PA BALLKANIN NUK KA EVROPË TË LIRË


Patrick MOORE, analist i Radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, nga Brukseli drejt Ballkanit kohëve të fundit arrijnë vlerësime kontradiktore. Disa thonë se vendet e Ballkanit herët a vonë duhet të anëtarësohen në BE, disa të tjerë pohojnë se procesi i zgjerimit të BE-së ka marrë fund. Si e shihni ju këtë çështje?

PATRICK MOORE
Ajo që shohim këtu është një vazhdim i paqartësisë, mjegullsisë që ka mbëshjellë të ardhmen e Bashkimit Evropian që nga viti 2005, kur votuesit francezë dhe hollandezë refuzuan kushtetutën evropiane. Shumë politikanë e panë refuzimin e kushtetutës nga votuesit në këto dy shtete themeluese të Bashkimit Evropian si një refuzim të zgjerimit. Na kujtohet se gjatë fushatës për referendumin francez, u bë shumë zhurmë për çështjen e fermerëve polakë, të krahut të lirë të punës nga lindja që do të vinte dhe do të merrte vendet e punës. Ata që kundërshtonin zgjerimin, ishin, siç thashë, këta politikanë që ndien se zgjerimi ishte politikisht jo i popullarizuar si koncept, prandaj donin që të largoheshin prej tij. Kjo është shumë e vërtetë për shembull në Austri. Ka gjithashtu njerëz që legjitimisht ndiejnë se pas zgjerimit të fundit me 10 anëtarë, 8 prej të cilave vende ish komuniste, një lloj pushimi prej disa vitesh është i nevojshëm për ta absorbuar këtë ndryshim. Nuk është një argument i bërë me cinizëm, por në bazën e një besimi të shëndoshë. Përmes zgjerimit sigurisht ata janë njerëz që tentojnë të jenë mjaft të skajshëm. Dhe nuk po flas për njerëz mjaft idealistë, por kam ndërmend edhe njerëz që mendojnë se kanë bërë disa premtime apo zotime ndaj këtyre vendeve dhe që këto zotime duhen respektuar. Ky është këndvështrimi i komisionerit të zgjerimit Oli Rehn, për shembull. Nga ana tjetër ka dhe njerëz që janë shumë pragmatistë dhe që ndiejnë se nëse vendet e Ballkanit nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, atëhere BE_ja ka një "vrimë të zezë"të rrezikshme në mes të territorit të vet.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditëve kemi dëgjuar një zyrtar të lartë amerikan të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara gjatë 50 viteve të fundit kanë luftuar për një Evropë unike dhe në paqe, dhe se rrjedhimisht Uashingtoni do të insistojë që edhe vendet e Ballkanit një ditë kur të mbushin kushtet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

PATRICK MOORE
Është e qartë që Shtetet e Bashkuara e shohin rëndësinë e mënjanimit të situatës që sapo folëm më sipër, një situatë në të cilën një" vrimë e zezë" do lindte në mes, e rrethuar nga vende të Bashkimit Evropian. Për këtë arsye SHBA-të nuk duan që në Evropë të ngrihet një "vrimë e zezë", tunduese për terrorizmin dhe krimin e organizuar. Gjithashtu mendoj se SHBA-të veprojnë edhe si një zë i miqve të tyre, duke ndihmuar aty ku munden. E kemi parë këtë javën e kaluar, kur Sekretarja e Shtetit Condoleeza Rice, pas vizitës që i bëri Bullgarisë u nis për në Libi, ku kërkoi lirimin e infermiereve bullgare që mbahen aty. Pra SHBA-të nuk i harrojnë miqtë e tyre. Problemi me përfshirjen amerikane në gjithë këtë është se ka shumë veta në BE që kanë mosbesim (një fjalë e vakët për të mos thënë urrejtje) ndaj Shteteve të Bashkuara dhe që janë të gatshëm të bëjnë të kundërtën e asaj që shihet se bëjnë Shtetet e Bashkuara. Për shembull Shtetet e Bashkuara thonë publikisht që BE-ja duhet të pranojë Turqinë si anëtare dhe kjo i bën disa njerëz në qarqe të caktuara politike dhe intelektuale të Evropës shumë nervozë dhe i bën që të jenë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE. Pra kjo është një balancë e vështirë diplomatike.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse vendet e Ballkanit përfundimisht nuk do të pranohen në Bashkimin Evropian, çfarë do të jenë pasojat politike për Ballkanin, Evropën dhe më gjerë?

PATRICK MOORE
Siç e thamë më sipër, në radhë të parë është çështja e formimit të "vrimës së zezë". Së dyti patja e kësaj " vrime të zezë", kësaj zone vendesh të paintegruara në BE, në thelb vendet e ish Jugosllavisë pa Slloveninë, por përfshirë Shqipërinë, do të ishte një shaka e konceptit të BE-së që pretendon të jetë një institucion i vërtetë evropian. Kjo do të ishte e barabartë që disa janë më evropianë se të tjerët, dhe disa i përkasin Evropës dhe disa jo. Do të zbulonte gjithashtu BE-në si një klub burrash të pasur dhe me disa anëtarë të toleruar të klasit të dytë në Evropën lindore si Polonia dhe Çekia, të cilët, siç e tha dhe presidenti Shirak para disa vjetësh, kanë të drejtën të mbyllin gojën. Sigurisht që atëhere do të kishte dhe vende të klasit të tretë dhe të katërt që qëndrojnë para derës. Pra kjo vështirë është një pamje e një Evrope të lirë dhe të plotë, siç e thotë i jati i presidentit të tanishëm George Bush. Së fundi, nëse vendet e Ballkanit perëndimor mbeten jashtë BE-së, askush nuk mund t'i fajësojë nëse kërkojnë miq diku tjetër. Kështu do të ketë një "territor peshkimi" për Rusinë, për disa vende të Lindjes së Mesme, ku mund të tentojnë të shtrijnë influencën e tyre dhe le të mos harrojmë që krimi i organizuar ndërkombëtar do ta shihte këtë "vrimë të zezë", apo hapësirë të rrethuar nga Bashkimi Evropian si një hapësirë shumë të favorshme gjeografike por pa kontrollin evropian.

Intervistoi Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG