Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIUES FINALIZOI DOKUMENTIN PËR BISEDIMET E VJENËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi negociues për statusin ka finalizuar sot dokumentin bazë që përcakton pozicionin e Kosovës për formimin e komunave të reja dhe zgjidhjen e problemit të Mitrovicës. Gjithashtu, ekipi negociues ka caktuar dhe delegacionin që do ta përfaqësojë Prishtinën në takimin e radhës për decentralizimin që mbahet më 4 dhe 5 maj në Vjenë. Përbërja e këtij delegacioni është e njëjta me atë të takimit të fundit, kurse shef i delegacionit do të jetë sërish, zëvendëskryeministri, Lutfi Haziri. Në emër të grupit negociues, këshilltari i presidentit të Kosovës, Skënder Hyseni, tha se ekipi kosovar ka konsensus si për komunat e reja që do të formohen, ashtu edhe për zgjidhjen e çështjes së Mitrovicës. Mirëpo për shkak të mosdëmtimit të negociatave, Hyseni tha se nuk do të shpalosë numrin e komunave të reja, që pala kosovare do të propozojë të formohen gjatë takimit të Vjenës:
“Ekipi negociator ka rënë dakord që në Vjenë të shkohet edhe me pozicionin për disa komuna të tjera të reja, por për shkaqe krejtësisht strategjike të negocimit, unë nuk do t’ju flas sot sa komuna, sepse kjo është çështje e negocimit”, tha Hyseni.
Në vazhdim, Hyseni edhe këtë herë tha se në kuadër të takimit të Vjenës pritet të dilet dhe me pozicionin lidhur me zgjidhjen e problemit të Mitrovicës. Ai tha se plani i Prishtinës mbetet i njëjti dhe me të parashihet formimi i dy njësive komunale, përderisa qyteti do të vihej nën administrimin ndërkombëtar edhe për tre vjet:
“Ne jemi të sigurtë dhe të vendosur që qyteti i Mitrovicës duhet të udhëhiqet dhe të qeveriset nga një strukturë e përbashkët. Sigurisht në të ardhmen, pas periudhës kalimtare, që është propozuar të jetë një administrator ndërkombëtar, atëherë qyteti i Mitrovicës si tërësi, do të zgjedhë një kryetar bashkie, unë parashoh. Kështu që absolutisht nuk do të ketë kompromise në asnjë rrafsh që cënon karakterin unitar të Kosovës”, theksoi Skënder Hyseni.
Takimi i 4 dhe 5 majit në Vjenë është paralajmëruar të përmbyllë ciklin e negociatave për decentralizimin. Ndërsa Beogradi, sipas njoftimeve nga mediat e atjeshme ka kërkuar formimin e 15 apo 16 komunave të reja me shumicë serbe në Kosovë, Skënder Hyseni tha se oferta e Prishtinës nuk është as afër kësaj shifre. Gjatë prononcimeve të mëhershme, zyrtarë vendorë kanë potencuar se në kuadër të komunave të reja që mund të formohen janë Graçanica, Novobërda, Ranillugu, si dhe Parteshi dhe njësia komunale në veri të Mitrovicës, që do t’i ketë specifikat e veta, por autorizimet e ngjashme me secilën prej komunave tjera. Por, formimi i këtyre komunave është thënë se kërkon dhe ndryshimin e kufijve aktualë të këtyre vendbanimeve. Pas bisedimeve për decentralizimin, pritet të fillojë një raund i ri negociatash për trashëgiminë kulturore.

XS
SM
MD
LG