Ndërlidhjet

DEPUTETËT KËRKOJNË MË TEPËR INFORMACIONE PËR BISEDIMET E VJENËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk do të pajtohet me asnjë marrëveshje apo zgjidhje për decentralizimin, nëse kjo marrëveshje nuk miratohet paraprakisht nga Parlamenti, kanë thënë sot deputetë të dy partive më të mëdha në Kosovë. Deputetë nga LDK-ja dhe nga PDK-ja, mendojnë se ekipi negociator nuk po e informon me kohë Kuvendin, për të gjitha zhvillimet në kuadër të negociatave në Vjenë. Por sidoqoftë ata vlerësojnë se ky ekip nuk mund të lidhë kurrëfarë marrëveshjesh për decentralizimin apo organizimin e kufijve të komunave pa miratimin e institucionit më të lartë në Kosovë. Deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti tha se ekipi i unitetit duhet të respektojë rezolutën e Kuvendit dhe të kuptojë se ajo e obligon atë gjatë procesit të bisedimeve:
“Ne kemi aprovuar në Kuvend një rezolutë, e cila është obliguese për ekipin e unitetit që po i thonë, por edhe ekipin negociator, ekip që është mandatuar nga Kuvendi ta respektojë rezolutën. Ju garantoj që Kuvendi do ta respektojë rezolutën e vet, dhe asnjë vendim që ka të bëjë me Kosovën, nuk do të kalojë pa e aprovuar Kuvendi”, theksoi Hamiti.
Deputeti Sabri Hamiti tha se ai si kryesues i komisioni parlamentar për bashkëpunim me jashtë, është duke e përcjellur me kujdes punën e grupit të unitetit dhe bisedimeve, kështu që në rast nevoje do të kërkojë që Kuvendi ta thotë fjalën e vet në procesin e bisedimeve.
Ndërkohë që deputeti i PDK-së, Ramë Buja tha se Kuvendi e ka obliguar grupin negociues që të raportojë kohë pas kohë për bisedimet në Vjenë, por kjo sipas tij, nuk po ndodh:
“Nëse ndodh diçka që nuk do të jetë e pajtueshme me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe parlamentit të Kosovës, nuk do të ndodhin gjëra krejt normale”, tha Buja.
Roli i Kuvendit në procesin e bisedimeve është përcaktuar përmes një rezolute, e cila e rikonfirmon vullnetin e popullit për Kosovën shtet të pavarur e sovran, që është miratuar qysh në fazën e parë të bisedimeve. Kjo rezolutë thotë se grupi negociues nuk mund të lidhë asnjë marrëveshje gjatë procesit të bisedimeve, nëse ajo nuk merr miratimin e Kuvendit. Lidhur me bisedimet Prishtinë – Beograd në Vjenë, ekipi i unitetit ka raportuar një herë deri më tash para Kuvendit, por debati pati përfunduar pa ndonjë rekomandim apo sugjerim konkret lidhur me punën e grupit negociues.




XS
SM
MD
LG