Ndërlidhjet

RAMOSAJ: ZGJIDHJA E STATUSIT DO E ORIENTOJË VËMENDJEN NGA PROBLEMET EKONOMIKE


Dr. Berim Ramosaj ekspert i ekonomisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ramosaj, gjendja ekonomike në Kosovë është vlerësuar si jo e mirë. Organizata të ndryshme ndërkombëtare kanë vlerësuar se shkalla e varfërisë është shumë e lartë dhe përfshin më shumë se gjysmën e popullsisë. Ndërkohë është tërhequr vërejtja për mundësinë e trazirave sociale për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike. Si e vlerësoni ju në të vërtetë gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë?

BERIM RAMOSAJ
Në kushte normale ajo kishte për të ndodhur; në kushte normale dhe me popujt që nuk janë të preokupuar me problemin e identitetit shtetëror. Por te ne si është rasti me Kosovën, popullata në përgjithësi, edhe stablishmenti politik, gati edhe shtresat më të ulëta janë të preokupuara me problemin e statusit. Kështu që gati edhe krejt energjia dhe motivimi janë të orientuara në këtë drejtim, andaj nuk u besoj mundësive për trazira, bile në këtë periudhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si e vlerësoni gjendjen aktuale ekonomike në Kosovë. Çfarë janë trendet e zhvillimit ekonomik?

BERIM RAMOSAJ
Gjendja ekonomike në Kosovë është vërtet e palakmueshme, duke marrë parasysh treguesit e zhvillimit makroekonomik dhe aspektet e zhvillimit biznesor në përgjithësi. Këtë e them duke u mbështetur në atë se momentalisht, dihet se një shumë e madhe e mjeteve të qytetarëve kosovarë që e kishin si akumulim personal të tyre, si kursime personale, kanë shkuar në Serbi, diku mbi 4 miliardë dhe ato në procesin normal të shitblerjeve, ndërsa një pjesë e madhe e mjeteve, mbi 200 milionë kanë shkuar në fondin e privatizimit. Këto procese kanë ndodhur si procese stihike që vijnë si rezultat i mospërcaktimit të saktë të pronës, pasi njerëzit kanë dashur ta përcaktojnë pronën dhe ndryshimi apo mobiliteti i popullatës që ka ndodhur nga fshati në qytet, apo i apetiteve të ndryshme të qytetarit kosovar që ende ka mentalitet të shekullit XIX, patriarkal që “për kapuç të madh” bën shumë. Ne jemi vetë dëshmitarë që në procesin e privatizimit kryesisht janë blerë pronat, ndërmarrjet shoqërore, nga persona të cilët nuk janë të gatshëm t’i fusin në xhirim, në biznes ato biznese shoqërore që kanë marrë, por gati që i kanë marrë për të figuruar në pasurinë e tyre, ose për të figuruar në mentalitetin e tyre se kanë diçka të madhe dhe atë që e kanë bërë me kohë, duan të konkretizojnë, qoftë në tokë, qoftë në ndërtesa. Kështu që, ajo që është më e keqja, as qeveria e Kosovës nuk merret me ekonomi, si qeveri qëndrore dhe këtë e them me kompetencë, ndërsa qeveritë lokale më tepër janë të orientuara në probleme të natyrave administrative.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë arsyet e mungesës së zhvillimit ekonomik, një zhvillimi të dukshëm, të prekshëm ekonomik në Kosovë?

BERIM RAMOSAJ
Ne kemi menduar se burim krysor i zhvillimit ekonomik do të jenë investimet nga jashtë dhe kthimi i kursimeve në investime. Asnjëra prej tyre nuk ndodhi, sepse infrastruktura ligjore momentalisht nuk është e plotë për procesin e investimeve nga jashtë, pasiguria është relativisht e madhe në këtë proces me sezonë që jemi, midis statusit të pazgjidhur dhe zgjidhjes së mundshme të statusit dhe në anën tjetër politikat ekonomike të qeverisë ekzistuese dhe në përgjithësi politikat ekonomike të Kosovës, janë gati të orientuara në mbajtjen e gjendjes së status quo-së për momentin, deri sa të zgjidhet statusi, thua se statusi po zgjidhka gjithçka. Në aspektin ekonomik, unë mendoj se problemet e mëdha do të ndodhin pas përcaktimit të konturave themelore të statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fakt është thënë, ekspertë të shumtë kanë thënë se pengesa kryesore është statusi i pazgjidhur. A do të ndodhë mrekullia pas statusit në aspektin e zhvillimit ekonomik?

BERIM RAMOSAJ
Pengesë është moszgjidhja e statusit të Kosovës, mirëpo mentaliteti ndërmarrës, zhvillimin e aktiviteteve biznesore dhe politikat ekonomike nuk i pengon askush, bile të jenë si projekte që fillojnë menjëherë pas atij procesi. Edhe pse, do të jetë një kontinuitet, unë nuk shoh diçka bombastike në këtë proces. Unë mendoj që ata që thirren shumë në pjesën politike e më pak në atë pjesën ekonomike ose gabojnë, ose nuk e njohin atë fushë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, si e shihni ju procesin e privatizimit. Në fakt, a i ka përmbushur ato pritjet që kishin qytetarët e Kosovës, por edhe institucionet se privatizimi do të ndjellë investuesit e huaj dhe a e ka kryer misionin e vet procesi i privatizimit deri në këtë kohë?

BERIM RAMOSAJ
Kuptimi i privatizimit në Kosovë është krejt kuptim i konceptit administrativ, sepse UNMIK-u mendon se e ka privatizuar pronën, nëse e ka ndërruar vetëm titullarin, ndërsa ne nuk e kuptojmë kështu – privatizimin e kemi kuptuar jo vetëm si transformim të titullarit të pronës, por edhe transformim organizativ të transformimit të bizneseve që deri dje kanë funksionuar, të transformohen me programe të reja dhe kjo nuk ka ndodhur. Do të thotë vetëm për pjesën e parë është interesuar. Sot, shtyllës së katërt dhe UNMIK-ut i intereson sa turne i çon të privatizimit, sa ndërmarrje i ka shitur dhe nuk i intereson fare se a është ajo shitje në funksion të zhvillimit apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse i kthehemi edhe një herë çështjes së statusit, cilat mund të jenë përparësitë e statusit të zgjidhur, të definuar, në raport me zhvillimin ekonomik?

BERIM RAMOSAJ
Edhe pse vetë jam apologjet i asaj se pas statusit do të qartësohet ky mjedis kosovar, qoftë politik, qoftë ekonomik qoftë në përgjithësi kosovar, mirëpo nuk mund të themi se pas statusit çdo gjë është e sqaruar dhe e kënaqshme në aspektin ekonomik dhe për këtë mendoj se do të fillojnë problemet e mëdha. Mirëpo, kanë me qenë probleme të natyrës ekonomike dhe sociale. Sigurisht se sqarimi i statusit do ta sqarojë problemin e infrastrukturës juridike, pasi më nuk do të ketë nevojë që të pritet nëse ligjet do t’i nënshkruajë një person apo jo, ligjet që na japin bazë për implementim, për shembull të investimeve të huaja që ende nuk e kemi në sipërfaqe. Mandej në aspektin e mentalitetit dhe orientimit të qytetarëve dhe ndërmarrësve më nuk do të harxhohen energji rreth problemit të statusit – krejt energjia do të orientohet në zhvillimin qoftë të bizneseve individuale, familjare si mikrobiznese, qoftë të bizneseve mesatare, qoftë të zhvillimit ekonomik në përgjithësi. Bile - bile edhe qeveria më nuk do t’i ketë preokupim problemet politike, por krejtësisht do të orientohet në një qeveri me probleme ekonomike të natyrës së zhvillimit dhe jo të natyrës së plotësimit të standardeve.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi



XS
SM
MD
LG