Ndërlidhjet

VJENË: QËNDRIMET E PALËVE NË BISEDIME-TEJET TË KUNDËRTA


Beqë Cufaj, Vjenë

Në Vjenë po zhvillohen bisedimet mes delegacionit të Prishtinës dhe atij të Serbisë për decentralizimin, me ndërmjetësim të diplomatit austriak Albert Rohan, që është zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.
Burime nga takimi i sotëm në Vjenë kanë bërë të ditur se rrjedha e takimit të deritanishëm ka shkuar siç është pritur. Palët nga Prishtina dhe Beogradi kanë filluar me paraqitjet e tyre, me propozimet e tyre konkrete, për kufijtë e komunave të tashme dhe të ardhshme të Kosovës. Me këtë rast duhet theksuar se pala serbe, siç e ka bërë të ditur në mëngjes, ka paraqitur dhe propozimin e saj për 17 komuna serbe, ndërsa pala shqiptare nuk ka përmendur numra konkretë, por është përpjekur që faktikisht, para së gjithash në bazë të statistikave që kanë të bëjnë me numrin e popullsisë në këto rajone, me të dhënat ekonomike për shtrirjen dhe fuqinë ekonomike për bizneset dhe për çështjet e tjera që kanë të bëjnë me strukturat e mundshme mbi të cilat do të mund të ndërtoheshin këto komuna, ka paraqitur propozimet e saj. Derisa pala serbe, siç është bërë e ditur nga këto burime, pak a shumë është përpjekur që tërë projektin, prezantimin e saj t'i paraqesë mbi baza ekskluzivisht etnike. Faktikisht në një farë mënyre serbët kanë ardhur me atë që pak a shumë është pritur, kanë kërkuar maksimumin, i cili sipas asaj që mund të merret vesh, as nga kosovarët e as nga ndërkombëtarët, përkatësisht nga mediatorët ndërkombëtarë nuk do të pranohet. Kjo për faktin se tashmë është bërë e ditur që zoti Rohan, para disa javësh, disa herë kishte deklaruar që baza e komunave të reja, që do të mund të ndërtoheshin apo ngriheshin në Kosovë duhet të jetë 70 deri 80 përqind e pastër etnikisht. Duhet theksuar edhe një detaj interesant që derisa serbët kërkojnë komuna për banorët e tyre, me vendbanime deri në 500, 1000 ose 2000 banorë, pala shqiptare atyre u ka paraqitur kundërargumentin që mesatarja e një komune serbe përbën diku deri 33 mijë banorë, që nuk përkon me propozimet në fjalë. Një element tjetër shumë i rëndësishëm në bisedimet e sotme është që pala serbe kërkon krijimin e të ashtuquajturave komuna virtuale. Domethënë serbët nisen gjithnjë nga presupozimi se sa serbë do të kthehen në një vendbanim, kur ata do të mund të kthehen dhe si do të kthehen, në mënyrë që të ngrihet komuna, gjë që është e papranueshme qoftë për Prishtinën, por edhe në njëfarë mënyre edhe për vetë ndërkombëtarët, përkatësisht për zotin Rohan dhe zotin Ahtisari, të cilët po kështu kanë bërë të qartë më parë, që nuk do të pranojnë komuna të tilla, përkatësisht propozime të tilla virtuale të komunave kosovare. Bisedimet janë të vështira dhe duhet thënë përfundimisht ajo që është pritur dhe po ngjet. Pozicioni i Prishtinës dhe Beogradit është vërtet i largët me njëri tjetrin, tepër i largët dhe duhet pritur me shumë kuriozitet se cili do të jetë reagimi në këtë mes i ndërkombëtarëve.
Ndërkaq deri tani, në bazë të burimeve, çështja e Mitrovicës ende nuk është shqyrtuar. Tani për tani ajo që ka ngjarë në Vjenë është se janë nxjerrë hartat, është folur për konceptet e përgjithshme, ka filluar të flitet konkretisht për vendbanimet, përkatësisht propozimet konkrete, se cila do të duhej apo do të mund të ishte komunë dhe pse do të mund të ishte komunë. Kurse Mitrovica do të jetë një pikë e veçantë e rendit të ditës sot më vonë, por edhe nesër paradite deri rreth orës 11, kur edhe do të paraqitet zoti Rohan dhe më pas palët pjesëmarrëse në konferencën për shtyp. Çështja e Mitrovicës pritet të trajtohet sot pasdite.

XS
SM
MD
LG