Ndërlidhjet

LËVIZJA “VETËVENDOSJA” SËRISHT KËRKON LARGIMIN E UNMIK-UT


Albana Isufi, Prishtinë

Përmes 10 udhëzimeve për evakuim, Lëvizja “Vetëvendosje” ka kërkuar sot sërish largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara nga Kosova. Anëtarët e Vetëvendosjes kanë hedhur nga katet e larta të ndërtesave përballë UNMIK-ut qindra pamflete, ndërkohë që në prapavijë kishin lëshuar një sirenë të fuqishme alarmuese, që përdoret në rastet e evakuimit.
Një rrëmujë është bërë kur policia ka ndërhyrë për të shpërndarë anëtarët e “Vetëvendosjes”. Kjo Lëvizje, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se 21 aktivistë të saj janë arrestuar. Zëdhënësja e SHPK-së Sabrije Kamberi thotë se ka edhe të lënduar.
“Disa që i kanë sjellë në stacion. Unë jam këshilluar dhe me prokurorin, ku me urdhër të tij dhjetë persona mbahen në stacion dhe në lidhje me këtë rast i kemi katër policë të lënduar, njëri prej tyre është më rëndë".
Lëvizja “Vetëvendosje” ka kohë që është duke ndërmarrë fushatë për largimin e misionit të OKB-së nga Kosova.
Ndërkohë, zyrtarë të UNMIK-ut thonë se një plan për ristrukturim është duke u përgatitur. Shefi për informim në UNMIK, Aleksandër Ivanko i tha Radios Evropa e Lirë, se ristrukturimi mund të fillojë së zbatuari që nga 1 korriku.
“Është një plan strukturor që vlen edhe për vitin e ardhshëm. Me këtë plan janë disa fusha që UNMIK-u do të reduktohet nga 1 korriku dhe këto kanë të bëjnë më shumë me administratën. Por janë disa fusha që nuk do ketë reduktime dhe këto janë policia dhe drejtësia”, thotë Ivanko.
Në të vërtetë përgjegjësitë mbi policinë dhe drejtësinë pritet që të bien mbi Bashkimin Evropian, pasi UNMIK-u të jetë larguar nga Kosova. Aleksandër Ivanko shpjegon se plani i strukturimit është shumë i komplikuar dhe tregon se si do të duket UNMIK-u para dhe pas statusit.
“Do të ketë ndryshime, por ato më të mëdhatë do jenë pas rezolutës së Këshillit të Kombeve të Bashkuara. Këto janë kryesisht ndryshime të vogla, të mëdhatë do të jenë pasi rezoluta 12 44 nuk do të jetë më funksionale”, tha Ivanko.
Sipas shefit për informim në UNMIK aktualisht janë rreth 700 punëtorë ndërkombëtarë në kuadër të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.


XS
SM
MD
LG