Ndërlidhjet

EKSPERTËT THONË SE KORRUPSIONI POLITIK KA LIDHJE TË NGUSHTA ME KRIMIN E ORGANIZUAR


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Korrupsioni politik ka lidhje të ngushta me krimin e organizuar dhe një lidhshmëri e tillë ndikon shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, thonë ekspertët për çështje ekonomike.
Sabri Kadriu, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, pohon se kjo dukuri tashmë ka marrë përmasa të mëdha, dhe sipas tij, institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë lidhur ngushtë me krimin e organizuar, sidomos me keqpërdorimin e dhënies së tenderave.
"Drejtpërdrejt krimi politik dhe krimi ekonomik janë të lidhura. Kjo sepse fshatari, pensionisti dhe ai që punon nuk mund të merret me to. Tenderat ata i udhëheqin, praktikisht prokurimet e të gjitha të tjerat të buxhetit të Kosovës ata i bëjnë dhe administrata e tyre."
Në një raport që ka bërë Instituti Kosovar i Kërkimeve dhe Zhvillimeve të Politikave, thuhet se krimi i organizuar paraqet kërcënim të tanishëm dhe afatgjatë të sigurisë. Lulzim Peci, udhëheqës i këtij instituti, thotë se nëse arrihet që politika të përfshihet në krim, atëhere shteti nuk do të kontrollohet nga institucionet demokratike, por nga krimi.
"Ne kemi patur të dhëna nga UNMIK-u, të dhëna konfidenciale të UNMIK-ut dhe KFOR-it, për përdorim të brendshëm, që tregojnë se ka raste të tilla dhe kjo është rrezik për të ardhmen."
Lidhjet e korrupsionit politik me krimin e organizuar, kanë të bëjnë me funksionimin e dobët të ligjit, që gjithashtu paraqesin probleme serioze të sigurisë në Kosovë, thotë zoti Peci.
"Për t'u ndërtuar shteti i ligjit ne pikë së pari kemi nevojë që trekëndëshi në mes të sistemit gjyqësor të Kosovës, shërbimit policor të Kosovës dhe agjencioneve të tjera të sigurisë dhe shërbimet korrektuese të funksionojnë me rregull dhe të ketë një kontroll të fuqishëm demokratik, si nga qeveria ashtu dhe nga parlamenti, për këto tre segmente të funksionimit të shtetit të ligjit."
Edhe zoti Kadriu thotë se mungesa e infrastrukturës ligjore dhe moskontrollimi i institucioneve më të larta vendore dhe ndërkombëtare ka bërë që kjo dukuri dita ditës të rritet.
"Meqënëse është ligji mbi prokurorimet publike, ai është aq konfuz saqë mundëson që në kuadër të ligjit të keqpërdoret vetë ligji. Baza juridike nuk është e shëndoshë për të luftuar këtë dukuri. Por është dhe çështja e mentalitetit e kulturës, çështja e transparencës, sepse çdo gjë bëhet me mjetet e publike duhet të jetë transparente".
Ndryshe, institucionet publike pohojnë se i kanë shpallur luftë korrupsionit dhe në këtë kuadër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin antikorrupsion, në kuadër të të cilit është themeluar edhe agjencia antikorrupsion. Por për ekspertë të çështjeve ekonomike, korrupsioni është vështirë të luftohet nga njerëz që mund të jenë të korruptuar.

XS
SM
MD
LG